Me dhjetra ngjarje kulmore, si dhe mijra patriotë të mendjes, të pushkës dhe të penës janë skalitur me merit në memorien e lavdisë së historisë sonë kombëtare. Për 8 Majin, Shqipëria bashkohet me 29 vendet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe disa vendeve partnere, si p.sh. Ukraina etj, në celebrimin e kësaj ngjarjeje.
Po çfarë simbolizon kjo datë dhe cilat janë vlerat dhe mesazhet e kësaj ngjarjeje të lavdishme ? 77 vjet më parë, më 8 Maj 1945, u nënshkrua në Berlin akti i kapitullimit të barbarisë naziste. Pavarësisht emërtimeve, si Dita e Fitores, apo Dita Europiane e Fitores, “një gjë do të mbetet përjetësisht e përbashkët: 8 Maji është dita e çlirimit, është dita e kurorëzimit të qëndresës, është dita e çmimit të lirisë dhe sakrificave të përbashkëta, është dita e çlirimit dhe e triumfit mbi një nga makineritë më kriminale që ka prodhuar historia e njerëzimit”.
Pikërisht më 8 maj 1945, Presidenti i SHBA-ve, Harry S. Truman, u dërgoi mesazh bashkëliderëve të Koalicionit, Winston Churchill, Stalin, General De Gaulle, duke ndarë impresionet për këtë fitore të koalicionit të përbashkët. Në mënyrë të posaçme, në 8 Maj Komandantit Suprem dhe gjeneralit brilant, më vonë President i SHBA-ve, Dwight D. Eisenhower, i kërkonte t’u përcillte emër për emër çdo luftëtari të çdo vendi koalicionit antifashist urimet më të përzemërta, nderimet dhe mirënjohjen më të thellë, për sakrificat, kurajën dhe kontributin e paçmuar për gjunjëzimin e bishës naziste.
Po ashtu e gjej mbresëlënëse, dhe po perifrazoj, atë çka Presidenti Truman e mbyllte mesazhin e tij historik: “Ajo që na pret, ndërtimi i paqes, nuk është më pak e rëndësishme, nuk është më pak e vështirë, por Ne do ta ndërtojmë paqen duke kuptuar dhe punuar së bashku, ashtu siç e arritëm këtë fitore historike”!
Prandaj 8 Maji, kjo datë, përkujtohet fundi i një lufte çnjerëzore, që u shtri në mbarë planetin. Nderohet një kalvar vuajtjesh dhe sakrificash të papërshkruara, një ferr që zgjati 5 vjet, që preku 80 % të popullsisë së globit dhe që mori jetën e 40-60 milionë fëmijëve, burrave dhe grave të pafajshëm nga mbarë vendet e botës.
Do ishte vërtet mëkat i madh të mbuloheshin nga harresa disa dhjetëra miliona dëshmorë, mes tyre rreth 320.000 të masakruarit barbarisht në kampin famëkeq të Mathauzenit.
Pse edhe Shqipëria do duhet ta celebrojë këtë datë dhe këtë ngjarje heroike? Pa asnjë hezitim, e çmoj një “gjetje mjaft të goditur”, që në këtë ditë nderimi Shqipëria t’i bashkohet koalicionit futimtarëve për t’u përulur para kujtimit të qindra miliona burrave dhe grave që dhanë jetën dhe bënë sakrifica të mbinatyrshme, për ta shpëtuar njerëzimin nga gjenocidi nazist. Kjo datë është gjithashtu një memorie-nderimi dhe respekti të merituar për burrat dhe shtetarët e mëdhenj, si Churchill, Eisenhower, Zhukov, De Gaulle, etj., të cilët me vizion, përkushtim dhe përgjegjshmëri drejtuan luftën dhe nënshkruan këtë fitore historike të koalicionit.
Pa dyshim, është detyrim shtetëror, por edhe fisnikëri njëherësh, të përulemi me mirënjohje ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën, të kujtojmë dhe nderojmë emër për emër luftëtarët e kombit tonë, që u bashkuan kundër hordhisë fashiste pa dallim feje, krahine dhe bindjeje politike, që u ndeshen si të barabartë dhe e mposhtën një ushtri 100-ra herë më të madhe në numër, armatime, fuqi luftarake dhe organizim.
Po ashtu, është fakt gjerësisht i njohur, dhe kështu një vlerë e veçantë, fakti që Shqipëria jonë e vogël iu bashkua këtij koalicioni të madh fitimtaresh, sfidash dhe vlerash të përbashkëta. Prandaj, ne duhet të ndihemi dyfish krenarë, pasi siç e ka përshkruar Henry Kissinger në librin e tij “Diplomacy”, Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetëç-lirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë.
Jo pa qëllim po sjell në vëmendje të publikut qëndrimin e një atdhetari të përkushtuar, dhe shtetari (ish-Kryeministër) mendjehapur si Mehdi Bej Frashëri, i cili më 7 prill, në Radio Tirana i bërë thirrje popullit shqiptar që “të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist” dhe mbresëlënëse mesazhet drejtuar Benito Musolinit: “Nga hiri i shpirtit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ne ju bëjmë thirrje te pranojeni pavarësinë e Shqipërisë z. Mussolini, përndryshe, armata juaj fashiste do të kalojë jo vetëm mbi kufomat e burrave dhe grave të këtij vendi”.
Por a nuk do të ishte shumë e padrejte të harrojmë, të mos përulemi me të njëjtin mirënjohje dhe respekt edhe para dhjetëra-mijëra luftëtareve dhe familjeve të tyre që dhanë gjithçka për çlirimin e vendit, por u vranë, u burgosën dhe u persekutuan barbarisht nga regjimi komunist që u instalua mbas clirimit nga nazifashistët ?
Prandaj, 8 Maji, kjo ngjarje e madhe do duhet të na shërbejë jo për të na ndarë sipas interesave politike të ditës, por si “ilaç për të mjekuar plagët e kohezionit dhe solidaritetit ndërqytetar”, mbi të gjitha, si urë e fortë bashkimi rreth kombit tonë dhe si fanar për të na ndriçuar në udhëtimin drejt perspektivës europiane të Shqipërisë.
Për ta përmbyllur, po citoj mësimin e historisë se: “Nëse harrijmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neonazistët e rinj të Rusisë, po kërcënojne jo vetem integritetin e Ukrainës, po sfidojne vlerat themelore, rendin global dhe stabilitetin demoratik të shoqërisë, si dhe po shkel mbi sakrificat, rolin dhe vlerat e popullit Rus në fitoren e luftës së II-të botërore.
Prandaj 8 Maji permban edhe nje mesazh i fortë për çdo vend të NATO-s, rrjedhimisht edhe për vendin tonë, jo vetëm të mbështesim me deklarata Ukrainën, NATO-n, SHBA-ve, në këtë betejë “për jetë a vdekje” me të keqen e përbashkët, por të marrin përgjegjësitë, të ndajnë barrën, për të përmirësuar rrënjësisht sistemin, institucionet dhe kapacitetet e sigurisë në përballjen NeoNazistët e rinj dhe sundimtarët e marrosur që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore, rendin global vlerat euroatlantike, stabilitetin demokratik te shoqërisë dhe interesat jetike të qytetareve, të secilit prej vendeve dhe në mbarë hapësirën tonë euroatlantike.
Prandaj 8 maji meriton të celebrohet si një datë e lavdishme, por është edhe një ngjarje me mesazhe të përjetshme: “për lirinë, paqen, demokracinë, stabilitetin dhe vlerat themelore duhet çdo ditë vigjilencë, duhet çdo ditë përkushtim, përgjegjshmëri dhe sakrifica”!
Ret. Gen * Piro AHMETAJ
Seinor Expert për SK dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut,
Këshilltar Ushtarak i Presidentit,
Zv/ShShPFA dhe Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATOM