Vendosja përpara faktit të kryer të demokratëve nga ana e Berishës si përfaqësues i PD nuk ka të ndalur asnjë ditë.
Prej 9 muajsh Berisha ka ngritur një fushatë të denjë për Potjomkinin ku ndërtesa e PD tashmë ka vetëm fasadën por pjesa tjetër është e shkatërruar.
E ndërkohë ende nuk dihet përkrahja e tij reale, por sado ajo qoftë është e pashpresë, ndërsa droga që ju fut çdo ditë në vena Berisha ndjekësve për t’i karikuar, është përdorim kriminal i tyre.
Ideja e përhapur se do t’i sjellë në pushtet dhe amerikanët do të detyrohen të dialogojnë me të, është jashtë realitetit. Berisha nuk ka numrat që të fitojë në planin e brendshëm. Kurse në Evropë ka vetëm një person non grata që është Milorad Dodik dhe që është në presidencën kolegjiale boshnjake për shkak të skemës së qeverisjes të këtij shteti. Por natyrisht që ai nuk është as interlokutor dhe shteti i tij ose më saktë principata e Republika Srpska nuk është aleat i amerikanëve. Kemi të bëjmë thjesht me një kapotribu të serbëve.
Nëse Berisha ia del në aventurën e tij për marrjen e pushtetit, do të jetë i dyti non grata në pushtet. Merret me mend se çfarë simpatie do të gëzojë ky vend në perëndim. Por afërmendsh që këtu jemi në fushën e fantazive politike. Tashmë kuotat e tij kanë rënë dhe do vazhdojnë të bien derisa të konkurrojë me Legalitetin dhe Ballin Kombëtar. Kurse e djathta shqiptare edhe për ca vite nuk do të jetë alternativë qeverisëse por vetëm një terren ku ca do të përpiqen seriozisht ta ringrenë dhe të tjerët do të bëjnë mburojën e Berishës, e të dyja palët do gudulisin mbretërimin e Ramës.