Komisioni Evropian mund të përjashtojë Hungarinë dhe Sllovakinë nga vendimi që pritet të marrë nesër për një embargo të naftës ruse, e cila gjendet në paketën e gjashtë të sanksioneve që po përgatit Komisioni.
KE po tregon kujdes për të parë nëse këto dy shtete mund të përballojnë një shkëputje të shpejtë nga importi i naftës bruto ruse, thanë dy zyrtarë të BE-së, shkruan Protothema.
Komisioni pritet të përfundojë të martën punën për hartimin e një pakete të gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, e cila do të përfshijë ndalimin e blerjes së naftës ruse, eksportet e së cilës janë një burim kryesor i të ardhurave për Moskën.
Hungaria, e cila është shumë e varur nga nafta ruse, ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të nënshkruajë sanksione në sektorin e energjisë.
Sllovakia është gjithashtu një nga vendet e BE -së më të varur nga karburantet fosile ruse.
Për të mbajtur bllokun 27-vendesh të bashkuar, komisioni mund t’i ofrojë Sllovakisë dhe Hungarisë një “përjashtim ose një periudhë të gjatë tranzicioni”, tha një zyrtar.
Embargoja e naftës ka gjasa të zbatohet gradualisht, e me shumë mundësi mund të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit të ardhshëm, thanë zyrtarët.
Evropa është destinacioni për pothuajse gjysmën e eksporteve të naftës së Rusisë – duke i siguruar Moskës një burim të madh të ardhuras.