I pyetur nga Taulant Balla nëse ka hetime ndaj Sali Berishës, apo Ilir Metës, kreu i SPAK Arben Kraja, u shpreh se ia ndalon ligji që të flasë për çështje që mund të jenë në hetim.
Kraja i kujtoi Ballës se kjo është e shkruar në ligjin që vetë socialistët kanë votuar.
Arben Kraja: Unë nuk do të jap asnjë përgjigje për pyetjet konkrete, rreth individëve që mund të jenë në hetim dhe as do jap opinion për çështjet që më kërkuat. Kjo është e shkruar në ligjin që keni votuar ju, dhe unë do të zbatoj ligjin.
Debatet më herët mes Ballës dhe Tabakut
Balla: Pse SPAK nuk heton 21 janarin, pse nuk heton korrupsionin në Gërdec? E treta që për mua është e rëndësishme, cfarë opinioni ka prokuroria shqiptare për ‘non gratën’. SHBA kanë përcaktuar Sali Berishën “non grata”.
Tabaku: Të fokusohemi tek integrimi. Pastaj kaloj dhe unë tek non gratat e tjerë.
Balla: Ruani qetësinë. Shqipëria si një vend që ka SHBA partner strategjik duhet të marrë seriozisht dokumentet e tjera. Berisha ka kryer shpërdorim detyre. Prokuroria shqiptare ka regjistruar ndonjë procedim penal? I ka cuar ndonjë letër-porosi keni dokumentacion? Kredibiliteti ynë dhe këtu po e mbyll zonja kryetare, të kuptoj, vura këtë sepse një non gratë tjetër është hetuar nga prokuroria dhe jemi për ti thënë bravo kur bën punën. Kemi rastin e ish prokurorit të përgjithshëm.
Në këtë këndvështrim, mendoj që ky raportim duhet të jetë konkret, jo me diskutimet që jemi të gjithë dakord. Do i kërkoja të gjithë komisioneve që edhe rezolutat që miratojnë të mos jenë përshëndetëse, por të bëjmë raportim konkret. Dua të shpreh mbështetjen e Kuvendit në luftën kundër korrupsionit, të shumicës parlamentare që të bëjnë detyrën dhe të kërkosh të zbatohet ligji nuk është sulm.
Tabaku: Unë shpresoja që të njëjtat mendime t’i ndanit edhe për ish-deputetët e Partisë Socialiste që janë shpallur ‘non grata’. Dhe bëhet fjalë për krime zgjedhore. Ndaj ju ftoj që thirrjen SPAK t’ia bëni edhe për ato.