MENU
klinika

Analiza

BE nuk po e shijon aspak fitoren e Macron!

07.05.2022 - 21:00

Nuk ka nevojë për aludime: Emmanuel Macron është e ardhmja e Evropës.

Me fitoren e tij kundër kundërshtares së krahut të djathtë Marine Le Pen, Macron jo vetëm që mbeti edhe pesë vite të tjera si president i Francës, por gjithashtu siguroi vendin e tij – për mirë a për keq – në qendër të vendimmarrjes së BE deri në vitin 2027, dhe ka gjasa për shumë vite më tej.

Kur të përfundojë mandatin e tij të dytë dhe të fundit, në pranverën e atij viti, ai do të jetë ende shtatë muaj larg ditëlindjes së tij të 50-të.

Vështirë se do të mbetet pa një post të lartë në institucionet e BE-së.

Por, edhe pse Brukseli dhe shumica e kryeqyteteve anembanë kontinentit morën frymë të lehtësuar nga disfata e Le Pen.

Në një BE ende të dominuar, nëse jo plotësisht të kontrolluar, nga diada franko-gjermane, Macron tani është i pozicionuar të veshë mantelin e kancelares gjermane që ka dalë në pension, Angela Merkel.

Por nëse ai i arrin qëllimet e tij – të cilat përfshijnë integrimin më të thellë ekonomik, pavarësinë më të madhe nga SHBA-ja në politikën e mbrojtjes dhe listat transnacionale të kandidatëve në zgjedhjet evropiane – do të varet nga aftësia e tij për të bindur dhe nxitur liderët e tjerë që të ndjekin drejtimin e tij.

“Çelësi për Evropën është gjetja e gjuhës së përbashkët,” tha një zyrtar i lartë kombëtar i cili ka kaluar shumë orë dhe netë të vona në korridoret e ndërtesës Europa të Këshillit Evropian.

Me fjalë të tjera, për të lënë shenjën e tij, Macron duhet të bëjë më shumë sesa të menaxhojë krizat, duke gjetur emëruesin më të vogël të përbashkët, dhe në vend të kësaj t’i drejtojë kolegët e tij në Këshillin Evropian drejt politikëbërjes proaktive që do të demonstrojë dobinë e BE-së për qytetarët.

Testi i parë do të vijë brenda vetëm një muaji, në një Këshill të jashtëzakonshëm Evropian, ku krerët e shteteve dhe qeverive do të diskutojnë edhe një herë se si të trajtojnë çmimet në rritje të energjisë – një rritje e përkeqësuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

“Më e mira që mund të bëjë tani është të shkojë në samitin e 30-31 majit dhe të arrijë një marrëveshje në mbështetje të konsumatorëve evropianë,” tha zyrtari i lartë. “Nëse ai e bën këtë, duke pasur parasysh mungesën e fuqisë së koalicionit gjerman, ka shumë më tepër që ai mund të bëjë nëse është pragmatik dhe i arsyeshëm.”

Macron deri më tani ka shtyrë vazhdimisht axhendën e tij të BE-së. Ide të tilla si krijimi i listave transnacionale të kandidatëve u lanë mënjanë nga udhëheqës të tjerë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian 2019. Macron kërkoi krijimin e Konferencës për të Ardhmen e Evropës, një seri diskutimesh që do të eksploronin mënyra të ndryshme se si BE-ja mund të evoluojë dhe t’u shërbejë më mirë qytetarëve. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë gjë konkrete nga konferenca.

Disa thanë se Brukseli duhet të shijojë fitoren e Macron para se të fillojë të shqetësohet për të ardhmen e Evropës ose të Francës.

Nathalie Loiseau, një deputete centriste franceze e Parlamentit Evropian dhe aleate e Macron, tha se ajo kishte hasur “një lehtësim të madh të të gjithë evropianëve që na kanë bombarduar me mesazhe gjatë fushatës dhe na bombardojnë sërish tani për të shprehur gëzimin e tyre. Është shumë mbresëlënëse.”

Rizgjedhja e Macron, tha Loiseau, do të thotë se “ne do të finalizojmë atë që tashmë ka nisur në çështjet dixhitale dhe mbrojtjen”.

Imazhi i njollosur i Macron-it në arenën e BE-së, megjithatë, do të krijojë gjithashtu presion që ai të përcaktojë specifikat, veçanërisht në tema si “autonomia strategjike” – qëllimi për ta bërë Evropën më të pavarur në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

Nuk është se ideve si autonomia strategjike u mungon “thelbi”, tha një diplomat i BE-së, por se në Paris “nuk e kuptojnë se BE-ja nuk është një republikë shumë e centralizuar”.

Me fjalë të tjera, Brukseli nuk është Paris, BE nuk është Francë.

”Pra, nëse Macron nuk tregon mirëkuptim dhe përulësi ndaj atyre që mendojnë ndryshe,” tha diplomati. do të jetë e vështirë për Macron të arrijë qëllimet e tij. “Franca”, theksoi diplomati, “ka nevojë për partnerë”.

Burimi: Politico.eu

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga ndikimi i luftës në Ukrainë tek kritikët ndaj tij

DW: Pse fitoi sërish Macron?