Ish-kryeministri Sali Berisha e ka vijuar turin e takimeve për zgjedhjet për kryetar të PD me qytetin e Durrësit, ku është takuar me demokratët atje.
Berisha tha se pas disfatës së zgjedhjeve të 2021, PD kishte nevojë për ringritje. Ai tha se nuk do të lejonte që të përdorej si lodër e pushtetit dhe shtoi se lëvizjen e tij, do e përqafojnë të gjithë.
“Ju falënderoj për mbështetjen e çmuar që i keni dhënë PD që nga themelimi e deri sot. Në mënyrë të veçantë për rolin tuaj në themelimin e kësaj force politike. Pas një udhëtimi të vështirë, pas një udhëtimi plot pengesa, por pas një udhëtimi unik në historinë e Evropës. Në një moment të caktuar ndërmorëm udhëtimin tonë për t’u rikthyer te vlerat tona, parimet tona.
Për të ngritur në këmbë forcën tonë politike e cila kalonte nga disfata në disfatë. Në fillim të kësaj lëvizje, askush nuk parashikonte se sot ne do të ishim një forcë aktive me 40 mijë e më shumë anëtarë. Një ushtri e vërtetë idealistësh, misionarësh.
Burra e gra, djem e vajza, të një autoriteti të gjatë moral, të cilët u përballën me çdolloj vështirësie. Unë jam dëshmitar i trysnive të pa ndershme të ushtruara për ju, nga institucionet e një shteti që nuk njeh parim dhe ligj. Jam dëshmitar dhe i presioneve që bëri mafia e Sorosit drejt lirisë, demokracisë, në forcën tonë politike. Këto s’na penguan ne. Nëse rikthehemi disa muaj më parë, kisha deklaruar se kjo lëvizje është e pa ndalshme.
U shpreha që revolucioni nuk ndalet më dhe koha e provoi. Sot ja ku jemi, opozitë e vërtetë e Shqipërisë. Nëse nuk do të ngriheshim do të ishim një lolo. Vegël e një qeverie. Shembullin po e shihni në marrëdhëniet Rama-Alibasha. Nëse arritëm sot në këtë stad, mbi 40 mijë anëtarë dhe anëtare të PD, të vendosur për rikthyer në partinë tonë vlerat më të mira. Si e arritëm këtë? Ne po rrokulliseshim pas disfatës së pësuar pas 25 prillit. Ne moralisht po lëngonim në atmosferën e asaj disfate.
Ne e arritëm se secili prej jush morën një vendim: Ndal, nuk ecët më kështu. Nuk pranohet kjo gjendje. Kjo ndodhi. Sot ja ku jemi, të vërtetë. Të fuqishëm, qartë. Çdo ditë është bërë për PS, udhëheqësin e saj, prokuroria speciale është bërë më e dashur se komiteti qendror.
Ne arritëm, por në këtë stacion ku jemi, një mision i madh na pret, i një rëndësie jetike. Për interesat e këtyre qytetarëve, për qenien tonë dhe identitetin tonë kombëtar, për të ardhmen tonë, të këtyre të rinjve dhe fëmijëve tanë. Ku qëndron ky mision i yni? Qëndron në atë që ne t’i themi ndal kësaj rrokullisje.
Ndodh një shkretim i kombit, një vjedhje e pa imagjinueshme e pasurive kombëtare. Ndodh edhe një poshtërim i tij”, tha Berisha.