MENU
klinika

Çfarë duhet të shmangni?

Dokumentacioni që duhet për pensionin e pleqërisë

17.05.2022 - 19:14

Prej më se dy javësh të gjitha aplikimet për lidhjen e pensioneve të të gjitha llojeve, si dhe shërbimeve të tjera të skemës së sigurimeve shoqërore po zhvillohen vetëm online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”. Pas plotësimit online të kërkesave për pension, apo shërbime të tjera, në rastet kur është e nevojshme, ju duhet të dorëzoni nëpërmjet Postës Shqiptare edhe dosjen e dokumenteve plotësuese të përcaktuara sipas llojit të përfitimit.

Për të shmangur vonesat në llogaritjen e përfitimeve, ju duhet të bëni kujdes që gjatë dorëzimit të dosjes së dokumenteve me anë të postës, të vendosni numrin e duhur të aplikimit. Nëse kjo nuk ndodh, aplikimi juaj nuk do të merret në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse të sigurimeve shoqërore, çka do të vonojë lidhjen e pensionit që ju takon.

“Të gjitha aplikimet mund të bëhen vetëm nëpërmjet platformës “e-albania” dhe në rastet kur aplikimet kanë dokumente shoqëruese, ato duhet të dërgohen nëpërmjet Postës Shqiptare pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, në të cilat është bërë aplikimi. Duhet të bëni shumë kujdes me vendosjen e numrit që shoqëron zarfin e dokumenteve. Mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve duhet të shoqërohet me patjetër me numrin e aplikimit tuaj të bërë online në portalin “e-albania”. Në të kundërt aplikimi juaj për pension nuk do të jetë i vlefshëm për futjen në procesin e llogaritjes së përfitimit që ju takon, e për rrjedhojë kjo do të sjellë vonesa në lidhjen e pensionit, apo kryerjen e procedurave për shërbimet e tjera të skemës”, sqarojnë autoritetet e Institutit të Sigurimit Shoqëror.

Aplikimi për pensionin e pleqërisë

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore të gjithë personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror dhe që janë në prag të moshës së përcaktuar për të dalë në pension mund të plotësojnë online kërkesën paraprake për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo me qëllim që verifikimet e kushteve të përfitimit nga strukturat e sigurimeve shoqërore të kryhen në kohë pa rrezikuar asnjë ditë vonesë në marrjen e pagesës mujore që ju takon sipas ligjit. Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitim pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Kjo pasi koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve të mund të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesi.

Për të nisur plotësimin e kërkesës paraprake për pension pleqërie, fillimisht duhet që të identifikoheni si qytetar në portalin “e-Albania” në adresën www.e-albania.al. Në faqen që do të hapet në vijim duhet të zgjidhni shërbimin e etiketuar “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie” dhe të klikoni në butonin “Përdor” për të vijuar me plotësimin e formularit përkatës. Duhet të bëni kujdes që gjatë plotësimit të formularit të vendosni të dhënat e sakta. Formulari është i ndarë në tre pjesë. Fillimisht ju duhet të zgjidhni drejtorinë dhe agjencinë lokale ku do të aplikoni për të dalë në pension. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi.

Pjesa e parë e formularit përmban të dhënat rreth gjeneraliteteve tuaja. Edhe në këtë rast, numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Më tej, duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile. Ndërkohë që fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht. Në pjesën e dytë të formularit duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit që mendoni se ju takon në bazë të kushteve që plotësoni (vjetërsia e punës dhe mosha). Aplikimi online për kërkesën paraprake të pensionit është i vlefshëm vetëm në rastet kur aplikohet për pensionin e pleqërisë.

Më tej, në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar. Gjatë plotësimit të formularit online duhet që të ngarkoni edhe dosjen e dokumenteve, ku duhet të përfshini: Dokument identifikimi Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal), fotokopje të kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale, certifikatë familjare, certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra), fotokopjen e librezës së punës, diplomën e shkollës së lartë (për femrat). Pas përfundimit të aplikimit online në vijim ju duhet që të përgatisni dosjen me dokumentet origjinale që ta dërgoni me postë pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore përkatëse ku keni aplikuar për pensionin.

Përfitimet mujore të reduktuara

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur kanë plotësuar vitet e sigurimit dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Duhet të dini që pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj

Masa mujore e pensionit të pleqërisë

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të ligjit për sigurimet shoqërore. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Po ashtu çdo person i siguruar që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.

Dokumentacioni i nevojshëm që duhet për pensionin e pleqërisë:

Dokument identifikimi:
Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal);
Fotokopje e kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale
Certifikatë familjare;
Certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra);
Fotokopje e librezës së punës
Diplomën e shkollës së lartë (për femrat).
Hapat për plotësimin online të kërkesës paraprake për pension pleqërie:

Identifikohuni si qytetar në portalin qeveritar në adresën e-albania.al.
Zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie”.
Klikoni butonin “Përdor”.
Plotësoni me kujdes formularin përkatës me kujdes. Formulari është i ndarë në tre pjesë.
Fillimisht ju duhet të zgjidhni DRSSH dhe ALSSH ku do aplikoni. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi.
Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja. NID plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja;
Duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile.
Fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht.
Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit. Ju kujtojmë, që ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë.
Në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar.
Më pas ju duhet të dërgoni dokumentet origjinale me postë pranë DRSSH përkatëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN