MENU
klinika

"Mes çarçafëve"

Drama e një fëmije, dy grave dhe një burri…

11.05.2022 - 14:37

         Premiera më 7 dhe 8 maj, i zbuloi dy gratë në skenën e teatrit “Petro Marko”, në Vlorë.

Ndërsa, Teatri Shëtitës “Çajupi”, vijon me sukses aktivitetin artistik, jo vetëm në Tiranë, por edhe në skenat e tjera në vend. Më 12, 13 dhe 14 maj shfaqja “Mes çarçafëve” do të jetë për publikun elbasanas.

Vepra me regji nga Kiço Londo, të mban pezull nën interpretimin me shumë mjeshtëri, nga dy aktoret: Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj. Për tri mbrëmje radhazi – të enjten, të premten dhe të shtunën, në skenën  “Skampa”.

Pjesa nga Jordi Mand, e para e autores, është e përkthyer nga Artur Lena. Ngjarjet, që zhvillohen në klasën e tretë të një shkolle fillore private, vishen me një skenografi simbolike dhe të detajuar, që ndihmojnë në perceptimin e spektatorit.

Vepra është përkthyer nga Artur Lena. Në vijim të aktivitetit artistik, Teatri Shëtitës “Çajupi”, më parë prezantoi për publikun tri shfaqje në të njëjtën ditë, në tre qytete të ndryshme dhe në orar të njëjtë. Por, premiera më e fundit për publikun, titullohet “Mes çarçafëve”, që vjen nën interpretimin mjeshtëror të dy aktoreve: Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj.

Për më tepër mbi situatat:

Takimi me prindër është drejt fundit, teksa po bie mbrëmja.

Tereza, mësuesja e re, është gati të mbledhë sendet personale e të niset për në shtëpi, kur shfaqet Mariona, nëna e një prej nxënësve, e cila do të bisedojë lidhur me të  birin, Aleksin. Situata është diçka e beftë për Terezën, meqë Mariona nuk i ka kërkuar takim… Gjithsesi, të gjitha bisedat e mëparshme mbi Aleksin, Tereza i ka pasur me të atin, Kurtis, bashkëshorti i Marionës.

Mariona është në dijeni të plotë të lidhjes së të dyve, gjë që e ka indinjuar. Madje, më tepër se kaq. Aleksi është një fëmijë me nevoja të veçanta, nga ata që duken si rasti serioz i mungesës së aftësisë për t’u përqendruar dhe Marionës, nuk i pëlqen të mbetet jashtë diskutimeve për të birin.

Ajo, pa dyshim që nuk e pëlqen deklaratën e Terezës, që si mësuese kalon më tepër kohë me Aleksin sesa e ëma, e cila është një grua në karrierë, ndaj e kupton më mirë atë. Por, çfarë nuk i pëlqen aspak, është zbulimi që ka bërë kohët e fundit – që në fakt, del në pah nga disa përballje verbale fillestare… kur mësohet se, bashkëshorti i saj dhe Tereza janë të dashuruar.

Kjo rrethanë, shtuar edhe puna me e-maile dhe letra të shkruara, janë në funksion të titullit të veprës.

Ngjarjet zhvillohen në harkun kohor të një ore. Kur kanë kaluar 10 minuta, Mariona hedh bombën dhe falë mjeshtërisë së autores, ajo shfaq një zemërim shumë më të madh se ç’mund të ketë rëndom një prind i pakënaqur, prapë ne tronditemi. E njëjta gjë vlen edhe për zbulimet e tjera në vazhdim, trashë dhe shpejt, nga ana e njërës grua, apo tjetrës, për gjithë pjesën e mbetur të veprës.

Për natyrën e paqetë, që nuk gjen shpëtim, të Kurtisit, që nuk e shohim. Për planet, që ai dhe Tereza, duket se po thurin. Për presionet ekonomike, që e mbajnë larg Marionën nga i biri, ndërkohë që siguron para për ta dërguar në shkollë. Për përkushtimin profesional të Terezës, e cila nuk ka fëmijë dhe ka probleme me shëndetin.

Regjisori dhe dy aktoret, përdorin teknikën e njohur të ekspozicionit në retrospektivë dhe e mbrujnë me logjikë emocionale, pa ndjenja keqardhjeje. Çdo zbulim është një hakmarrje.

 

Mos e humbisni…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN