MENU
klinika

Analiza

Franca nuk mund të luajë ruletën ruse me të ardhmen e Evropës çdo pesë vjet!

05.05.2022 - 08:27

Pavarësisht rizgjedhjes së Presidentit Emmanuel Macron të dielën, forcat e nacionalizmit euroskeptik, janë ende duke u tundur në portat e Pallatit Elysée.

Një populist i ekstremit të djathtë fitoi një përqindje të paprecedentë të votave. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se herën tjetër nuk mund të jetë më e lartë.

Përpara se themelimi i Bashkimit Evropian të marrë frymë lirshëm dhe të vazhdojë punën si zakonisht, duher të mendohet se si Franca – bashkëthemeluesja dhe shtylla e domosdoshme e unionit – mund të shmangë të luajë ruletën ruse me të ardhmen e Evropës çdo pesë vjet.

Me rënien e dy partive që dominuan politikën e Republikës së Pestë të Francës që nga viti 1958 – golistëve të qendrës së djathtë dhe socialistëve të qendrës së majtë – vendi në fakt ka mbetur me një bllok të vetëm, pro-evropian centrist nga njëra anë dhe forcat e anti-globalizimit, anti-BE, nacionalizmit kundër imigracionit dhe proteksionizmit nga ana tjetër.

Në një demokraci, pushteti natyrshëm priret të alternojë mes dy kampeve kryesore politike.

Por demokracia franceze është ndryshe.

Vendimi i ish-presidentit Zhak Shirak në vitin 2001 për të reduktuar mandatin presidencial nga shtatë në pesë vjet dhe për të sinkronizuar ciklin zgjedhor, në mënyrë që legjislatura të zgjidhet gjatë ‘muajit të mjaltit’ të presidentit të sapokurorëzuar, ka rrënjosur gjithashtu sundimin presidencial dhe ka nxitur apatinë e votuesve.

“Pse duhet të votoni?” është një refren tanimë, veçanërisht në mesin e të rinjve, të cilët preferojnë veprimin politik përmes shoqatave, grupeve të protestës me një çështje ose — në skajet radikale — përmes dhunës.

“Rezultati i zgjedhjeve ishte absolutisht vendimtar,” tha në një intervistë politologu Jean-Yves Camus, një ekspert i ekstremit të djathtë.

Sistemi i votimit me dy raunde zgjedhore për Asamblenë Kombëtare do të thotë se segmente të mëdha të popullsisë, janë shumë të nënpërfaqësuara.

Për të arritur në raundin  e dytë, kandidatët duhet të marrin 2.5 përqind të të gjithë votuesve të regjistruar – një pengesë kur pjesëmarrja është e ulët.

Si rezultat, Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen kishte vetëm tetë vende në Asamblenë Kombëtare dhe France Unbowed e  tëmajtit Jean-Luc Mélenchon kishte 17, ndërsa kandidati i Të Gjelbërve kishte 16.

Një legjislaturë e tillë  nxit opozitën jashtëparlamentare, drejt konfrontimeve, në vend të kërkimit të konsensusit midis forcave demokratike dhe negociatave mes partnerëve socialë, gjë që karakterizon politikën në shumë vende që kanë sisteme votimi me përfaqësim të plotë ose të pjesshëm proporcional.

Në Gjermani, Holandë, Belgjikë apo Danimarkë, asnjë parti nuk mund të formojë një qeveri pa kompromis.

Shtojini kësaj faktin që Macron shihet gjerësisht si një teknokrat arrogant – një imazh i përforcuar nga gjuha e trupit të tij gjatë debatit të tij të vetëm televiziv me Le Pen.

Si e tillë, Le Pen e quajti fushatën: “Macron kundër popullit”.

Në epokën e mediave sociale, shkëputja midis liderëve të zgjedhur të Francës dhe qytetarëve të zakonshëm është gjithnjë e më e dukshme.

Megjithatë, fenomeni i ri që u shfaq gjatë fushatës së këtij viti ishte një formë edhe më virulente e nacionalizmit anti-islam, anti-emigracionit, anti-BE, anti-NATO, i mishëruar nga Eric Zemmour.

Edhe pse në fund ai mori vetëm 7.1 për qind, në një moment ai kishte arritur deri në 18 për qind mbështetje dhe ishte shumë afër me Le Pen në sondazhe.

Zemmour shërbeu si një mburojë për Le Pen, duke e bërë atë të dukej e moderuar, edhe pse programi i saj përfshinte ndalimin e grave muslimane  që mbanin shami në publik dhe sanksionimin e supremacisë së kushtetutës franceze ndaj ligjit të BE-së.

Një mënyrë për të kanalizuar pasionet politike të Francës në një debat më konstruktiv do të ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor parlamentar.

Një mënyrë tjetër do të ishte mbajtja e zgjedhjeve parlamentare përpara zgjedhjeve presidenciale.

Një qasje tjetër do të ishte krijimi i një forme të asamblesë qytetare për të diskutuar mbi çështjet shoqërore ose kushtetuese, të cilave qeveria duhet t’u përgjigjet, siç ka ekzistuar në Irlandë që nga viti 2016.

Pra, sa i madh është rreziku i një fitoreje populiste në 2027, nëse nuk ndërmerren reforma të tilla dhe Franca mbetet një shtet vertikal, i centralizuar me një president teknokrat?

Është e vështirë të thuhet.

Harold Wilson thuhet se tha se një javë është një kohë e gjatë në politikë – pesë vjet janë një përjetësi.

Dhe është e paqartë se kush do të udhëheqë të majtën ekstreme apo të djathtë. Mélenchon është 70 vjeç dhe Le Pen tani ka humbur tre zgjedhje.

Kjo gjithashtu varet pjesërisht nga fakti nëse goistët dhe socialistët do të arrijnë të mbijetojnë në zgjedhjet legjislative të qershorit.

Herën tjetër, një kandidat më i mirë se Le Pen – nëse është në gjendje të shfrytëzojë votat e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë që u shtuan deri në 57 për qind në raundin e parë më 10 prill – mund të shkojë drejt fitores, duke e futur BE-në në një krizë ekzistenciale.

Por Camus dyshon se çdo lider populist mund ta bëjë këtë.

Një fitore populiste anti-evropiane në Francë nuk është e pashmangshme. Por vendi duhet të gjejë një mënyrë më të mirë për t’u dhënë qytetarëve të tij më shumë zgjedhje politike.

Nuk mund të vazhdojë kështu. Diçka duhet të ndryshojë.

Paul Taylor, një redaktor kontribues në POLITICO, shkruan rubrikën “Europe At Large”.

Burimi: Politico.eu

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga ndikimi i luftës në Ukrainë tek kritikët ndaj tij

DW: Pse fitoi sërish Macron?