Personalisht kam pasur dyshime se Rama do ia linte në dorë opozitës emrin e Presidentit. Arsyeja kryesore është se nuk do gurë në këpucë gjatë betejës për mandatin e katërt. Mbase një i ngjashëm me Metën edhe mund ta joshte pasi nuk do vriste trurin që ta ngucte për të bërë karagjozllëqe gjatë mandatit, por vështirë se gjen të dytë të ngjashëm. Ndaj do zgjedhë dikë që i rri përshtat.
E megjithatë opozita e Alibeajt nuk duhet ta humbiste rastin për të bërë politikë. Në kushtet kur humbjen e kanë të garantuar, mund të propozonin fare mirë një emër nga bota akademike apo shoqëria civile, i cili do të realizonte dy qëllime edhe nëse nuk zgjidhej: Do tregonte se Rama nuk e ka seriozisht kur deklaron që do ja lërë opozitës Presidentin dhe se opozita ka filluar të hapet ndaj emrave dhe ideve të reja.
Por në vend të kësaj ky proces po tregon frustrimin e tyre. Në vend që të propozojnë emra, bëjnë një politikë sterile duke propozuar kritere, a thua se po hartojnë Kushtetutën. Në vend që të japin një emër që përfshin edhe kriteret, merren me cicmice duke treguar frikën e tyre për të bërë politikë dhe dëshmuar se nuk janë diçka më shumë sesa ish-burokratë të Berishës.
Zgjedhja e presidentit dhe komplikacionet që vijnë prej saj, nuk janë të gradës që mund të caktojnë fatin politik të propozuesve. Por është një ndeshje e mirë kualifikuese për të treguar që je ekip me ide dhe që nuk ke frikë përballjen qoftë me Ramën apo edhe me fushatën me gjuhë llazoreje të Berishës për t’u përballur në të ardhmen, për Champions League. Mirëpo kjo nuk ndodhi, duke i lënë fushë të lirë Berishës, që në fund të llogarive do të thotë të lësh vendin pa opozitë.