Nga Mentor Kikia
Pasi i ishte drejtuar Kongresit Amerikan, Parlamentit Britanik, por edhe parlamenteve të disa vendeve të BE-së, presidenti i Ukrainës, iu drejtua edhe Parlamentit Shqiptar me një video-mesazh. Pyetjes se si u negociua mesazhi i presidenti Zelenski për deputetët shqiptarë, ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali, në programin “Opinion”, iu përgjigj kështu: “Në një komunikim me ambasadorin ukrainas këtu, vendosëm të komunikojmë me ta për një lidhje të Presidentit. Ishte dhe kërkesë e tyre dhe dëshirë e jona”. Pra, ka qenë një vendim i joni, “për të komunikuar me Presidentin për këtë lidhje”. Është e dukshme që në këtë rast, më shumë se kërkesë apo nevojë e presidentit ukrainas, adresimi i këtij mesazhi ka qenë një kërkesë e qeverisë, apo e Kuvendit të Shqipërisë.
Presidenti që udhëheq një vend të sulmuar nga një superfuqi ushtarake, i është adresuar vendeve si SHBA apo Britania e Madhe, duke kërkuar mbështetje ushtarake, armë dhe logjistikë. I është drejtuar vendeve të BE-së duke kërkuar gjithashtu mbështeje ushtarake dhe financiare për të përballuar luftën. Vetë Zelenski, që tashmë ka veshur kostumin e gjeneralit, duhet ta ketë patur të vështirë të zgjedhë se çfarë mund ti kërkojë Shqipërisë si kontribut, dhe mesaduket për të mos e lënë thjeshtë me një falenderim, tha: “Mos i pranoni pushuesit që vijnë nga Rusia”. Ndalimi i turistëve rusë, në fakt nuk dëmton ekonominë ruse nën saksione ndërkombëtare, por dëmton ekonominë e Shqipërisë. Nuk ka asnjë argumentim sesi ndalimi i turistëve rusë në Shqipëri do ta ndihojë Ukrainën apo do ta dobësojë Rusinë.
Por çfarë mund të ofrojë Shqipëria për Ukrainën, përvec solidaritetit njerëzor? Këtë e kemi bërë me disa marshime nga sheshi “Skënderbej” deri tek lulishtja para ambasadës së Rusisë dhe me emërtimin e rrugicës para kësaj ambasade “Ukraina e Lirë”. Çfarë mund të bëjë më shumë qeveria e Shqipërisë, përveç statuseve të përditshme të kryeministrit në rrjetet sociale, me foto – mesazhe nga lufta në Ukrainë? Të jemi të sinqertë deri në fund: Ne s’mund të bëjmë asgjë më shumë se kaq. Çdo përpjekje tjetër për tu dukur se ne po bëjmë të njëjtën gjë si SHBA-të, Britania apo ndonjë vend tjetër, thjeshtë na bën komikë.
Ne nuk ka pse kërkojmë të marrim një rol përtej asaj çfarë jemi dhe çfarë mundemi të bëjmë. Nëse pretendojmë përtej këtyre mundësive, atëherë rrezikojmë edhe seriozitetin e dimensionit njerëzor që kemi demonstruar deri tani.
A, po!
Mund të bëjmë pak PR për veten. Kjo luftë, po zhvillohet sa në terren aq edhe në fushën e PR, një përpjekje globale e udhëhequr sërish nga SHBA, për të garantuar mbështetjen publike për qeverinë dhe popullin ukrainas.
Për të vazhduar në këtë drejtim, Z.Berisha, në një përpjekje të sforcuar për të rikompozuar marrëdhëniet e tij të këqija me SHBA, u tregua edhe më i zellshëm. Ai tha që jo vetëm të ndalojnë turistët rusë, por të dëbojmë edhe ambasadorin rus në Tiranë e të tërheqim ambasadorin tonë nga Moska.
Nëse komedia do të vazhdojë, pritet që ne ti shpallim luftë Rusisë.
Këto sjellje më kujtojnë një histori shumë domethënëse. Ish ambasadori Aleksandër Arvizu, e ka treguar si një barcoletë…
Në lulishten para Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ka qenë një lis me një kurorë të gjërë e të bukur. Mbjellë aty, siç thuhet, nga E’them Beu kur ndërtoi edhe Xhaminë, në shekullin e 18. Në atë shesh zhvillonte për disa vite pritjen për festën kombëtare të pavarësisë, 4 Korrikun, Ambasada e SHBA në Tiranë. Në prag të pritjes së radhës, punonjësit e sigurisë së ambasadës bënë një kontroll të vendit dhe kishin parë se disa degë të lisit, në pjesën e poshtme të kurorës, ishin të thara, dhe sipas standeve të tyre të sigurisë, përbënin rrezik. Ata i kërkuan nga bashkia që ti priste degët e thara.
Bashkia(atëkohë drejtohej nga Lulzim Basha) punoi tërë natën dhe në mëngjes lisi i madh dhe i vjetër… nuk ishte më. Asnjë shenjë e tij.
“Vetëm degët e thara thamë ne….”