MENU
klinika

Një fill i kuq!

Kjo është përrallëza e fatit…

01.05.2022 - 09:43

        Një legjendë orientale rrëfen se njerëzit e destinuar për t’u takuar janë të lidhur nga filli i padukshëm i kuq i fatit. Kjo fije nuk zhduket kurrë, ajo qëndron përherë e lidhur me gishtin, pavarësisht kohës dhe distancës. Nuk ka rëndësi sesa kohë duhet për ta takuar atë person, apo sa kohë duhet të kalojë, nuk ka rëndësi nëse jetoni në anën tjetër të botës: filli do të shtrihet pafundësisht, por nuk do të këputet kurrë. Zotëruesi i tij është fati./Konica.al

“Zemrës nuk mund t’i shpëtosh kurrë. Ndaj është më mirë ta dëgjosh atë që ka për të të thënë” (Paulo Coelho).

Kjo fije e padukshme është bashkudhëtarja jonë që nga lindja dhe do të na shoqërojë, hera-herës e ngatërruar, gjatë gjithë jetës sonë. Kështu, çdo natë gjyshi i Hënës del të takojë të sapolindurit dhe u lidh një fije të kuqe në gisht: një fije që do të vendosë për të ardhmen dhe takimet e tyre, një fije që do t’i udhëheqë këta shpirtra për të mos humbur kurrë.

Legjenda

Shumë kohë më parë, një perandor mësoi se në një nga provincat e mbretërisë së tij jetonte një shtrigë shumë e fuqishme, e aftë të shihte fillin e kuq të fatit. Si rrjedhojë, kërkoi që t’ia sillnin në pallat. Perandori e urdhëroi shtrigën t’i gjente skajin tjetër të fillit lidhur në gishtin e tij të vogël, gjë e cila do ta çonte tek gruaja e ardhshme. Shtriga e pranoi kërkesën dhe vazhdoi pafundësisht. Kërkimi i çoi në një treg, ku një fshatare e varfër me një foshnjë në krahë u ofroi prodhimet e veta. Ndaloi para saj dhe i kërkoi të ngrihej. E afroi perandorin e ri dhe i tha: “Fija juaj mbaron këtu”. Kur dëgjoi këto fjalë, perandori u largua gjithë tërsëllëm, i bindur se shtriga po tallej me të. Ai e shtyu fshataren që mbante foshnjën në krahë dhe e rrëzoi duke i shkaktuar një plagë të madhe në ballë. Më pas, urdhëroi rojet të arrestonin shtrigën dhe t’i prisnin kokën. Shumë vite më vonë, erdhi koha që perandori të merrte një grua dhe oborrtarët e këshilluan të martohej me vajzën e një gjenerali shumë të fuqishëm. Ai pranoi dhe takimi u bë ditën e dasmës. Gruaja hyri e veshur me një fustan të bukur dhe një vello që ia mbulonte plotësisht fytyrën. Kur e ngriti, pa se ajo fytyrë e bukur kishte një shenjë shumë të veçantë në ballë.

Një fije e kuqe drejt e në zemër

Kjo legjendë është kaq e rrënjosur në kulturat orientale, sa miliona njerëz e mbajnë vërtet një fije të kuqe lidhur në dorë, edhe pse është e paqartë nëse e ka origjinën nga Kina apo Japonia. Thuhet se legjenda u përhap kur u zbulua që arteria ulna lidhte gishtin e vogël (të tjera flasin për gishtin e unazës, version i rrënjosur në kulturën tonë) me zemrën, burimin e jetës dhe e konceptuar si strehë e përjetshme e dashurisë. Një fije e kuqe, që s’mund t’i imponojmë tekat apo injorancën tonë, një fije e kuqe që s’mund ta këpusim apo ta shthurim. Një fije e kuqe e lidhur me zemrën, që bashkon dashuritë e përjetshme, të thella. Dashuria e një nëne, një babai, një vëllai, një djali, një miku, një burri apo një gruaje… Një fije e kuqe që simbolizon dashurinë dhe interesin e përbashkët. Magjinë e zemrës./Konica.al

Përtej dashurisë romantike

Zakonisht, në kulturën perëndimore legjenda e fillit të kuq të fatit interpretohet vetëm në kontekstin e dashurisë romantike. Megjithatë, kemi të bëjmë edhe me dashurinë e vërtetë dhe të përjetshme që dy njerëz mund të ndiejnë pa u dashuruar. Për shembull, japonezët që duan të birësojnë fëmijë, e përdorin këtë legjendë si metaforë ngushëlluese në procesin e birësimit. Pra, supozohet se fëmija i birësuar dhe prindërit e ardhshëm ndajnë që më parë një lidhje falë fillit të kuq. Kjo është arsyeja pse në komunitetet e prindërve birësues në Japoni përdorimi i frazave të tilla si “le të tërheqim fort fillin e kuq”, ose “le të ndërtojmë ura me fijen e kuqe” është normale.

Gjithkush mund t’u japë interpretimin që dëshiron, mirëpo ndonjëherë rastësitë janë të atilla që nuk lënë vend për dyshime. Ata quhen shpirtra binjakë, zemra të ndërthurura, me një ose me më shumë përjetësi për të jetuar./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi i fortë që Rocky Balboa i dha djalit

‘Derisa të besosh te vetja, nuk ke për të pasur një jetë’

Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit