MENU
klinika

Kur Rusia pushtoi Poloninë

Letra e Hygoit për ushtarët rusë në vitin 1863

06.05.2022 - 13:14

         “Nëse ju që jeni vetë viktima, luftonui kundër viktimave…”

Në vitin 1863, kur Rusia pushtoi Poloninë, Alexandre Herzen, filozof, shkrimtar dhe publicist rus, i shkroi Viktor Hygoit:

“I dashur vëlla, të lutem na ndihmo! Thuaje fjalën e qytetërimit.”

Përgjigjja e shkrimtarit të madh, jehon edhe sot me të njëjtën forcë, nëse në vend të Polonisë përfytyrojmë Ukrainën:

“Ushtarë rusë, bëhuni sërish burra.

Kjo që ju ofrohet tani është lavdia. Merreni! Sa ka ende kohë, më dëgjoni:

Nëse e vazhdoni këtë luftë të egër; nëse, ju, oficerë, me zemër fisnike, ju që për një kapriço ju heqin gradat dhe ju hedhin në Siberi… nëse, ju, ushtarë, bujkrobërit e djeshëm dhe skllevërit e sotshëm, që u morët dhunshëm nga nënat, të fejuarat, familjet tuaja, të kamxhikuar, të keqtrajtuar, të kequshqyer, të dënuar me vite të gjata shërbim ushtarak, aq tepër sa më vështirë është të jesh në Rusi sesa në burg tjetërkund… nëse ju, që jeni vetë viktima, luftoni kundër viktimave…

Nëse, në orën e shenjtë kur Polonia të ngrihet dhe t’ju ofrohet të zgjidhni midis Shën Petërsburgut, ku është TIRANI, dhe Varshavës, ku është LIRIA, ju shpërfillni detyrën tuaj unike, vëllazërinë, dhe i bashkoheni kauzës së carit kundër polakëve, xhelatit të tyre dhe tuaj… nëse, ju të shtypur, nuk keni nxjerrë asnjë mësim tjetër nga shtypja veçse të mbështesni shtypësin… nëse, shpatën që keni në dorë, e vini në shërbim të despotizmit…

Nëse përbindëshi i madh dhe i dobët arrin t’u shtyp të gjithëve, rusë e polakë, duke shpërdorur fuqinë tuaj të verbër e të mashtruar…
nëse në vend që të ktheheni e të përballeni me kasapin e kombeve, ju shtypni, si frikacakë, me epërsinë e armëve dhe të numrit, vëllezërit tuaj heroikë dhe të dëshpëruar, që kërkojnë veçse të drejtën më të parë, të drejtën e mëmëdheut… nëse, në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, merrni pjesë në ekzekutimin e Polonisë… nëse i bëni pra këto, dijeni, ju burra të ushtrisë ruse,

Se edhe ju do të bini…

Do të bini edhe pse kjo duket e pamundur; do të bini edhe më poshtë se bandat amerikane të jugut dhe do t’i ngjallni neveri gjithë botës së qytetëruar.
Krimet e forcës janë dhe mbeten krime; tmerri publik që po përhapni është dënimi juaj.

Ushtarë rusë, frymëzohuni nga polakët! Mos i luftoni! Ajo që keni para jush, në Poloni, nuk janë armiku, janë shembulli.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Harmoni paralele me natyrën”

Arti i ngjyrave tek Pol Sezani


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit