MENU
klinika

Lufta e zotit të parave

Letra “për popujt e vrarë” nga Romain Rolland

11.05.2022 - 18:10

          Herën e dytë, më 1934, Romain u martua me Maria Cuvilier, ruse me nënë zviceriane, ish-bashkëshorte e kontit Kudaçev; mbushte 68-vjeç. I frymëzuar nga bashkëshortja, i përflakur nga idealet e tij, i ftuar nga Maksim Gorki, vitin pasues Romain Rolland do ishte në Moskë, në prani të Stalinit./Konica.al/ Fotoja e ceremonisë i paraqet bashkë: pranë, por, me ç’duket, shumë larg njëri-tjetrit; Josifi, si gjithmonë, me atë fytyrë të zymtë e mendjemprehtë, që dyshon për gjithçka; tjetri spektral, verdhacuk, si nëpër tymnajë. Që të dy duken në drejtime të ndryshme, të kundërta; askush nuk shikon kamerën. Intervista e Rolandit me Stalinin doli më 28 qershor 1935, ishte një scoop; faktikisht, shkrimtari francez, i magjepsur, si të tjerët asokohe, me fatin progresiv të BRSS, rreket të tregojë madhështinë futuriste të shtetit socialist. Intervista, një dialog mirëfilli i vërtetë, ku Rolland tregon aftësi investigative, përtej ligësisë së Stalinit: “Jam i nderuar të flas me shkrimtarin më të madh në botë”, është instruktues. Me pak fjalë, Stalini rrëfen vizionin e tij për politikën evropiane (“Në Evropë dhe në botën kapitaliste, janë ngritur dy sisteme shtetërore: ai fashist, i cili e ndrydh jetën me mjete mekanike, ku klasa punëtore dhe mendimi i saj nënshtrohen nga makineritë; ku nuk mund të marrësh frymë, dhe atë demokratik borgjez, mbetje e kohëve të vjetra. Edhe ky sistem asfikson lëvizjen e punëtorëve, por me mjete të tjera: Parlamentin, shtypin, partitë…”, nevojën për luftë të armatosur (“Ne bolshevikët ishim kundër luftës, por nuk i refuzuam kurrë armët… kur lufta është bërë e pashmangshme, ne kemi mësuar të gjuajmë dhe të kthejmë armët kundër armiqve të klasës”), kujdesi në ndërhyrjen në ngjarjet perëndimore: “Ju besoni se ne duhet të udhëheqim miqtë tanë perëndimorë. Druhemi të marrim përsipër një detyrë të tillë. Çdo vend ka kushtet e veta, kësisoj drejtimi i tyre nga Moska do të ishte hipotetik. Ne mjaftohemi me dhënien e këshillave”. Së fundi, Stalini shpall lajmin e mirë komunist: “Qëllimi ynë është të çlirojmë njerëzit nga shfrytëzimi dhe shtypja, të çlirojmë individin. Kapitalizmi, i cili i ngërthen njerëzit në rrjetat e detyrimit, i privon individit lirinë themelore. Vetëm të pasurit janë vërtet të lirë në një sistem kapitalist. Duke thyer zinxhirët e shfrytëzimit, ne do ta çlirojmë njeriun, duke rindezur tek ai dashurinë për punën”. Një vit më pas, Gorki, përkrahës i “realizmit socialist”, do të vdiste në rrethana të pasqaruara; mbi të gjitha, epoka e “spastrimeve të mëdha”, e dëbimeve masive, e akuzave për “veprimtari kundërrevolucionare”, e gulagëve të nxitur nga terrori, do të arrinte kulmin, përshpejtimin e pamëshirshëm, fazën më të nxehtë./Konica.al

Një pacifist absolut, 20-vjet para vizitës në Moskë, Rolland mori çmimin “Nobel” për letërsi: nga Zvicra, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai vazhdoi të shkruante kundër luftënxitësve, kundër kasapit të historisë. Në gusht të 1914-s, në ditarin e tij, shkrimtari shënon: “Jam i tronditur. Dua të vdes. E tmerrshme jeta në mes të këtij njerëzimi të çmendur, të marrësh pjesë, pa duar, në dështimin e qytetërimit”. Ai u përpoq të ishte i baraslarguar, të vishte një aureolë, fisnikëri e xhindosur: nga francezët ai u akuzua për tradhti, nga gjermanët ai thjesht u injorua. Disa nga tekstet e tij “Përtej mishmashit”, janë klasikë të pacifizmit.

I lindur në Klamensi, në fund të janarit 1866, Rolland iu përkushtua kryesisht muzikës. U specializua në Romë, ku u njoh me Malwida von Meysenbug, mike e Niçes dhe Vagnerit, jepte histori të artit dhe muzikës në Sorbonë. Ndonëse “Zhan Kristofi”, romani i botuar midis viteve 1904 dhe 1912, është autentik “portret i një epoke” për t’i dhënë famë, ai njihet më së shumti për autobiografitë, zhanër ku shkëlqeu: “Jeta e Mikelanxhelos”, “Jeta e Bethovenit”, “Hendel” etj. Në vitin 1911, botoi “Jeta e Tolstoit”: “Lufta tragjike dhe e lavdishme, në të cilën morën pjesë të gjitha forcat e jetës, të gjitha veset, të gjitha virtytet”: kështu e përmbledh ekzistencën e romancierit të madh rus, të cilin e kishte mik. Në veçanti, në shtojcë, ai përmend marrëdhënien midis Tolstoit dhe Gandit: të dy janë gurët e themelit të mendimit jo të dhunshëm të Rollandit. Në vitin 1924, ai i kushtoi një autobiografi, thelbësore për kohën, Gandit: një grusht fotografish dëshmojnë për takimet mes shkrimtarit francez dhe gurusë indiane, për respektin reciprok. Sigurisht, Rolland ndoshta mëkatoi në abstraksione, pasi pacifizmi i tij, më shumë se çdo gjë tjetër, dukej një qëllim, një ide e kristaltë, një kështjellë rëre; megjithatë fuqia retorike e shkrimtarit është e padiskutueshme. Në “Humanizmi”, më 26 qershor 1919, në agimin e Versajës, Rolland shkroi profetiken “Deklarata e pavarësisë së Shpirtit”. Rrjeti i synimeve të paqarta teorike, kritika ndaj intelektualit shtetëror, shërbëtor i të fuqishmëve, i instinkteve të tij të ulëta, i famës: “Shumica e intelektualëve e kanë vënë talentin e tyre në shërbim të qeverive. Ne e dimë dobësinë e individit, forcën elementare, brutale të rrymave kolektive, masive… Mendimtarët dhe artistët i kanë shtuar plagës që gërryen Evropën, në mishin e saj më të thellë, një sasi të pallogaritshme urrejtjeje: ata kanë punuar për të shkatërruar, duke degraduar gjeninë e të cilit ishin përfaqësues. Ata janë bërë instrumente të interesave egoiste të një klani politik, një shteti, një vendi, një klase… Por Shpirti nuk është shërbëtor i shtetit, nuk është skllav i askujt. Dhe ne jemi shërbëtorë të Shpirtit. Nuk kemi padron tjetër. Duhet ta mbrojmë dritën dhe të mblidhemi rreth njerëzve të humbur; ylli polar dhe pikë fikse në vorbullën e pasioneve, në natë”. Jo shumë njerëz e nënshkruan deklaratën e Rolland: mes tyre janë Albert Ajnshtajni dhe Bertrand Rasëll, Hajndrih Man, Henri Barbusë, Herman Hese, Roberto Brako dhe Benedeto Kroçe. I gjori Rolland besonte se Revolucioni Sovjetik ishte paradhoma e paqes universale./Konica.al/Ai ndryshoi mendje. Proceset e spastrimit që filluan në 1936 dhe pakti midis Rajhut gjerman dhe BRSS në 1939 e bindën Rollandin, se mënyra ruse çoi në detyrim, se historia, kudo, është një kafaz, një gijotinë, një masakër. Rolland vdiq në ditën e fundit të vitit 1944. Librat e tij të fundit si “Pegi”, demaskojnë skepticizmin e  dëshpëruar, por asnjëherë humbjen. Stefan Cvajg, i cili kishte nënshkruar Deklaratën e tij, ishte mik i ngushtë, i kushtoi një biografi. Prej vitit 1923, Rolland krijoi një partneritet intelektual me Sigmund Frojdin, me të cilin diskutoi të ashtuquajturën “ndjenjë oqeanike”, “një ndjenjë si diçka e pakufizuar, e pakufishme”, që do t’i përkiste çdo shpirti. Rollandit, për shkak të këtij shkëmbimi, Frojdi i kushtoi “Sikleti i qytetërimit”. Ai duket se është peng, si të thuash, i dashurisë së të njohurve të tij, Rolland, një njeri, para se të ishte shkrimtar, me një karizëm të kënaqshme. Kushdo që ka shfletuar “Siddhartën” kujton, se pjesa e parë e librit i kushtohet “me respekt miqësor Roman Rolland”: marrëdhënia midis Herman Hese dhe Rolland sanksionohet nga korrespondenca e gjerë, në “Nga një breg në tjetrin”. Ishte Rolland, në vitin 1914, ai që kishte kërkuar Hesen, i cili ishte kthyer së fundmi nga udhëtimi në Ceilon dhe Malajzi, për të cilat ndjente një farë tërheqjeje. Hese u nderua me kaq shumë vëmendje nga një “mjeshtër”: ai pa tek ai “shpirtin e atij që lufton kundër arsyes së pakuptimtë të intelektualëve të kohës sonë” dhe që e konsideron politikën një lëmsh “qëllimesh të mira që zbulojnë gjithmonë një mallkim, diçka armiqësore”. Ah, Rolland, besimi yt i palëkundur te njeriu…

“Popujve të vrarë”

Në supën e neveritshme të politikës evropiane, e vetmja gjë e ngjitshme është paraja. Nyja që lidh trupin shoqëror është Plutoni. Plutoni dhe shoqëria e tij. Ai është shefi i vërtetë, kreu i vërtetë i shtetit; është ai që i shndërron shtetet në shoqëri tregtare, në kompani të korruptuara. Nuk them se të vetmit përgjegjës për të këqijat që pësojmë janë vetëm ai grup, apo individ i vetëm. Jo, nuk jemi aq naivë: nuk ka koka turku, nuk do të ishte e përshtatshme. Nuk mjafton as të identifikohen ata që paturpësisht përfitojnë nga lufta si përgjegjës të vetëm. Qoftë luftë apo paqe, gjithçka është e mirë për miqtë e Plutonit. Kur lexojmë, një ndër njëmijë shembujt, për kapitalistët gjermanë që blenë minierat e Normandisë, ata u bënë pronarë të një të pestës së nëntokës minerare franceze, ata u zhvilluan nga viti 1908 deri në 1913 dhe tani, për interesat e tyre në fushën metalurgjike të industrisë dhe prodhimit të hekurit, prodhojnë armët që pushtojnë ushtritë gjermane, e kuptojmë sesa indiferentë janë njerëzit e përkushtuar ndaj parasë ndaj gjithçkaje, përveç vetë parasë. Ashtu si misteriozi Midas, çdo gjë që ata prekin bëhet metal, i çdo prerjeje… Por, hë tani… mos ua atribuoni atyre të atilla plane të errëta. Ata synojnë vetëm të zhvillojnë shpejtësinë dhe të famshmen, të shpejtën dhe titaniken. Tek ta fiton egoizmi antisocial, e meta e kohës. Ata janë përfaqësuesit e pastër të një epoke të nënshtruar ndaj parave. Intelektualë, gazeta, politikanë, madje edhe krerët e shteteve, ata manekinë tragjikë, janë bërë, duam apo s’duam, veglat e tyre. Dhe budallallëku i popujve, nënshtrimi fatalist, e kaluara e lashtë e përzier me egërsi mistike, i dërgon naivët në gënjeshtrat dhe çmenduritë që çojnë në vrasje reciproke.

Maxim Gorky (left) with Romain Rolland – French dramatist, novelist and winner of the Nobel Prize for Literature. 1935 Maxim Gorky (Alexei Maximovich Peshkov), (1868 – 1936) was a Russian and Soviet writer, a founder of the Socialist realism literary method and a political activist and first President of the Union of Soviet Writers. July 1935 Supplied By: SCRSS – Society for Co-operation in Russian & Soviet Studies, Russia Federation Copyright: Topfoto PUBLICATIONxINxGERxSUIxAUTxONLY !ACHTUNG AUFNAHMEDATUM GESCHÄTZT! UnitedArchivesScrss002576

Një moto e padrejtë dhe mizore thotë, se popujt kanë qeveritë që meritojnë. Po të ishte e vërtetë, do të ishte dëshpërimi i njerëzimit: sepse kush është sundimtari, me të cilin një njeri i ndershëm do të donte të shtrëngonte dorën? Popujt punëtorë nuk mund t’i kontrollojnë njerëzit që i qeverisin; njerëzit e sakrificës vdesin për një ide, por ata që i sakrifikojnë jetojnë për interesat e tyre. Pra, interesat mbizotërojnë idetë. Çdo luftë e zgjatur, edhe më ideologjike, ajo e dëmtuar nga idetë e mëdha, pohohet gjithnjë e më shumë si një luftë biznesi, “lufta për hir të parasë”, për të cilën ka shkruar edhe Floberi. Sidoqoftë, një numër i vogël spekulatorësh, autokratë financash, kontraktues ushtrish, mjeshtër të industrisë, mbretër pa tituj apo përgjegjësi, të fshehur në prapaskenë, të rrethuar nga një re parazitësh, luajnë, për përfitimet e tyre të ndyra, me instinktet e liga të njerëzimit, mbi ambicien dhe krenarinë, mbi inatet dhe zemërimin e tij, mbi ideologjitë mishngrënëse, mbi etjen për sakrifica, mbi heroizmin, të etur për të derdhur gjak, në besimin e tij të pashtershëm… Popuj fatkeqë! A mund të imagjinojmë një fat më tragjik se i tyre? Asnjëherë i pyetur, gjithmonë i sakrifikuar: i detyruar në luftë, në krimin e pakërkuar. Mburraveci i parë që doli nga hiçi kërkon paturpësisht të drejtën të flasë në emër të turmave me retorikë vrasëse, një shërbëtor i poshtër i interesave të tij të vogla. Popuj të mashtruar përjetësisht, të martirizuar përjetësisht, që paguajnë për mëkatet e të tjerëve… në kurrizin e tyre të nëpërkëmbur e të gjakosur bëhet beteja e ideve të çmendura: por urrejtja është vetëm në zemrën e atyre që i sakrifikojnë. Popuj të helmuar nga gënjeshtra dhe shtypi. Popuj të demoralizuar, që kalben që në të gjallë, që ecin drejt vdekjes.

A e kemi arritur më në fund, fundin? Jo, unë nuk mendoj kështu. Pas kaq shumë vuajtjesh, kam frikë nga dita fatale, kur popujt, përfshi edhe mundin e pavlerë të sakrificave të tyre, të dorëzuar para mjerimit, do të kërkojnë verbërisht atë që do të nxitojnë, do të hakmerren. Edhe ata, pra, do të bien në padrejtësi, të zhveshur edhe nga qefini i zymtë i sakrificës së tyre, dhe nga lart poshtë vargonjve, nga dhimbja në gabim, gjithçka do të barazohet…

Ndaloni luftën, kush mundet? Kush është në gjendje ta mbyllë egërsinë e lëshuar? Edhe zbutësit do të gllabërohen nga bisha. Gjaku i derdhur, duhet pirë. Të dehemi. Kur të kesh gëlltitur kupën, u është kthyer paqja dhjetë milionë kufomave, a do të mund të ngrihesh sërish në këmbë? A do kesh guximin të shohësh fytyrën tënde të çliruar nga vetë gënjeshtrat e tua? Popuj, bashkohuni! Popuj të të gjitha racave, fajtorë ose jo fajtorë, bashkë gjakatarë e të vuajtur, vëllezër në vuajtje, qofshin të tillë në falje dhe kujdes. Harrojeni inatin ku çdo gjë vdes. Ndani vajtimin. Dhimbja, e sanksionuar nga miliona vdekje, qoftë lidhëse e një uniteti të thellë. Nëse lufta nuk bëhet privilegj i një rinovimi shoqëror të të gjitha kombeve, lamtumirë Evropë, mbretëreshë e mendimit, udhërrëfyese e njerëzimit. Ke humbur rrugën, ke hyrë në varrezë. Atje e ke vendin. Fli. Mbretëro mbi gjumin. Lërini të tjerët të udhëheqin botën./Konica.al

2 nëntor 1916

Romain Rolland”.

 

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen