Carlo Ancelotti po kalon një moment fantastik. Pasi fitoi titullin me Real Madrid, një rekord më vete, duke u bërë trajneri i parë që triumfon në 5 ligat kryesore evropiane, italiani shkoi mbrëmë për herë të pestë në finale të Champions, një tjetër rekord.
Historia dhe tradita e madhe zhvlerësuan miliardat e sheikëve të skuadrës angleze. Meritë e padiskutueshme e teknikut emilian, që ka trajnuar dhe ka fituar tituj kampion në Itali, Francë, Spanjë, Angli dhe Gjermani.
Ancelotti ka përvetësuar zakonet dhe traditat e gjysmës së Evropës, por dashuria për kuzhinën italiane nuk mund të mposhtet. Edhe nëse fiziku ndonjëherë nuk ia lejon t’i konsumojë.
Mister Evropa – Me triumfin e fundit të Real Madridit, Carlo Ancelotti u bë trajneri i parë në histori që fiton titullin në pesë ligat më të mira të Evropës: Itali, Francë, Spanjë, Angli dhe Gjermani. Një rekord i merituar për një trajner që ishte tashmë i vetmi me tre tituj në dy ekipe të ndryshme.
Pas fitores së La Liga-s me Real Madridin, zbulojmë pasionet e tij mes stërvitjes (ecjes dhe çiklizmit) dhe dietës. Ai është një adhurues i ushqimit të mirë, por detyrohet të kufizohet për “hatrin” e gjunjëve.
Gjyshi Carlo – Nipërit e tij kujdesen për ta mbajtur atë në formë para se të ushqehet dhe të bëjë palestër. Janë pesë nipër, tre nga Katia dhe dy nga Davide, që e duan shumë gjyshin e tyre.
Të vegjlit e Davide, tre vjeç e gjysmë, quhen Lucas dhe Leonardo, kanë lindur në Napoli (nëna Ana është spanjolle), ndërsa tre të Katia-s (babai është dietologu i Realit, Mino Fulco) janë Andrea, Alessandro dhe Aurora. Pas triumfit të Realit ata ishin në fushën e “Bernabeu” për të festuar me gjithë familjen.
Pasioni për gatimin dhe verën – Carlo Ancelotti është një adhurues i mishrave të pjekur, verës, picës dhe në veçanti kuzhinës emiliane. Ai e do ushqimin e mirë dhe receta e tij karbonara është bërë e famshme te Bayerni. I pëlqen të gatuajë dhe gjithashtu të zgjedhë verërat e duhura.
Për shembull, kur u intervistua për rubrikën “Në drekë me Financial Times”, Ancelotti zgjodhi një shishe “Guidalberto”, një nga verërat e tij të preferuara, e bërë nga “Cabernet Sauvignon” dhe “Merlot”.
Dieta e gjurit – Pavarësisht kësaj dashurie të madhe për ushqimin e mirë, Ancelotti nuk e tepron shumë. Dhe ka një arsye shumë specifike, siç ka thënë ai vetë: “Në tavolinë përmbahem, mësova ta bëj, ia imponova vetes në vitin e dytë në Londër, kur peshoja 101 kilogramë.
Duhet ta bëj për problemet e gjurit (të lindura që kur luante futboll), sepse duke mbajtur peshën nën kontroll mund t’i mbroj dhe të shmang protezat”. Ancelotti ka kryer gjashtë operacione në këmbët e tij.
Shëtitjet, deti dhe biçikleta – Gjithashtu dhe mbi të gjitha për këtë arsye ai nuk mund të bëjë kushedi se çfarë aktiviteti fizik: “Kur ngrihem ndjej sikur të gjithë gjunjët më plasariten”. Kjo është arsyeja pse ai ecën dhe mbi të gjitha nget biçikletën me një ritëm të mirë, por jo të tepruar.