Pamjet i përkasin pavijonit shqiptar. Ekspozita e famshme e “Adriatikut” u organizua në Vjenë, nga shteti austro-hungarez, gjatë muajve maj – tetor të vitit 1913. Austria kishte specialistë me njohuri të mira etnografike për shqiptarët, siç e tregon edhe ky pavijon i vogël, por domethënës.
Asokohe, Austria ishte mbështetësja kryesore e shtetit të ri shqiptar, që po krijohej mes shumë vështirësish, pikërisht në kohën kur kjo ekspozitë qëndronte e hapur.
Diplomatët austriakë, nën drejtimin e Kontit Leopold von Berchtold, përveçse punonin aktivisht për qetësimin e situatës së brendshme në Shqipëri, u duhej të luftonin edhe me Rusinë, që donte një shtet shqiptar të gjymtuar, në favor të Serbisë.
Sipas shtypit të kohës, “Adria Ausstellung 1913” ngjalli kureshtjen e rreth 2 milion vizitorëve dhe kjo, kur gjysma e 155 ditëve të ekspozitës, ishin me shi.