Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka vendosur ditën e sotme përjashtimin për pesë sezone të tre klubeve të Kategorisë së Dytë, konkretisht Bulqiza, Gramshi dhe FC Internacional Tirana dhe dënimin me dy vite të zyrtarit të ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, për dështim në raportimin e shkeljeve të Kodit të Etikës.
Ky vendim vjen pas hetimit të nisur më datë 27 prill 2022 në lidhje me dyshimet e arsyeshme për paracaktim rezultati në ndeshjet FC Bulqiza- KSSH Veleçiku, Oriku-KF Gramshi dhe FC Internacional Tirana-Luzi 2008.
Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-play-t dhe integritetit të garës.
FSHF i qëndron vullnetit të saj për tolerancë zero ndaj fenomenit të paracaktimi të rezultateve të ndeshjeve. Rezultatet sportive në të gjitha garat kombëtare do të duhet të jenë produkt i paraqitjes në fushë, i faktorëve sportivë dhe në mënyrë kategorike nuk do të duhet të ndodhë dhe nuk do të lejohet ndikimi i faktorëve të jashtëm mbi një ndeshje futbolli.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’i bëjë me dije opinionit publik dhe tifozëze se vazhdon monitorimi për ndërlidhje të mundshme të këtyre rezultateve me individë apo klube të tjera. Dëshirojmë t’i bëjmë thirrje institucioneve kompetente për të hetuar në themel këto episode që njollosin imazhin e futbollit shqiptar.
VENDIMET
Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis F.C Bulqiza dhe KSSH Veleçiku, në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, F.C Bulqiza, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis Oriku dhe KF Gramshi, në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, KF Gramshi, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis FC Internacional Tirana dhe Luzi 2008, në bazë të neneve në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, FC Internacional Tirana, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis F.C Bulqiza dhe KSSH Veleçiku, në bazë të neneve 17, 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, Zyrtari i ndeshjes, Memet Koci, për dështim për të raportuar shkeljet e parashikuara në nenin 27 të Kodit të Etikës, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë si dhe me ndalimin e pjesëmarrjes në ndonjë aktivitet të lidhur me futbollin për një periudhë prej 2 (dy) vjetësh.