MENU
klinika

Analiza

Erdogan do t’iu bëjë kurdëve atë që Putin po iu bën ukrainasve?

24.05.2022 - 09:20

Pavarësisht se sa të çuditshme mund të jenë zgjedhjet strategjike të Turqisë si anëtare e NATO-s, Perëndimi vazhdon të bëjë biznes si zakonisht me Ankaranë.

Fuqitë perëndimore e justifikojnë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, duke kuptuar “shqetësimet legjitime të sigurisë” të Turqisë, të cilat shpesh barazohen me lejen për të vrarë.

Por ata harrojnë që lideri turk nuk është aq i ndryshëm nga presidenti rus Vladimir Putin – dhe se edhe një herë, një politikë qetësimi thjesht nuk do të funksionojë.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, Turqia është lejuar të kënaqet me lojën e saj të dyfishtë, duke vazhduar të luajë me Rusinë dhe Perëndimin që janë kundër njëri-tjetrit, duke dorëzuar dronë të para-porositur në Kiev nga njëra anë, duke injoruar sanksionet kundër Moskës nga ana tjetër, duke kundërshtuar kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Por Erdogan – “diktatori që na duhet”, për të cituar kryeministrin italian Mario Draghi – është kthyer sërish në skenën globale.

Edhe administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka filluar të lobojë te ligjvënësit për të rënë dakord për dorëzimin e avionëve luftarakë në Ankara.

Megjithatë, ngjashmëritë mes Rusisë dhe Turqisë sot, si dhe lidereve të tyre, formojnë një paralele të dukshme dhe ogurzezë që nuk duhet injoruar nga udhëheqësit perëndimorë.

Në krye të listës së ankesave të qytetarëve në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jane sistemet që Erdogan dhe Putin kanë krijuar duke mos respektuar sundimin e ligjit dhe e kanë zëvendësuar atë me sundimin e një njeriu, pasi të dy e kanë rrethuar veten nga oligarkë.

Të dy vendet janë jodemokratike, zgjedhjet e tyre nuk janë as të lira e as të drejta.

Si në Rusi, ashtu edhe në Turqi, opozita – ose ajo që ka mbetur prej saj – përndiqet dhe shtypet në mënyrë sistematike, liderët e saj sulmohen ose burgosen, si në rastet e Alexei Navalny dhe Selahattin Demirtaş. Dhe ka ende turma të mëdha që mbështesin regjimet “e tyre”.

Në Evropë, Gjermania ka luajtur një rol qendror në qetësimin e këtyre diktatorëve gjatë viteve.

Gjatë kohës së saj në detyrë, ish-kancelarja Angela Merkel zhvilloi një pakt Faustian me Erdoganin, duke bërë 10 vizita në Turqi – tre vetëm në vitin 2016, kur vendi ishte i shkatërruar politikisht dhe moralisht – duke vendosur një rekord. Dhe ndërsa Merkel vazhdoi të vizitonte dhe të mirëpriste Erdoganin në Gjermani, as përpjekjet e tij autoritare në shtëpi, as lëvizjet agresive të Turqisë në Mesdheun Lindor, Irak, Libi dhe Siri apo sponsorizimi i saj i dokumentuar nga OKB për terrorizmin xhihadist nuk u pakësuan.

Asnjë nga këto nuk e pengoi as mbështetjen e pakushtëzuar të Merkelit, duke përfshirë shitjet e armëve – ashtu si me Rusinë.

Që nga viti 2015, BE-ja ka ndjekur këtë politikë qetësuese të iniciuar dhe të udhëhequr nga Merkel. Dhe thëniet pro-BE të Ankarasë, retorika e saj boshe mbi reformat dhe tërheqjet taktike nga konfrontimi merren sistematikisht si të mirëqena nga boshti pro-Ankarasë.

Sa më shumë që BE-ja dhe Perëndimi qetësohen, aq më i pacipë dhe më i rrënjosur bëhet Erdogani dhe aq më i pafytyrë dhe më i rrezikshëm për të tjerët. Pikërisht si Putin.

Ka ngjashmëri të mëdha midis arrogancës ruse ndaj ukrainasve dhe qëndrimit turk ndaj kurdëve. Ankaraja synon çdo gjë që tingëllon ose duket kurde – brenda ose jashtë vendit.

Kur bëhet fjalë për rregullat e “luftës” – një term i ndaluar në të dy vendet – të dyja ushtritë tejkalojnë krimet e luftës të të tjerëve kundër civilëve. Putin synon magazinat e grurit të Ukrainës; Erdogan vjedh vajin e ullirit të kurdëve sirianë; dhe të dy kanë ndërprerë furnizimin me ujë.

Zhvendosja e detyruar dhe spastrimi etnik kanë qenë praktikë e zakonshme në të dy vendet.

Pavarësisht nga pasojat katastrofike të politikës së tij para pushtimit ndaj Rusisë, Perëndimi vazhdon me iluzionet për Turqinë. Ata duhet të trajtohen sic janë – kërcënime të sigurisë.

Cengiz Aktar është profesor i shkencave politike në Universitetin e Athinës dhe eseist. Libri i tij i fundit “The Turkish Malaise” u botua në Londër.

Burimi: Politico.eu

Përktheu dhe përshtati: Konica.al