Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë rekursin e prokurorisë ndaj çështjes së vëllezërve binjakë Romeo e Donald Veshaj të cilët akuzohen për një plagosje të kryer në vitin 2013.
Prokuroria kreu rekursin pasi nuk pranoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës ndaj ngjarjes së rëndë që ka protagonistë dy vëllezërit Veshaj. Në këtë mënyrë prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë duke kërkuar burg për vëllezërit binjakë, për shkak se një person ka mbetur i dëmtuar përjetësisht jo vetëm fizikisht.
Gjykata e Lartë vendosi “Mospranimin e rekursit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë kundër vendimit nr.252, datë 05.04.2017, të Gjykatës së Apelit Vlorë”, ndërsa pritet dalja e vendimit të plotë për të mësuar detajet.
Dy vëllezërit janë dënuar me shërbim prove për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, kur Romeo dhe Donaldi ishin gjimnazistë.
Rekursi u bë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili kërkoi që dy vëllezërit të kryenin dënimin në burg dhe jo t’u pezullohej ashtu si vendosën Gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.
Dy gjykatat shpallën fajtorë dy vëllezërit për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim dhe i dënuan me 2 vite burg, por në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi me 7 shkurt 2013 në afërsi të shkollës së mesme në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ku si pasojë e një sherri të ndodhur mes disa personave, u godit me mjete të forta Arjan L., banues po në këtë lagje. Dy vëllezërit Veshaj ishin atëherë nxënës të shkollës së mesme “Reald”.
Më 6 shkurt 2013 rreth orës 13:30, Arjani ka qenë pranë shkollës i shoqëruar nga një person tjetër në pritje të të fejuarës së tij, e cila ishte nxënëse në këtë shkollë. Nga dosja mësohet se në kohën që vajza ka dalë nga shkolla afër saj ka kaluar një makinë, duke xhiruar gomat dhe bërë veprime provokuese, të cilat kanë shqetësuar Arjanin dhe menjëherë ky i fundit ka ndaluar drejtuesin e mjetit, që ka rezultuar të jetë Romeo Veshaj me të cilin ka debatuar dhe më pas të dy janë larguar.
Të nesërmen, rreth orëve të drekës, Arjani ka qenë po në afërsi të shkollës në shoqërinë e tre kushërinjve të vajzës në pritje të kësaj të fundit. Më pas, dy prej tyre janë larguar, ndërsa Arjani dhe njëri prej kushërinjve dhe vajza janë nisur në drejtim të një qendre tregtare po në lagje.
“Në këtë moment, Arjanin e kanë thirrur një grup personash mes tyre dhe Romeo dhe Donaldi. Fillimisht kanë debatuar me Arjanin e më pas e kanë goditur të gjithë me sende të forta. Më aktivë në këtë ngjarje kanë qenë dy të pandehurit Romeo dhe Donald Veshaj. Personat që kanë qenë në shoqërinë e Arjanit, kanë mundësuar shuarjen e konfliktit dhe dërgimin e tij në spitalin civil për dhënien e ndihmës mjekësore.
TËRHEQJA E PADISË
Në përfundim të hetimeve me vendimin e datës 11 korrik 2013 është vendosur mosfillimi i çështjes penale, pasi i dëmtuari nuk është paraqitur për ekzaminim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë dhe në vijim ka tërhequr ankimin e paraqitur lidhur me ngjarjen.
Por me shkresën e datës 5 gusht 2013, të dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore rezultonte së dëmtimet e Arjan L., në sherrin e 7 shkurtit ishin klasifikuar si plagosje të rëndë, pasi ato kanë dhënë dëmtim të rëndë, i konsideruar si shëmtim të përhershëm të fytyrës. “Konkretisht, i janë konstatuar thyerje e kockës së kokës, zhytje të dukshme në regjionin ballor në kokë, tronditje e trurit të shkallës së mesme. Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse dhe janë klasifikuar si plagosje e rëndë pasi kanë sjellë shëmtimin e përhershëm të fytyrës”, nënvizohet në dosje./BW/