MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Pse ambasadorja amerikane, do të bëhet armiku më i madh?

11.05.2022 - 16:18

          Në një dalje të disa ditëve më parë, Kryeministri aktual, duket sikur u ankua për organet e reja të drejtësisë, SPAK apo BKH, organe këto të lindura nga nisma e drejpërdrejtë e SHBA-së dhe BE-së. Publiku dhe analistët, siç ndodh shpesh, e gjykuan në mënyra të ndryshme këtë fjalë, duke u rreshtuar përkrah, apo kundër tij. Kryeministri, e thelloi këtë kritikë akoma edhe sot, duke precizuar se, as në shqip dhe as në anglisht, nuk mund ta mësojnë atë, për gjëra të këtij lloji. Çfarë nuk kuptoi, ai që për një kritik të rreptë, duket se po imiton Berishën, me këtë sjellje? Ka shumë të ngjarë që, Kryeministri, ashtu si dhe Berisha, mbajnë në kurriz atavizmin e një periudhe enveriste, që njësonte shtetin me pushtetin. Nuk është ndonjë çudi. Secili, pavarësisht individualitetit të tij, bie në praktikë eksperiencën e asaj që ka kaluar, madje dhe gjenitë e kësaj bote, referuar një filozofi të madh, në fund të fundit, pavarësisht dëshirave, bien përtokë përplasur me murin e epokës që duan të kalojnë.

Përse, Amerika, përfaqësuar nga ambasadorja dhe BE-ja, do të shndërrohen në kritikët, apo armiqtë më të mëdhenj të pushtetit aktual? Arsyeja shumë e thjeshtë është se, ata e kanë të qartë diferencën midis pushtetit dhe shtetit, dhe në qëndrimet e tyre, natyrisht, ruajnë vetëm shtetin. Kjo, nuk është thjesht, dëshirë personale, por imponim i kategorisë absolute, për ata vetë.

Kur Berisha, në 1997-ën, shkaktoi katastrofën e njohur me “Piramidat”, Perëndimit iu deshën gjashtë ushtri dhe para të shumta, që t’i jepnin fund kasaphanës kombëtare dhe rrënimit të shtetit. Në rastin e një situate analoge, për shembull, produkt i borxhit që po arrin shifra të mëdha, apo korrupsionit të një qeverisje gati dhjetëvjeçare, pasojat mund të jenë analoge, për Amerikën, apo Perëndimin në përgjithësi. Po t’i shtosh edhe faktin se, Shqipëria gjendet në një rajon të ngatërruar si Ballkani, ku ka dhe popull shqiptar në disa shtete të tij, kupton pse Perëndimi, është më shumë i angazhuar, të ruajë shtetin dhe jo pushtetin. Po ka dhe një arsye, thjesht pragmatike, për këtë. Amerika, apo Evropa, nuk kanë dalë në shesh për të humbur para, por për të fituar para nga marrëdhënia me të tjerët. Kjo realizohet, kur shteti, a shtetet që ke përpara, nuk ngatërrojnë shtetin, me pushtetin. Natyrisht, mund të ketë periudha afatshkurtra, kur ekzistenca e pushtetit është faktor i rëndësishëm, për të mbajtur gjeopolitikën përreth e në këtë rast, llogaria mbahet mënjanë, për t’u larë në kohë tjetër.

Thënë shkurt: Amerika dhe Evropa, mbajnë ekuilibrin e shtetit, duke vëzhguar marrëdhëniet pozitë-opozitë, që e sigurojnë këtë ekuilibër. Këtë bëjnë edhe në Shqipëri, që për ta, nuk është një vend i botës së tretë, ku një grusht shteti i përhershëm, ndërron pozicionet e pushtetit, pa dëmtuar rajonin përqark. Shqipëria është në mes të Evropës dhe nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit, ku kjo filozofi nuk lejohet.

Në gjendjen e tanishme, ku opozita është përtokë, është fare e natyrshme që ekuilibri dinamik, të sigurohet duke vëzhguar pushtetin që, në vende si yni, ka treguar rregullisht, që çmendet nëse nuk ka opozitë. Në këtë sens është e qartë se, kryesisht aleati qendror yni, pra Amerika, mund të kërkojë nga organizmat, SPAK a BKH, të mbajnë fort ekuilibrin e shtetit, që sigurohet si i tillë, duke mbajtur në vëzhgim shtetin dhe jo pushtetin.

Nuk është e vështirë të kuptohet, se në republika kryeministrore si e jona dhe veçanërisht, pas 2008-ës, ai që fiton, mban, përcakton dhe kërkon të kontrollojë të gjithë pushtetet. Këtë rrugë të rrezikshme e prenë amerikanë dhe europianë, duke luajtur me mjete minimale. Ata i hoqën kryeprokurorit fuqinë e tij, duke e decentralizuar këtë pushtet, që mund të korruptohej dhe të binte në dorën e kryeministrit aktual, apo pasardhës. Ky është thelbi i reformës për drejtësi dhe mjeti me më pak kosto, që përdorin amerikanë dhe europianë, kur kërkojnë të kontrollojnë pushtetet. Në këtë sens, vetëm një budalla nuk e kupton se kur, amerikanët, apo europianët, nuk tregojnë përralla kur kërkojnë ndarjen e pushteteve. Nuk çuditem që nëpërmjet SPAK, apo BKH, çështjet e mëdha të kalojnë, sot a nesër, në duart e prokurorëve të vegjël në rrethe, që do qërojnë hesapet me peshqit e mëdhenj të pushtetit. Këto lloj organizimesh me kosto minimale, besoj që shpejt a vonë, do të veprojnë në Shqipëri dhe ata që do paguajnë fillimisht, do të jenë njerëzit e pushtetit. Është normale që të mos goditet fillimisht opozita, që në kushtet aktuale është përtokë dhe nuk e luan dot gjëkundi rolin e ekuilibruesit dinamik që mban shtetin.

Për ta mbyllur. Ka shumë të ngjarë që Kryeministri aktual, Berisha, Meta, apo klasa politike në përgjithësi, të mos e kuptojnë se, të huajt që kanë ardhur këtu, në emër të Evropës, a Amerikës, kujdesen për shtetin e jo për pushtetin. Po të bënin të kundërtën, duhet të përgatiteshin për të hedhur miliardat e shteve të tyre, që duhen kur pushtetmbajtësit, të krijonin gropën ekonomike të radhës.

Ditën që pushtetmbajtësit të kuptojnë se, amabasadorja amerikane, apo të Evropës, janë miqtë, po dhe armiqtë e tyre më të mëdhenj e kjo, jo nga dëshira për demokraci – por, thjesht shtetërore, – klasa jonë politike, do të mësojë që të mos ankohet më, poshtë e përpjetë.  

 

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin