MENU
klinika

Nga Aranit Muraçi

Pse Rama i preferon më tepër femrat? Një arsye e fortë, apo është një rastësi e kotë!

09.05.2022 - 10:12

Kryeministri Edi Rama duket se ka bërë zgjedhjen e duhur që ka afruar më shumë femra sesa meshkuj në kabinetin e tij qeveritar dhe ndoshta ka po aq të drejtë që është vënë në kërkim të një gruaje për postin e presidentit.

Në mungesë të shtetit ligjor, për një vend të varfër si Shqipëria, studimet tregojnë se gratë kanë më pak shanse të korruptohen se burrat.
Në janar “Transparency International”, një Organizatë Jo Qeveritare, publikoi raportin e saj vjetor mbi korrupsionin në mbarë botën. I matur me indeksin e tij mesatar, korrupsioni rezulton se nuk ka pasur përmirësime në mbarë globin gjatë dekadës së fundit.

Në shumë vende të varfra niveli i korrupsionit po përkeqësohet. “Transparency International” rekomandon forcimin e agjencive kundër korrupsionit, goditjen e krimit financiar dhe bërjen më transparente të shpenzimeve publike. Por disa vende (përfshirë Shqipërinë) po praktikojnë një metodë tjetër: punësimin e më shumë grave.

Në vitin 2011, për shembull, një shtet në Meksikë krijoi një njësi të policisë së trafikut vetëm me femra që synonte të eliminonte korrupsionin. Peruja pati një qasje të ngjashme në fund të viteve 1990. A janë vërtet femrat më pak të korruptuara se meshkujt?

Ideja se femrat janë më pak të korruptuara u përforcua kur disa studiues nga Banka Botërore publikuan një studim në vitin 2001, që shqyrtonte plot 100 vende. Në ato vende me një përqindje më të madhe të ligjvënësve femra, zyrtarët kishin më pak gjasa të kërkonin ryshfet. Hulumtimi i ri i një grupi akademikësh, përfshirë Francesco Decarolis nga Universiteti Bocconi, në Milano, arriti në një përfundim të ngjashëm.

Ai zbuloi se në Kinë midis viteve 1979 dhe 2014, burokratet e larta femra kishin 81% më pak gjasa të arrestoheshin për korrupsion sesa kolegët e tyre meshkuj. Në Itali ndërmjet viteve 2000 dhe 2016, zyrtarët femra kishin 22% më pak gjasa se meshkujt që të hetoheshin për korrupsion.

Edhe në Shqipëri, e njëjta logjikë duhet të funksionojë. Natyrshëm lind pyetja: Është kjo një arsye e fortë që Rama po afron më shumë femra në postet e larta drejtuese të vendit, apo thjesht një rastësi e kotë?

Me siguri, e para. Nëse do të ishte e dyta, pra një rastësi, Rama nuk do ta kishte fituar aq thjesht dhe rastësisht mandatin e tretë radhazi, si askush tjetër në tri dekada demokraci. E megjithatë preferencat e Ramës mund të lidhen instiktivisht me vendim-marrjen e tij, pasi vështirë se ai mund t’i jetë referuar ndonjë studimi, për më tepër të gjithë e dinë që mungojnë studimet skencore në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN