Për plot 40 vjet e majta ekstreme shqiptare e refuzoi Perëndimin. Nëse pas rrënimit do të kërkohej prej saj rithemelimi, nga e djathta perëndimore do t’i vinte izolimi kurse nga e majta refuzimi. Prandaj, e majta që kemi sot e kuptoi situatën në kohë dhe vendosi të ndahej një herë e mirë nga e kaluara komuniste, në atë që u konsiderua një proces i gjatë dhe i vështirë reformimi.
Sa dëshirë do të kishin pasur nostalgjikët e Enverit që t’ia merrnin partinë Ramiz Alisë kur ky i fundit pranoi pluralizmin politik. Të njëjtën dëshirë do të kishte pasur edhe Ramiz Alia që t’ia rimerrte partinë Fatos Nanos, ose të qëndronte deri në fund të jetës pas tij! Po aq dëshirë pati Nano, pavarësisht disa përpjekjeve për t’ia rimarrë partinë Edi Ramës. Ky është dallimi thelbësor mes të majtës sot në pushtet dhe të djathtës së copëtuar aktualisht që pretendon se vetëm nga e shkuara e saj mund të shpëtohet, në një kohë kur ndodhet para rrezikut fatal që të izolohet.
Gabohet rëndë kush mendon se nismëtarët e Rithemelimit të Partisë Demokratike janë braktisur vetëm nga SHBA-të. Në mungesë reformimi ata janë braktisur masivisht edhe nga Partitë Popullore Europiane, pra, e thënë ndryshe janë braktisur nga i tërë Perëndimi.
Jo pa arsye dhe as rastësisht, ende asnjë mesazh urimi ose inkurajimi nuk u ka ardhur deri tani nga Partia Republikane Amerikane dhe madje as nga ndonjëra prej partive simotra Europiane të djathta.
Nëse brenda këtij muaji nuk do të ketë asnjë mesazh urimi nga Perëndimi (shpresohet të mos ketë ndonjë vendim fatal nga DASH), shpresa e vetme e rithemelimit do të jetë mbërritja e ndonjë oferte shpëtimi ose mesazhi inkurajimi nga Kina e Lindjes së Largët, ose nga Putini, dy ish-aleatë të vjetër para izolimit dhe kapitullimit komunist.
Atëherë çfarë pretendon dhe pse është braktisur Rithemelimi deri tani masivisht nga Perëndimi?
Ish-ët e PD-së, të cilët u larguan një dekadë më parë me votë dhe u rikthyen pasi udhëheqja e tyre u shpall zyrtarisht e izoluar nga e majta dhe e refuzuar nga e djathta perëndimore, ndonëse e dinë se nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e tyre euroatlantike, po investohen për të kapur hapësira të tjera gjeografike, pse jo edhe lindore.
‘Argumenti’ i aktivistes së punësuar në radhët e Rithemelimit, Evi Kokalari, se të vetëshpallurit konservatorë shqiptarë po sulmohen vetëm nga e majta ‘marksiste-imperialiste’, ose e manipuluar siç e quajnë ata nga fronti i perëndimit, me pretendimin se janë pikërisht këta dhe vetëm këta mbrojtësit e vetëm të demokracisë në planet, nuk bind as Klevis Balliun ‘reformatator’ dhe aq më pak Tritan Shehun ‘konservator’.
Si të mos mjaftonte kjo, as në vend të bashkimit dhe as të reformimit, ‘konservatorët’ janë braktisur me ndërhyrjen e Perëndimit aktualisht edhe nga shumica e Grupit Parlamentar Demokrat, i përbërë nga një numër mbi 30 deputetësh të cilët dolën nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Në këto kushte a mjafton shumica e pretenduar prej tyre për të rithemeluar opozitën dhe a premton ajo se mund të kthehet në një të ardhme të shpejtë, në shumicë parlamentare?
Sigurisht që jo.
Po nëse strukturat e reja dhe kryetarin e ri, të cilët do të zgjidhen nga Rithemelimi nuk do t’i pranojë Perëndimi, siç pritet të ndodhë, cili do të jetë fati i opozitarizmit në Shqipëri?
E djathta e re shqiptare do të mbetet projekt i pastër Amerikan, vendit të vetëm Perëndimor të cilit i kemi besuar sovranitetin dhe mbrojtjen e kufijve territorialë të vendit e të kombit tonë.
Paralelisht, që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare duket qartësisht se nga SHBA i është hapur rrugë krijimit të një të djathte të re që e kërkon koha dhe e imponon Perëndimi.
Ligjërisht, logoja dhe selia e partisë më të madhe opozitare në vend do t’i takojë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare asaj force politike që do të ketë numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
Të tjerat janë përrallë nga e kaluara.
Në Shqipëri ndoshta nostalgjikët e dikurshëm të pushtetit do të vet-lavdërohen për rezistencën dhe përpjekjen e gjatë që t’i imponojë ‘demokracinë’ e tyre Perëndimit. Tingullon disi qesharake, por në pamundësi për t’iu rikthyer sërish pushtetit mundet që pikërisht ky të mbetet i vetmi sukses i tyre.
Rithemelimi, sidomos pas humbjes së Le Pen në Francë, përderisa këtë muaj nuk pritet të ketë asnjë mesazh urimi nga Perëndimi, nuk ka gjasa të shpëtohet dot më tej as nga Kina, as nga Andi Bushati, dhe sigurisht, as nga Putini.