MENU
klinika

Analiza

Suedia dhe Finlanda së shpejti në NATO! Por çfarë vjen më pas?

20.05.2022 - 11:39

Finlanda dhe Suedia janë gati t’i japin fund neutralitetit të dekadave duke iu bashkuar NATO-s, një evolucion dramatik në sigurinë dhe gjeopolitikën evropiane të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Dy kombet nordike e kishin mbajtur për një kohë të gjatë aleancën ushtarake në distancë, edhe pse e shikonin Rusinë në lindje të tyre me kujdes. Por sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka sjellë shqetësime për sigurinë në të gjithë rajonin dhe liderët e secilit vend kanë sinjalizuar dëshirën e tyre për t’u bashkuar me bllokun pas më shumë se 75 vitesh mos-angazhimi ushtarak.

Çfarë vjen më pas?

NATO ka atë që ajo e quan një “politikë të dyerve të hapura” për anëtarët e rinj — çdo vend evropian mund të kërkojë të anëtarësohet, për sa kohë që ata plotësojnë disa kritere dhe të gjithë anëtarët ekzistues pajtohen.

Një vend teknikisht nuk “aplikon” për t’u anëtarësuar; Neni 10 i traktatit të tij themelues thotë se, pasi një komb të ketë shprehur interesin, shtetet anëtare ekzistuese “mund, me marrëveshje unanime, të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati … të aderojë”.

Diplomatët e NATO-s i thanë Reuters se ratifikimi i anëtarëve të rinj mund të zgjasë një vit, pasi legjislaturat e të 30 anëtarëve aktualë duhet të aprovojnë aplikantët e rinj.

Finland and Sweden joining NATO would show how Russia's war backfired

Si Finlanda ashtu edhe Suedia tashmë përmbushin shumë nga kërkesat për anëtarësim, të cilat përfshijnë të paturit e një sistemi politik demokratik funksional të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimi i drejtë i popullatës minoritare; angazhimi për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore; aftësia dhe vullneti për të dhënë një kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s; dhe angazhimin për marrëdhëniet dhe institucionet civile-ushtarake demokratike.

Procesi mund të mos jetë pa pengesa; Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se nuk po e shikon “pozitivisht” anëtarësimin e të dyja vendeve në NATO, duke i akuzuar ata për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.

Presidenti finlandez Sauli Niinistö i tha CNN se ishte “i hutuar” nga ato komente të dielën, duke pretenduar se Erdogan kishte qenë shumë më i hapur ndaj idesë në një bisedë telefonike midis dy liderëve një muaj më parë.
“Unë mendoj se ajo që na duhet tani është një përgjigje shumë e qartë. Jam i përgatitur të kem një diskutim të ri me Presidentin Erdogan,” tha Niinistö.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u përpoq të zbusë qëndrimin eTurqisë, duke thënë të dielën se vendi “e ka bërë të qartë se qëllimi i tyre nuk është të bllokojnë anëtarësimin”. Blinken tha gjithashtu të dielën se ai ishte “shumë i sigurt se ne do të arrijmë konsensus.”

Ndërkohë, të dy vendet do të duhet të mbështeten tek aleatët dhe partnerët e tyre aktualë për garancitë e sigurisë, në vend të nenit 5 — që thotë se një sulm kundër një vendi të NATO-s është një sulm kundër të gjithëve.

Suedia dhe Finlanda kanë marrë garanci mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania nëse sulmohen, ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson nënshkroi marrëveshje reciproke sigurie me homologët e tij finlandez dhe suedez javën e kaluar.

Turkey's president opposes letting Finland, Sweden join NATO : NPR

Çfarë nënkupton anëtarësimi në NATO?

Arsyeja pse shumica e vendeve i bashkohen NATO-s është për shkak të nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili përcakton se të gjithë nënshkruesit e konsiderojnë sulmin ndaj njërit si sulm kundër të gjithëve.

Neni 5 ka qenë një gur themeli i aleancës që nga themelimi i NATO-s në 1949 si një kundërpeshë ndaj Bashkimit Sovjetik.

Qëllimi i traktatit, dhe neni 5 në mënyrë specifike, ishte të pengonte sovjetikët nga sulmi i demokracive liberale të cilave u mungonte fuqia ushtarake. Neni 5 garanton se burimet e të gjithë aleancës — duke përfshirë ushtrinë masive të SHBA — mund të përdoren për të mbrojtur çdo vend të vetëm anëtar, si vendet më të vogla që do të ishin të pambrojtur pa aleatët e tyre. Islanda, për shembull, nuk ka ushtri të përhershme.

Ish-udhëheqësi suedez Carl Bildt tha për CNN se nuk sheh baza të reja të mëdha ushtarake të ndërtohen në asnjërin vend nëse ata i bashkohen NATO-s. Ai tha se bashkimi me aleancën ka të ngjarë të nënkuptojë më shumë trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake midis Finlandës, Suedisë dhe 30 anëtarëve aktualë të NATO-s.

“Do të ketë përgatitje për situata të paparashikuara si pjesë e frenimit të çdo aventure që rusët mund të mendojnë,” tha Bildt. “Ndryshimi aktual do të jetë mjaft i kufizuar.”

Burimi: CNN

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Problemet me shpenzimet e mbrojtjes

Çfarë kërkon Macron nga NATO?