MENU
klinika

Analiza

Tani Putini po braktiset edhe nga “elefanti në dhomë”!

13.05.2022 - 16:26

Që nga pushtimi i paligjshëm i Putinit në Ukrainë, bota e ka parë Rusinë duke rrafshuar qytetet, duke vrarë fëmijë dhe duke kryer krime të tmerrshme.

Tani, e dëshpëruar, Rusia i është drejtuar kërcënimeve të keqmenduara dhe të rrezikshme për luftën bërthamore.

Teksa Rusia e Putinit është zhytyr në këndvështrimin e saj paranojak dhe të çmendur të botës, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar është bashkuar në mbrojtje të Ukrainës. Sanksionet e përbashkëta, bashkëpunimi diplomatik dhe ndihma ushtarake dhe humanitare e kanë bërë Rusinë të belbëzojë. MB i ka udhëhequr këto përpjekje dhe ne të gjithë duhet të jemi krenarë.

Por ka një elefant në dhomë – Kinë.

Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë; ka ushtrinë më të madhe me dy milionë ushtarë aktivë dhe është pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo që bën Kina ka rëndësi – dhe lufta në Ukrainë nuk bën përjashtim.

Pra, si e sheh Kina Ukrainën dhe pse?

Para pushtimit rus të Ukrainës, Xi Jinping dhe Vladimir Putin deklaruan një miqësi pa kufij. Kjo miqësi dukej e qëndrueshme në fillim dhe makina propagandistike e Partisë Komuniste nuk raportoi për vrasjen e civilëve deri në tre javë pas luftës.

Zëdhënësit e Partisë Komuniste Kineze fajësuan Amerikën për masakrat e Rusisë në Bucha, pretenduan se presidenti ukrainas Zelensky kontrollohet nga George Soros dhe madje photoshop-uan fotot për të treguar se ukrainasit mbajnë flamuj nazist pranë flamujve amerikanë.

Këto gënjeshtra janë krijuar për të shpëlarë trurin e qytetarëve kinezë që të fajësojnë Amerikën për veprimet e liga të Rusisë.

Nëse kinezët do të dëgjonin të vërtetën, kjo do të demaskonte rrjetën e gënjeshtrave mbi të cilat Xi Jinping ka ndërtuar perandorinë e tij – dhe kjo është arsyeja pse Xi e lejon Putinin të ushqejë paranojën dhe çmendurinë e stilit rus te populli i tij.

Kjo ka filluar të ndryshojë.

Më 30 prill, ministri i Jashtëm i Ukrainës u lejua të fliste lirshëm për një intervistë e cila u botua në Kinë. Shumica e mediave kineze vazhdojnë të përhapin gënjeshtra, ndaj edhe një intervistë me një ministër ukrainas shënon një ndryshim të rëndësishëm.

Rusia është një vend i varfër me një ekonomi jo shumë më të madhe se ajo e Spanjës. Ushtria e saj dikur e frikshme është dukur jofunksionale, e korruptuar dhe e dobët.

Rusia nuk është as në 10 partnerët kryesorë tregtarë të Kinës dhe rreziku i sanksioneve perëndimore e ka ndaluar Kinën të mbështesë Rusinë.

E vërteta është e thjeshtë – Kina mbështetet te Evropa dhe Amerika për pasurinë e saj. Kina ka parë se si komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Rusinë dhe Xi Jinping ka filluar të kuptojë se mbështetja e Rusisë do të çojë vetëm në një Kinë më të varfër, më të dobët dhe më të izoluar.

Ky është një lajm i mirë për sigurinë globale. Kina ka kërkuar prej kohësh të pushtojë Tajvanin. Xi Jinping që pohoi vetëm vitin e kaluar se ai do ta ‘shpartallonte’ vendin nëse ai kërkonte pavarësinë.

Ashtu si Ukraina, Tajvani përballet me një fqinj më të madh të gatshëm për të bërë kërdi.

Komuniteti ndërkombëtar i ka ofruar Ukrainës mjetet për të luftuar për mbijetesën e saj dhe Ukraina i ka treguar botës se shpirti, trimëria dhe uniteti mund të triumfojnë mbi tiraninë.

Mësimi për Kinën duhet të jetë i qartë, dhe Perëndimi tashmë po e bën këtë.

Amerika sapo dha 95 milionë dollarë të tjera për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit dhe çdo sulm do të përballej me pengesa edhe më të mëdha sesa Rusia ka parë në Ukrainë.

Partia Komuniste Kineze duhet të vendosë nëse do ta ndjekë Rusinë drejt dështimit dhe izolimit, apo do t’i bashkohet pjesës tjetër të botës për të dënuar pushtimin e Rusisë.

Lejimi i ministrit të Jashtëm ukrainas të flasë lirshëm është hapi i parë, por përhapja e propagandës gjenocidale duhet të jetë vetë një krim lufte.

Tani duhet të shohim një dënim të plotë të Rusisë dhe një garanci se Kina nuk do të nisë kurrë një sulm të ngjashëm ndaj Tajvanit.

Alicia Kearns është deputete për Rutland dhe Melton. Ajo shërben në Komitetin e Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, edhe në komitetin drejtues të Grupit Kërkimor të Kinës.

Burimi: Express UK

Përktheu dhe përshtati: Konica.al