MENU
klinika

Situata jashtë kontrollit

Tirana në kaos, tifozët plagosin edhe policë

24.05.2022 - 23:12

Rrugët e kryeqytetit shqiptar janë kthyer në arena të mirëfillta dhune pasi në vende të ndryshme  ka përplasje të tifozëve mes tyre apo me forcat e rendit publik në Tiranë.

Një grup tifozësh të Romës, të cilët po shoqëroheshin nga policia, kanë sulmuar edhe godinën e Kryeministrisë duke u munduar të shkatërronin disa tabela dhe duke reaguar në mënyrë agresive ndaj efektivëve që u kërkonin të ndalonin vërshimin e tyre drejt grupimeve të tifozerisë holandeze për përplasje.

Mësohet se dy efektivë të forcave të rendit janë plagosur dhe menjëherë kanë shkuar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Policia mori pas disa minutash situatën në kontroll, duke rrethuar zonën dhe larguar tifozët italianë, të cilët me shkopinj dhe sende të forta u kthyen në rrezik edhe për kalimtarët.

Turma e tifozëve është përplasur me efektivët edhe tek ura e Drejtorisë së Policisë, madje tifozët kanë sulmuar makinën e Policisë së Shtetit duke i thyer xhamat. Efektivë të shumtë të policisë kanë arritur që të shpërndajnë turmën e tifozëve duke pastruar zonën.

Ndërkohë, tifozët holandezë janë përfshirë në sherr te zona e 9-katsheve në Tiranë. Tifozët në gjendje të dehur u përplasen me njëri tjetrin me karrige. Në sherr janë përfshirë tifozë shqiptarë dhe holandezë ndërsa nuk dihet shkaku që ka sjellë përplasjen mes tyre.

Mes kaosit të krijuar secili qëllon në drejtim të të tjerëve me karrige ndërsa situata del jashtë kontrollit. Gjatë sherrit, një karrige në “fluturim” godet pas koke edhe shtetasin shqiptar dhe ai mbeti i shtrirë në tokë për disa minuta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mourinho elozhe Kumbullës dhe stadiumit

“Finale historike, Roma të shkruajë historinë”