MENU
klinika

Arti kundër dhunës

Fjalimi i kohërave

14.06.2022 - 12:12

         Konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori. Mesazhi antinazist i aktorit Çarli Çaplin, në filmin “Diktatori i madh” dhe fakti se u publikuar në vitin 1940, kohë kur Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet, e bën këtë fjalim, krahas filmint, një vepër të papërsëritshme – një satirë e fortë, e drejtpërdrejtë ndaj Adolf Hitlerit, sa edhe një britmë kundër të gjithë regjimeve autokratike.

Fjalimi në filmin “Diktatori i madh” (Charlie Chaplin, 1938)

“Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj, as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qeniet njerëzore, do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njerëzore është ndërtuar kështu. Ne duam ta bëjmë të lumtur të afërmin tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë, as të poshtërojmë njerëz në këtë botë.

Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë dhe e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qeniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë, por këto i harrojmë. Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropën e varfërisë dhe në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive.

Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jonjerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë dhe na mungon njerëzillëku. Jemi shkolluar shumë, por na mungon ndjeshmëria dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur. Avionët edhe radiot, na afruan me njëri-tjetrin, por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qenies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve.

Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit. Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë veshë, të më dëgjojnë: Mos u dëshpëroni! Mallkimi që është mbi ne, s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga Njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin dhe pushteti që ua kishin marrë njerëzve, do t’u kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur.

Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdor si mish për top e ju trajton si bagëti. Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jonjerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës.

Ju s’jeni makineri! Ju s’jeni skllevër!

Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër. Ju s’keni urrejtje, veçse për atë që është jonjerëzore dhe që nuk është e bërë prej dashurisë. Ushtarë, mos luftoni për skllavërimin, por për lirinë. Është e shkruar në ungjill dhe sipas Shën Lukës «Mbretëria e Zotit është në qenien njerëzore», jo vetëm në një qenie njerëzore, as vetëm në një grup, por te çdo njeri, te ju o popull që e keni fuqinë: fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi.

Ju o njerëz, e keni pushtetin: pushtetin për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta bërë jetën aventurë të mrekullueshme. Pra, në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet. Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re, botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë. Të ligjtë ju kanë premtuar shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë. Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt.

Ndërsa neve na duhet të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Na duhet të luftojmë për të liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë.

Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë!

Ana, më dëgjon? Kudo që të jesh, hapi sytë! Hapi sytë, Ana! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri, për të gjetur dritën! Duhet të shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapi sytë, Ana! Shpirti i njeriut u bë me flatra më në fund dhe po nis të fluturojë. Fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës.

Shih lart, Ana! Atje tej!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çarli Çaplin aktori i aktorëve

E qeshura është gjuhë universale

''Endacaku i përjetshëm''

Lindur para se Hollivudi të shpikej!


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen