Ylli i popit, Justin Bieber njoftoi se fytyra e tij është pjesërisht e paralizuar nga një gjendje virale e quajtur sindroma Ramsay Hunt, e shkaktuar nga i njëjti virus, varicella-zoster, që shkakton linë e dhenve dhe herpesin.
Justin u tha fansave në një video në YouTube të premten se virusi kishte sulmuar “nervin në veshin tim, nervat e fytyrës dhe ka shkaktuar paralizë në fytyrë. Ju mund ta shihni se ky sy nuk pulitet. Unë nuk mund të buzëqesh në këtë anë të fytyrës. Vrima e hundës nuk lëviz.”
Sindroma Ramsay Hunt është një çrregullim i rrallë neurologjik që shfaqet kur virusi varicella-zoster infekton një nerv në kokë afër veshit të brendshëm. Pas sëmundjes së lisë së dhenve në fëmijëri ose herpesit si i rritur, virusi mund të qëndrojë i fjetur në trup. Arsyet se pse virusi riaktivizohet dhe prodhon simptoma të Ramsay Hunt nuk dihen.
Simptomat mund të përfshijnë skuqje të dhimbshme brenda kanalit të veshit dhe jashtë veshit, ndonjëherë duke sulmuar gjuhën dhe gojën, sipas Icahn School of Medicine. Për shkak të përfshirjes së veshit të brendshëm, njerëzit me këtë gjendje mund të kenë gjithashtu ndjesi marramendjeje ose zhurmë në vesh.
Sindroma Ramsay Hunt gjithashtu mund të shkaktojë humbje të dëgjimit në anën e fytyrës së prekur. Ashtu si Bieber, gjithashtu mund të shkaktojë dobësi, rënie të fytyrës ose paralizë në anën e fytyrës që është sulmuar nga virusi. Kjo gjë mund të shkaktojë vështirësi në mbylljen e njërit sy, bërjen e shprehive të fytyrës dhe vështirësi në të ngrënë.
Trajtimi konsiston në steroide të tilla si prednizoni për të reduktuar inflamacionin dhe dhimbjen. Më vonë, mund të shtohen ilaçe antivirale që ndihmojnë në trajtimin e simptomave. Bierber i siguroi fansat se ai “do të përmirësohet” dhe se po bënte “ushtrime fytyre për ta kthyer fytyrën në normalitet”.
Shërimi i plotë nuk është i sigurt. Megjithatë, disa njerëz shërohen brenda disa muajsh. Sa më herët të kapet aq më të mëdha janë shanset për shërim.