MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shkaqet e epilepsisë?

19.06.2022 - 10:26

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë shkaqet e epilepsisë?

Mjeku: Epilepsia nuk ka shkaqe të identifikueshme në mbi gjysmën e atyre që vuajnë nga kjo diagnozë. Në pjesën tjetër, është një gamë faktorësh;

Ndikimi gjenetik: Shkencëtarët i lidhin disa tipe të epilepsisë me disa gjene specifike dhe mendohet se ka më shumë se 500 gjene që janë lidhur me këtë shkak. Për shumicën e njerëzve gjenet janë vetëm një pjesë e cila ndoshta i bën persona të caktuar, më të ndjeshëm ndaj faktorëve mjedisorë që nxisin epilepsinë;

Traumat e kokës: Dëmtime traumatike që prekin kryesisht korteksin cerebral mund të bëhen vatra epileptogjene, por ndonjëherë edhe pa një dëmtim të dukshëm në ekzaminimet imazherike, pas një traume koke mund të shfaqen krizat epileptike;

Insultet cerebrale: Në varësi të vendit të dëmtimit, disa AVC mund të shoqërohen me epilepsi. ACV-të janë shkaku i gati gjysmës së epilepsive të moshës adulte; Demenca është një nga shkaqet e shpeshta të epilepsisë në moshën e tretë. Sëmundjet virale dhe bakteriale që prekin trurin, si: meningjiti dhe encefaliti apo abceset cerebrale mund të shoqërohen me epilepsi;

Cerebral Palsy: Dëmtimet e periudhës së paralindjes apo gjatë lindjes që mund të shkaktojnë dëmtim të trurit, si ishemitë apo hemorragjitë cerebrale, infeksionet, mungesa e oksigjenimit të trurit janë shkak i rreth 20% të epilepsive tek fëmijët. Këto çrregullime mund të shoqërohen ose jo me dëmtime të tjera neurologjike dhe konjitive;

Çrregullimet e zhvillimit: Sindroma të veçanta, si ajo “daun” kanë shoqërim të shprehur me epilepsinë; Çrregullimet e rëndësishme respiratore, kardiake, elektrolitike, metabolike mund të çojnë në kriza konvulsive (duhet bërë diferenca me epilepsinë).

Mosha: Mund të ndodhë në çdo moshë, por tenton të jetë e formës primare në moshë të vogël dhe sekondare në moshë të madhe.

Seksi: Meshkujt kanë risk lehtësisht më të rritur se femrat.

Historia familjare: Ka rritje të riskut për kriza epileptike në rast historie familjare me epilepsi.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.