Conor McGregor, ish-kampioni i dyfishtë i botës në artet marciale mikse, ka dhuruar 8.600 stërlina për dy 13-vjeçarë irlandezë, duke i ndihmuar ata që të marrin pjesë në botërorin e të rinjve të kësaj disipline, turne që po zhvillohet në Abu Dhabi.
Dy të rinjtë 13-vjeçarë, që praktikojnë sportin e MMA-së, dëshironin të shkonin në IMMAF Youth Championship, por nuk kishin mundësi financiare. Pasi dëgjoi për këtë nevojë të dy të rinjve, McGregor i ndihmoi ata, duke u paguar udhëtimin. Ka qenë vetë ikona e UFC-së që ka postuar një foto në rrjetet sociale, duke konfirmuar ndihmën:
“U krye. Bëje krenarë këtë tokë”. Më tej, McGregor sqaroi: “Isha në stërvitje kur gjeta këta dy të rinj dhe trajneri im më tregoi për problemin që kishin”. Dy të rinjtë janë Adam dhe Dylan Duffy, që do të garojnë për Irlandën në botëror.
“Po çmendesha kur morëm vesh se do të shkojmë në botëror. Kujtova se po bënte shaka. Ndjej se duhet të fitoj me çdo kusht, pasi ai dhuroi gjithë ato parà”, tha Adam Duffy. Ndërsa vëllai i tij Dylan, shtoi: “Pa ndihmën e tij nuk do të kishim shkuar dot kurrë. Ka kaq shumë palestra dhe ai vendosi të na dhurojë ne ato parà. Kjo është një çmenduri”. IMMAF Youth Championship është një turne për sportistët e moshës 12- 17 vjeç.