Më 17 qershor 1984, në fshatin Brar të Tiranës, u zbulua një varr i vitit 1201, që flet për Principatën e Arbrit. Në të janë skalitur 5 kryqe dhe 5 harqe, shenjë e 5 pjesëtareve të familjes të sundimtarit arbëror. Mbi të ndodhet edhe mbishkrimi: “Kujtoje o Zot shërbëtorin tënd Mihal Zeguri, me bashkëshorten dhe nipërit”.
Principata e Arbrit u formua në vitin 1190 dhe ishte i pari shtet feudal shqiptar i dokumentuar.
Principata e Arbrit
Principata e Arbrit ose Arbëria (1190-1255) ishte shteti i parë shqiptar gjatë mesjetës. Shpallja e shtetit feudal të Arbërisë, në veri të Shqipërisë, me Krujën si kryeqytet, shënohet më 1190. Si themeluesi të këtij shteti, është e njohur Progoni dhe më vonë, Gjini dhe Dhimitër. Ndërfandina është e njohur si qendra më e rëndësishme e kësaj principate. Për këtë ishte folur në mënyrë të qartë nga stema e Arbrit, e gjetur e gdhendur në gur në Kishën Katolike të Shën Maria. Pas rënies së Dinastisë së Progonit, principata u vendos nën Grigor Kamona dhe Gulamin e Shqipërisë.
Së fundi, principata u shkri në vitin 1255. Periudha më e lulëzuar, ishte ajo nën udhëheqjen e Dhimitër Progonit. Ndër gjetjet më me vlerë, jo vetëm të Mirditës, është Stema e Arbrit e zbuluar në Gëziq, në rrënojat e kishës së vjetër të Ndërfanës. Stema është një shqiponjë me një kokë, me vështrim djathtas. Sipas të dhënave, është simbol i Dukagjinëve. Së bashku me këtë, është gjetur dhe mbishkrimi epigrafik i arkitraut të Bazilikës së Shënpremtes së Ndërfanës. Dokumentet, sëpari përmendin Progonin, i cili kishte hedhur themelet e shtetit që në fund të shekullit XII dhe kishte sunduar Arbërinë për 9 vjet, deri në vitin 1199, kur do t’ia linte drejtimin e shtetit djalit tij të madh Gjinit, i cili gjatë 8 vjetëve sundim, do ta konsolidonte këtë shtet. Më pas është Dhimitri, që po për 8 vjet, do të jetë në krye të shtetit, deri në vitin 1215, në kulmin e lulëzimit të tij.
Ku e kishte selinë, Shteti i Arbërit?
Të dhënat e derisotme janë në favor të Ndërfanës, pasi në këtë kohë ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe mbishkrimi i gjetur mund të hedhë dritë mbi princët e Arbërisë dhe epiqendrën e shtetit të tyre.
Arbrit dhe territoret që zotëronin shpesh u bënë lakmi e interesave të Perandorisë Romake të lindjes dhe princëve të ndryshëm të perëndimit, por dhe e mbretrive të sllavëve të jugut. Lufta me pushtuesit Anzhuinë, ishte fillimi i një lufte të re, që do të ndiqej nga pushtime të tjera.
Viti 1279 është viti i humbjes së parë për arbërorët, pasi humbën në luftë, dy përfaqësues të shquar, të dy dyerve të mëdha të kohës: Vlad Blinishtin dhe themeluesin e derës së Dukagjinëve, Duka Gjin Tanushin.