MENU
klinika

Moikom Zeqo

Dinastia taulante-liburne

15.06.2022 - 13:42

        Historiani grek, i lindur në Aleksandri të Egjiptit, nga fundi i shekullit I dhe që jetoi deri në vitet 70 të shekullit II të erës sonë, Apiani, ka shkruar për legjendën ciklike të Epidamnit ilir.
Në kohën e perandorit romak, Adrianit, atij ju dha qytetaria romake dhe u fut në rangun e lartë të kalorësve romakë.
Kryevepra e Apianit është « Historia e Romës », në 11 libra.
Në librin e 4-tët, të quajtur Illyrike, Apiani shkruan për legjendën e njohur të Epidamnit, sipas regjistrimit të traditave shumë të hershme.
***
Apiani shënon « Epidamni, mbreti i barbarëve (ilirëve) të këtij vendi, ndërtoi, pranë detit, një qytet, dhe e quajti me emrin e tij Epidamn. I biri, i vajzës së Epidamnit, Dyrrahu, ndërtoi pranë qytetit një liman dhe e quajti Dyrrah ».
Legjenda ciklike e Epidamnit, dokumentohet virtualisht si histori dinastike në disa gjenerata : Epidamni, mbret themelues i dinastisë, vajza e tij, Melisa, djali i Melisës, Dyrrahu, pra nipi i Epidamnit, si dhe Joni, djali i Dyrrahut, i cili vritet nga një konflikt pa dashje nga Herakliu, heroi mitologjik grek dhe trupin e Jonit, e hodhën në det, duke e quajtur detin si Detin Jon.
Përtej lëvozhgës legjendare, sinkretizimi i burimeve antike nuk e ve në dyshim historicitetin e figurës së mbretit Epidamn, si mbret i ilirëve, jo grekë.
Kolonistët e Korkyrës, u vendosen ne qytetin e Epidamnit në vitin 627 para erës sonë, pra, në shekullin VII para Krishtit.
Të mos harrojmë se Korkyra, qe koloni e liburnëve ilirë në shekullin VIII para Krishtit.
Ka mundësi që mbreti Epidamn si ilir, i fisit të taulantëve, ka patur marrëdhënie me ilirët liburnë, shumë të ngushta.
Në këtë pikë të pa studiuar thellë asnjëherë nga dijetarët, ne mund të shohim kolonizimin korkyras konvencionalisht, në fillim, si një kolonizim liburnas, nga Korkyra.
Kjo shpjegon pse njihet Dinastia e Epidamnit, në 4 gjenerata, mbase, për gati 2 shekuj si vijimësi!
Një kolonizim i menjëhershëm grek do të zhdukte dhe do ta zhbënte tërësisht këtë gjenealogji mbretërore ilire. Por ja që s’ka ndodhur aspak kështu.
Historiciteti i mbretit ilir Epidamn bëhet kështu një nyje konceptuale dhe reference serioze, kronologjike.
***
Epidamni njihet me titullin Mbret, dmth Bazileus.
Kjo është shumë e rëndësishme.
Kjo titullaturë pushteti supreme është njohur nga ilirë të paktën që në shekullin VIII ose IX, para erës sonë.
Është normë hierarkike shumë e lartë.
Apiani, jep edhe një lëvizje popujsh në qytetin, apo shtetin e Epidamnit: përmend brygët nga Frigjia, pas tyre taulantët, pas taulantëve, liburnët (me siguri nga Korkyra), por Apiani, nuk i përmend çuditërisht grekërit, që në fillim.
Nga Epidamni, tek stërnipi i tij ilir, Joni, kemi një histori përplasjeje me helenët.
Joni, si mbreti i fundit i madh ilir, meriton një studim monografik, të hollësishëm.
***
Dijetari kroat Radislav Katiçiç ka shkruar për historinë ilire të Jonit.
Ai thotë se në shkrimet e autorëve të antikitetit përmendet Joni, eponim i Detit Jon.
Më i rëndësishmi është këtu Teopompi, historian i shekullit të katërt para Krishtit, (vepra e të cilit në të vërtetë nuk është ruajtur, por është shënuar në shkrimet e tjera) i cili në librin njëzet e një, të veprës së tij, ka përmendur sundimtarin Jon, nga ishulli Vis dhe nga ky sundimtar nxjerr emrin e Detit Jon, përkatësisht të Adriatikut, që në kohët më të hershme është quajtur fillimisht si Jon.
***
Gojëdhëna e dytë letrare përmendi Jonin si djalë të Dyrrahut.
Emnaku i Detit Jon këtu konsiderohet i biri i themeluesit dhe emnakut të qytetit Dyrrah, (Durrësi).
Ndërsa të Teopompi i biri ishte Adria, themeluesi dhe emnaku i qytetit në bregdetin lindor italik pranë grykës së Padit, sipas të cilit edhe deti mori emrin Adriatik.
Joni, i biri i Dyrrahut, u vra i ri gabimisht nga dora e Herakliut.
Ky pasi i bëri ceremonitë e varrimit, trupin ia hodhi në det që, sipas tij, të emërtohet Joni dhe kështu ia ruajti emrin.
***
Kjo gojëdhënë e dytë rrjedh prej Filonit nga Biblosa, gramaticienit të kohës së Neronit.
Teopompi dhe Filoni kanë shënuar dy gojëdhëna kontradiktore adriatikase.
E para, është visejase, ndërsa e dyta durrsake.
Që të dyja kanë formë gjenealogjike.
S’ka arsye të dyshohet se vërtet rrjedhin prej qyteteve që u kanë takuar.
Për Issën kjo gjë madje mund të vërtetohet me dokumente.
Është ruajtur mbishkrimi në të cilin Visi poetikisht quhej ishulli i Jonit, ndërsa në të dhe rrethinën e tij janë gjetur monedha, në të cilat është shënuar emri i sundimtarit Jon.
Për aq sa dihet deri më tani Joni ishte sundimtari i parë ilir, që ka farkëtuar monedha.
***
Në Dyrrah megjithatë, Joni ishte aq i lidhur ngushtë me kultin vendës dhe me topografinë mitike (i dihej kodërvarri dhe i nderohej vendi, ku i është ngjizur babai), saqë është e qartë se kemi të bëjmë me një traditë vendëse të rrënjosur thellë.
***
Eponimet dhe radhitja e tyre në gjenealogjinë e lashtësisë ishin baza dhe forma më e vjetër e historisë sistematike.
Me to simbolikisht shpreheshin marrëdhëniet me të cilat bashkësia e përshkruante vetes fenomene të rëndësishme, që e rrethonin dhe me të cilat ndeshej në situata jetësore.


Heroi Jon, si eponim, emnak mitik i Detit Adriatik, paraqet në kombinimet gjenealogjike vetëm këtë det.
Duke lidhur me gjenealogji për vete, dy qytete në zë ishin kategorike se u takonte primati në të.
Në kontradikta, gjenealogjia ka gjetur, siç duket, shprehjet e veta dhe kundërshtarët e tyre.
Kjo shihet edhe më qartë sipas asaj se Adria, babai i Jonit isejas, emnaku i qytetit Adria, e cila konsiderohej vendbanim sirakuzas sikurse Issa.
Dyrrahu përkundrazi i takonte kolonisë korinto-kërkyrase në Adriatik më së moçmes dhe së parës.
Këtë e tregojnë edhe shenjat e një ndërlidhjeje të gjerë, të cilat çojnë në kontradikta që manifestohen në gjenealogji kontradiktore.
Natyrisht, burimet janë të mangëta dhe të pasigurta, kështu që përfundime mund të nxirren vetëm me maturi të nevojshme, më tepër si mundësi të hetuara, sesa, si dëshmi.
Prandaj përmbajtja kryesore e shkrimit, ose teksteve, nuk janë ato, por zbërthimi i të dhënave mbi emnakun e Detit Jon në letërsinë e vjetër, tekstet e historisë e letërsisë së atyre shkrimeve dhe interpretimi i tyre.
Vetëm kështu fitohet bazë e domosdoshme për kuptimin e tyre të drejtë dhe verifikimin e rëndësisë së tyre.
E kjo s’është pak.
I përket historisë më të vjetër religjioze dhe politike të Adriatikut.”
***
Ky syshikim historik i Radoslav Katiçiçit hap një horizont të ri studimi.
***
Përderisa një sundimtar ilir, me emrin Jon, ekziston si personalitet ilir dhe pret edhe monedha të tij të veçanta në ishullin Visi, ahere historiciteti i tij është mëse i padyshimtë.
Apiani, thotë se Joni, kishte vëllezër të tjerë, me të njëjtin baba, që ishte Dyrrahu, dhe hyri në konflikt me ta për arsye të pushtetit mbretëror.
Ai kërkon ndihmën nga Herakliu (në këtë rast një metaforë mitologjike për historinë reale) dhe gabimisht vritet prej Herakliut, i cili e hedh trupin e Jonit, për ta quajtur detin me këtë eponim, që ruhet akoma dhe kësaj dite.
Po nëse gjeografikisht Deti Jon, është në Jug të Adriatikut,ose ka sherbyer si i njejti emer per te dy detet, dmth Adriatik dhe Jon, ahere kuptohet se pushteti dinastik i shtetit ilir të Jonit lidhet me një gjenealogji ilire të përbërë taulante dhe liburne.
Ishulli Visi, në Veri, është liburn.
Joni bëhet eponim i një deti, që dikur qe liburn deri në Korkyrë, në kohën e lavdishme të Thesalokracisë Liburne!
***
Tek Stefan Bizantini i shekulli VI të erës sonë, Joni, klasifikohet si ilir dhe italik.
Kjo konfirmon origjinën ilire liburne, pra të Dinastisë taulante-liburne, që fillon dhe shkëlqen me mbretin e madh Epidamn.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mendime Kritike Kulturore

Çfarë shkruante Koliqi për Migjenin?

Arkeologjia shqiptare dje dhe sot

Gërmim në të kaluarën e paraardhësve tanë

Legjenda e Butrintit...

Hyji Apolon ose Dea


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen