MENU
klinika

Analiza

Diplomacia në Ukrainë nuk mund të hyjë në lojë tani!

01.06.2022 - 11:33

Pyetja më e shpeshtë që më bëhet këto kohë nuk është “Kush do ta fitojë këtë luftë?” por “Sa kohë do të zgjasë ajo?”. Këto dy pyetjet janë të lidhura midis tyre në mënyrë të pashmangshme. Që të dyja janë disi më emergjente, pasi Ukraina po e pranon se është e përfshirë në luftime të ashpra në rajonin e Donbasit.

Megjithëse kjo nuk duhet të jetë për t`u habitur, duke pasur parasysh përpjekjet që Rusia ka bërë në fazën aktuale të luftës, duke i hedhur poshtë pritshmëritë se Rusia do të kalonte nga një pengesë në tjetrën, derisa në një moment – mundësisht sa më shpejt – ajo do të dëbohej fare nga Ukraina.

Optimizmi për fitoren e afërt të Ukrainës, ngushëllon shumë njerëz që mendojnë se sakrificat e saj mund të mos jenë të kota, dhe që Rusia do të ndëshkohet për sulmin e saj të paprovokuar. Por nga ana tjetër kjo ka nxitur edhe një ankth mbi rreziqet e një fitoreje të qartë të Ukrainës.

Sipas kësaj pikëpamjeje, nëse Vladimir Putin vendoset në një situatë shumë delikate, ai mund të veprojë në një mënyrë edhe më të pamatur se më parë, për të shpëtuar regjimin dhe fytyrën e tij, për shembull duke përdorur armët bërthamore.

Ky skenar tejet spekulativ, tek i cili mund të arrihet vetëm përmes një sërë hamendjesh mbi mënyrën se si do të zhvillohet lufta dhe pasojat e mundshme mbi gjendjen shpirtërore të Putinit, ka nxitur disa analistë dhe zyrtarë perëndimorë që t’i kërkojnë Ukrainës të bëjë lëshime të mëdha territoriale ndaj Rusisë, për të mbajtur të qetë liderin rus. Pra një lloj terapie parandaluese.

Të tjerët arrijnë tek i njëjtin përfundim por me një arsyetim tjetër, këtë herë duke supozuar se Ukraina nuk do të jetë në gjendje t’i sprapsë rusët, sepse ata po përballen me një fuqi të madhe zjarri nga ushtria ruse. Sipas këtij këndvështrimi, Kievi mund të përgëzojë veten për punën e mirë në parandalimin e pushtimit të gjithë vendit nga Rusia, dhe të pranojë logjikën e lëshimit të Donbasit.

Nga ky lëshim do të përfitonin të gjithë, pasi do t’i jepej fund luftës, vuajtjeve, por edhe krizës që ka përfshirë të gjithë sistemin ndërkombëtar. Sido që të arrihet përfundimi i kësaj lufte, ukrainasve u kërkohet pra që të ngushëllohen me dështimin e Rusisë për të fituar në raport me objektivat që vendosi Moska në fillim të luftës, që ishte nënshtrimi i Ukrainës.

Nga ana tjetër, Putini do të ngushëllohet se i është lejuar të arrijë objektivat e tij dytësore: Rusia do të marrë Donetsk, Luhansk dhe ndoshta Kherson, ndërsa do t’ia lërë pjesën tjetër të Ukrainës shumë të dëmtuar nga lufta. Ata që dëshirojnë mbylljen e shpejtë të luftës, mendojnë se një zgjidhje e tillë do të ishte për të ardhur keq, por në fund e pranueshme.

Pasi do të krijonte një ekuilibër të ri, i cili do të lejonte rifillimin e marrëdhënieve të biznesit me Rusinë, ndoshta më me kujdes se më parë, por duke e pranuar ende se kjo e fundit është një fuqi e madhe që duhet të respektohet, pavarësisht nga krimet e saj.

Mendime të tilla u artikuluan hapur në forumin e Davosit nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger dhe mund të gjenden të fshehura edhe në nivelet e larta të disa qeverive evropiane dhe në institutet kërkimore të SHBA-së. Por pikëpamje të tilla refuzohen me vendosmëri nga qeveria ukrainase.

Arsyet për këtë ndihmojnë edhe në shpjegimin se pse nuk do të bëhen lëshimet e propozuara, dhe pse lufta mund të zgjasë edhe për ca kohë. Së pari, Ukraina mbetet e sigurt nëse në fund do të arrijtë të fitojë. Në një moment, nëse gjërat shkojnë vërtet keq për Ukrainën gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, ky besim mund të dëmtohet, por tani për tani nuk ndikohet nga përparimet e fundit në front nga ushtria ruse. Krahasuar me atë që i frikësoheshin në fillimin e kësaj faze të luftës, të fokusuar kryesisht në Donbas, arritjet e fundit të rusëve janë ende me rëndësi strategjike të kufizuar.

Së dyti, edhe nëse Rusia arrin një seri suksesesh ushtarake në fushën e betejës, kjo nuk do të ndryshojë synimet e Ukrainës për të dëbuar forcat ruse nga territori i saj. Kievi nuk mund të pranojë asnjë lëshim të përhershëm të ndonjë territori tek Rusia.

Duke parë se çfarë po bëjnë rusët në zonat aktualisht të pushtuara, qeveria ukrainase nuk do të dorëzojë më shumë qytetarë të saj tek pushtuesit për t`iu nënshtruar një trajtimi të tillë. Ajo po mbledh përditë prova për të vërtetuar se Rusia është e përfshirë në një luftë gjenocidale, jo domosdoshmërisht në kuptimin që përdoret shpesh ky term si një synim për të shfarosur një popull të tërë, por në terma që plotësojnë kriteret e Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 (shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i një grupi njerëzish bazuar në kombësinë, përkatësinë etnike, racën ose fenë e tij).

Putini dhe miqtë e tij, përfshirë mediat shtetërore ruse, nuk shqetësohen aspak që t’i fshehin qëllimet e tyre, duke mohuar sa herë që munden ekzistencën e një populli ukrainas. Ndaj ukrainasit e dinë se pushtimi i përhershëm i një territori nuk do t’i japë fund vuajtjeve. Përkundrazi, ai vetëm sa do të sigurojë përmbushjen e projektit të Rusisë.

Së treti, nuk ka asnjë arsye që të supozohet se nëse do të kishte një lëshim të caktuar territoresh, do të arrihej një ekuilibër i ri. Kështu u shpresua në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë dhe vendosi separatistët në krye të rajonit Donbas, duke i lejuar evropianët të mbanin marrëdhënie “normale” me Putinin, së bashku me importet e naftës dhe gazit rus, deri në fillim të këtij viti kur Putini vendosi të rinisë luftën.

Pikëpamja e Ukrainës, është se kjo luftë nuk do të përfundojë derisa të paktën të kthehen kufijtë e 23 shkurtit. Nëse nuk ka një pakt diplomatik mbi këtë gjë, ata do të vazhdojnë luftën derisa të rimarrin gjithë Donetsk dhe Luhansk, ndoshta edhe Krimenë.

Pavarësisht nëse ky synim konsiderohet si një marrëzi e kotë, apo edhe një qasje e papërgjegjshme nga ekspertët e gjeopolitikës që marrin parasysh vetëm kërkesat e rendit ndërkombëtar, kjo është rruga që po ndjek Ukraina. Volodymyr Zelensky ka premtuar se do të vendosë mbi çdo marrëveshje me Rusinë vetëm pas një referendumi popullor.

Sipas të dhënave të deritanishme në sondazhe, do të refuzohej çdo lloj lëshimi territorial ndaj Putinit. Mbështetësit e Kievit në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, b

ien tani për tani dakord se pasojat gjeopolitike të çdo lloj gjëje që mund të paraqitet si një fitore ruse do të ishin të tmerrshme, një “recetë” për destabilitet, e cila nuk do të lejonte një normalitet të ri, por një tension të vazhdueshëm.

Pasi janë zotuar që në krye të herës për mbështetje të plotë, ata janë tani peng i premtimit të tyre. Por edhe sepse braktisja e Kievit në këtë moment do të ishte një tradhti pa asnjë lloj përfitim kompensues. Kjo është një luftë që po zhvillohet prej 8 vitesh, me ulje-ngritjet e veta.

Deklaratat e fundit si nga Moska po ashtu edhe nga Kievi, e pranojnë mundësinë e zhvillimit të një lufte të gjatë. Dhe kjo ngre pyetjen nëse faza aktuale e luftimeve do të përfundojë me një periudhë ngërçi. Ukraina nuk mund të shënojë përparim në front duke përdorur metodat ruse:përdorimi i artilerisë dhe forcave ajrore do t’i shndërronte në gërmadha qytetet dhe fshatrat e saj.

Kundërsulmi i saj do të diktohet nga dy faktorë. Së pari, forcat ukrainase kanë treguar një moral dhe rezistencë më të madhe në fushën e betejës. Kjo diferencë e madhe në motivim, që u pa që në ditën e parë të kësaj lufte, vazhdon që të bëjë ndryshimin.

Së dyti, ajo po nis të përdorë armët e reja perëndimore në front, dhe po gjen mënyrat për t’i përfshirë ato në planet e saj operacionale. Aktualisht, ukrainasit nuk janë në gjendje të nxitojnë të ndërmarrin sulme frontale. Ata ka të ngjarë të mbështeten në dëmtimin e vazhdueshme të forcave ruse të vijës së përparme të frontit përmes zjarrit të artilerie dhe operacioneve guerile pas linjave të armikut (si ato që janë raportuar tashmë në Kherson) për të dobësuar forcën dhe moralin e ushtrisë ruse.

Rusët po përballen me shumë presione, pasi kanë harxhuar shumë burime dhe kanë humbur shumë trupa. Dhe presionet ndaj ekonomisë nuk do të pakësohen. Ukraina mund të fitojë, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. Në këto momente Zelensky nuk ka asnjë interes për një armëpushim që çimenton situatën aktuale. Për të, diplomacia do të hyjë në lojë, vetëm kur të ketë të paktën një rikthim në pozicionet e 23 shkurtit.

 

Demokratët bëjnë analizën e humbjes në zgjedhje!

Arsyet pse Kamala Harris nuk fitoi garën presidenciale

Shpenzime marramendëse dhe dështim zgjedhor

Si u shpenzuan 1.6 miliardë dollarë në fushatën e Harris

Nga “Marco i vogël” në Sekretar Shteti në SHBA

Çfarë e pret Berlinin e Brukselin nën një mandat të Rubios?