Afro 3 vjet pas tërmetit, më pak se gjysma e familjeve të mbetura pastrehë në Durrës i janë kthyer normalitetit, ndërsa vijon puna për rindërtimin e objekteve të dëmtuara.
“Nga fillimi i programit të rindërtimit kur numri ishte mbi 6000, aktualisht janë 3200-3300 familje, që do të thotë se një pjesë e madhe e të pastrehëve i është kthyer normalitetit. Kemi ndërhyrë në shumë objekte private dhe publike në njësinë tonë të QV”, tha Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
Gjatë një përballjeje me shoqërinë civile dhe qytetarët, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi se programi i rindërtimit mbetet prioritet i punës së bashkisë, ndërsa nevojat e qytetit për specialistë në sektorin privat të shërbimeve, po dhe për infrastrukturë e hapësira publike janë të mëdha.
“Në programin tim është rikthimi i publikes te qytetarët. Nëse sot kemi hapësira të zëna në mënyrë ilegale, a të padrejtë, po punojmë për kthimin brenda verës, të hapësirave publike të zaptuara te qytetari dhe rigjenerimin e tyre në hapësira plot gjelbërim”, shtoi më tej Sako.
Duke pranuar sfidën e menaxhimit të mbetjeve urbane gjatë sezonit turistik, Sako deklaroi se ky vit do të ofrojnë një sezon turistik më të pastër dhe me infrastrukturë më të mirë.
Ndërkohë të rinjtë pjesëmarrës në takim kërkuan ndërhyrjen e bashkisë për shërbim cilësor dhe në kohë në transportin urban, vënien në funksion të kartës së studentit dhe mbështetje konkrete për hapjen e qendrave rinore që mungojnë në Durrës.
Në fund të takimit u nënshkrua dhe kontrata sociale mes kryetares së bashkisë dhe qendrës për zhvillim të shoqërisë civile, si një detyrim për t’u zbatuar nga ana e bashkisë për periudhën në vazhdim.