MENU
klinika

Harta e re gjyqësore

Avokatët nisin javën e tretë të bojkotit!

27.06.2022 - 10:48

Në javën e tretë të bojkotit të seancave nga ana e avokatëve, Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë asnjë hap pas për t’u tërhequr nga miratimi i hartës së re gjyqësore që i shkurton vendit 18 gjykata, duke lënë një sërë qytetesh të mëdha pa institucione të tilla.

Edhe këtë javë, protesta e avokatëve do të vazhdojë. Kështu, avokatët e Gjirokastrës dhe ata të Lezhës thanë se do të bojkotojnë seanca gjyqësore për sa kohë institucionet përkatëse nuk ka pasur asnjë reagim për kërkesat e tyre.

PROTESTA NË LEZHË

Edhe Dhoma e Avokatisë në Lezhës, ku janë zhvilluar edhe protestat më të shumta përgjatë këtyre ditëve, ka paralajmëruar se do të bojkotojë seanca gjyqësore. Gjatë mbledhjes së Kryesisë, është vendosur siç thuhet në reagim, me unanimitet për vazhdimin e bojkotit. “Duke mbajtur në vëmendje se nga kjo hartë e re e propozuar për miratim, Dhomës Vendore Lezhë i mbyllen tri gjykata të Shkallës së Parë (Gjykata e Krujës dhe ajo e Kurbinit , si dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë) dhe një gjykatë Apeli (Gjykata e Apelit Shkodër), si rrallë ndonjë dhomë tjetër. Të vetëdijshëm se sa të rënda do të jenë problemet që kjo hartë do të shkaktojë për qytetarët, ne vendosëm t’i qëndrojmë kërkesave tona të artikuluara me shkrim dhe publikisht”, thuhet në reagim.

Dhoma e Avokatisë në Lezhë ka vendosur të bojkotojë seanca gjyqësore deri më datë 1 korrik, pra gjatë gjithë kësaj jave, duke paralizuar të gjitha proceset gjyqësore në gjykata dhe administrative. Kjo Dhomë ka shpallur edhe bojkotin se seancave gjyqësore për masë sigurie, çka do të thotë se të arrestuarit rrezikojnë lirimin nga qelitë nëse ndaj tyre nuk merret masë brenda 48 orëve. “Të shpallë bojkotin e masave të sigurimit personal në datat 28, 29, 30 qershor, 1 korrik 2022 në të tre gjykatat që përfshin juridiksioni i Dhomës Vendore të Avokatisë Lezhë, si dhe Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Tiranë”, thuhet më tej. Nga ky vendim për bojkot përjashtohen proceset me objekt “Sigurim Padie”.

Çfarë parashikon harta e re gjyqësore

Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi hartën e re gjyqësore më 28 dhjetor të vitit të shkuar, ku parashikohet që në të gjithë vendin të ketë 12 gjykata të Shkallës së Parë, një gjykatë Apeli dhe dy gjykata Administrative të Shkallës së Parë. Kjo nismë u ndërmor për shkak të kolapsit në gjykata si pasojë e procesit të vetingut.

Ndërkohë, Gjykata e Matit do i bashkohet Dibrës; gjykatat e Kavajës dhe Krujës do t’i bashkohen Durrësit; Gjykata e Lushnjës do të shkojë në Fier; Gjykatës së Gjirokastrës do t’i bashkohen gjykatat e Sarandës dhe Përmetit; Tropoja do bashkohet me Gjykatën e Kukësit; Pogradeci me Gjykatën e Korçës; Kurbini do t’i bashkohet Gjykatës së Lezhës dhe Gjykata e Pukës do të bëhet pjesë e Gjykatës së Shkodrës. Ndërkohë, do të ketë vetëm dy Gjykata Administrative, një në Tiranë që mbulon veriun dhe tjetra në Lushnje që mbulon Jugun, ndërsa Apeli Administrativ do të jetë një e vetme në kryeqytet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bojkotojnë seancat gjyqësore:

Harta e re gjyqësore, avokatët në grevë

Jo hartës së re gjyqësore

Avokatët vazhdojnë protestën në Krujë