MENU
klinika

Mbushin plot plazhet dhe parqet

Kievi gëzon lirinë! Ukrainasit harrojnë luftën

12.06.2022 - 14:31

Ditën e shtunë, banorët e Kievit kanë shfrytëzuar në maksimum temperaturat e larta deri në 34 gradë Celsius, duke shijuar rrezet e diellit në plazhin qendror të qytetit.

Duket se ata po shijojnë paksa liri vetëm disa javë pasi kryeqyteti i Ukrainës u rrethua nga ushtria pushtuese ruse dhe sulmet me raketa që rrafshuan ndërtesat dhe vranë civilë.

Fotografitë nga brigjet e lumit Dnieper që rrjedh përmes Kievit, treguan qindra njerëz që rrinin në diell dhe notonin. Gjithashtu kishte të tjerë që luanin volejboll apo thjesht kishin dalë për një shëtitje.

Kujtojmë se në fillim të këtij viti, nga ky qytet vinin pamje ku tymi ngrihej mbi horizont ndërsa predhat ruse bombarduan Kievin. Gjithashtu ushtarët ukrainas dhe vullnetarët luftuan për të mbajtur sa më larg e mundshme pushtuesin nga qendra e qytetit.

Madje në atë kohë bora mbulonte pjesën më të madhe të qytetit. Por tani që ka ardhur vera, parqet janë mbushur plot, pasi ushtritë e presidentit rus, Vladimir Putin, u larguan nga kryeqyteti dhe u vendosën në Ukrainë lindore.