Giacomo Vrionit i ka mjaftuar viti në Austri për të konfirmuar se është gati për hapin e rëndësishëm në karrierën e tij. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, pjesë e ekipit U23 të Juventusit, duket se do të qëndrojë në Itali pas kthimit nga huazimi, për të luajtur tashmë në elitë.
Për të ka pasur shumë interes nga jashtë Italisë, por edhe nga klube elitare në këtë vend me një syresh i cili është në avantazh ndaj të tjerëve si preferencë e lojtarit dhe për këtë arsye ka nisur diskutimet me Juventusin.
Bëhet fjalë për Sampdorian, klub në radhët e të cilit Vrioni ka qenë si futbollist në ekipet e moshave. Vrioni është gati të kthehet atje, për të treguar vlerat e tij këtë herë në Serinë A.
Zëvendëspresidenti i Sampdorias, Antonio Romei, ka nisur personalisht negociatat me Juventusin për të siguruar firmën e sulmuesit, pasi ka marrë nga ky i fundit një përgjigje pohuese për mundësinë që të transferohet te kjo skuadër.
Diskutimet vazhdojnë por duket se Juventusi dëshiron që ta lejojë Vrionin vetëm në huazim dhe jo të heqë dorë nga kartoni i tij. Pritet që palët të takohen përsëri për të finalizuar këtë marrëveshje.