MENU
klinika

Përmirësim i raporteve me Maqedoninë e Veriut?

Kriza politike shtyn Bullgarinë drejt ndryshimit

15.06.2022 - 10:29

Kriza politike në rritje në Bullgari veçse ka sinjalizuar pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjate për ekonominë e këtij shteti dhe partnerët e tij evropianë. Por, çfarë mund të prisni kur inflacioni i lartë, pandemia e pamëshirshme dhe kërcënimi se shteti mund të tërhiqet në një luftë rajonale komplikohet edhe më shumë nga një faktor i katërt?

Javën e kaluar, Slavi Trifonov, njoftoi se partia e tij, Ka një popull të tillë, po tërhiqej nga koalicioni qeverisës, që ka marrë detyrën gjashtë muaj më parë. Ai tha se arsye për këtë ishin dështimet e supozuara politike mbi Maqedoninë e Veriut, procesi i së cilës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është bllokuar nga Sofja për shkak të çështjeve etno-kulturore. Trifonov po ashtu tha se tërheqja po bëhej për shkak të fondeve të pamjaftueshme për infrastrukturë.

Por, rezultatet e këtij vendimi do të ndihen edhe në sektorë të tjerë, teksa bota po përballet me kriza të shumëfishta dhe skena politike në Bullgari po shkon drejt një pike kthese.

Qeveria e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, nuk ka rënë, por mbështetja parlamentare është dëmtuar mjaftueshëm dhe është çështje kohe para se ekzekutivi të bie.

Çfarëdo që të ndodhë në ditët dhe javët në vijim, disa gjëra janë të sigurta: Bullgaria ngadalë po shkon drejt miratimit të përdorimit të valutës së euros; shpresat për përmirësimin e raporteve me Maqedoninë e Veriut po shuhen; dhe qëllimet për funksionimin e komisionit anti-korrupsion dhe reformave gjyqësore që një kohë të gjatë nuk janë realizuar.

Të gjitha këto veprimeve që do të ishin të paimagjinueshme nën çdo qeveri bullgare në 20 vjetët e kaluara. Më herët gjatë këtij muaji, Bullgaria ia mohoi mundësinë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të vizitonte Serbinë duke ia ndaluar fluturimin dhe duke qëndruar besnik ndaj sanksioneve të BE-së dhe duke e zemëruar Moskën. Javë më parë, kompania shtetërore ruse Gazprom, ndërpreu furnizimet me gaz për Bullgarinë pasi Sofja refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar për këtë produkt me rubla, që nënkuptonte shkelje të kontratave për furnizim.

Por, asnjëra nga këto nuk shkaktoi krizë, pasi Qeveria bullgare aktualisht po negocion furnizimet alternative të gazit dhe është duke përfunduar një tubacion “ndërlidhës” me Greqinë, që do të ndihmojë në eliminimin e varësisë së Bullgarisë nga gazi natyror rus. Dhe pavarësisht thirrjeve nga disa politikanë për negociata ose koncesione me Moskën, Qeveria e Petkovit ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë marrëveshjeje të re me Gazpromin pasi kontrata aktuale të skadojë në fund të këtij viti.

Por, ky qëndrim ndoshta nuk është mirëpritur nga disa anëtarë të partisë Ka një popull të tillë. Zëvendësministri i Energjisë, Plamen Danailov, i tha Euronews Bulgaria më 11 qershor, se partia e tij ka insistuar në “një qasje më të balancuar” dhe shtyrjen e ndonjë refuzimi kategorik të furnizimeve me gazin rus. Më vonë, ministri i Energjisë, Alexander Nikolov, po ashtu nga partia Ka një popull të tillë, hodhi poshtë idenë se kundërshtimet e tilla qëndronin pas vendimit të partisë për t’u larguar nga koalicioni qeverisës.

Por, disa ligjvënës nga partia e Petkovit, Ne vazhdojmë ndryshimin, veçse kanë nisur që nëpër rrjetet sociale t’iu referohen partnerëve nga Ka një popull të tillë me fjalët “njerëz të Gazpromit” dhe ministri i Transporti, Nikolay Sabev, ka pyetur “a po zihet një koalicion i Gazpromit?”.

Vendimi i Ka një popull të tillë ose do të dobësojë aftësinë e Qeverisë për të gjetur alternativa të reja të furnizimeve energjetike për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus, ose do të çojë drejt formimit të një qeverie të re me prioritete të reja, që do të sillej më mirë ndaj Moskës.

Ky është ndoshta një lajm i keq për mbështetësit e rrugës pro-evropiane të Bullgarisë.

Shpërndarje e re e pushtetit

Të katër ministrat qeveritar të partisë, Ka një popull të tillë, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, dorëheqje që do të varen nga pranimi zyrtar nga ana e kryeministrit dhe më pas propozimet e Petkovit në Parlament për zëvendësimin e tyre.

Por, ndryshimi veçse ka filluar.

Tri partitë që kanë mbetur në koalicion janë pakicë në Asamblenë Kombëtare, Parlamentin njëdhomësh të Bullgarisë, dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje që të vetëm të miratojnë vendime. Partitë Ne vazhdojmë ndryshimin, Partia Socialiste Bullgare dhe Bullgaria Demokratike kontrollojnë vetëm 109 ulëse të Parlamentit, apo 11 më pak për të krijuar shumicën në Parlamentin me 240 deputetë.

Deputetët e Ka një popull të tillë tashmë kanë nisur të votojnë sikurse opozita.
Petkov është shprehur se ai pret të bindë 12 deputetë të Ka një popull të tillë për të votuar amendamentet buxhetore në kohë me qëllim që të rregullohen pensionet verore dhe çështjet tjera urgjente, por një gjë e tillë nuk është aspak e sigurt se mund të ndodhë.

Por, më 13 qershor, ministri në largim i Sportit, Radostin Vassilev, njoftoi se edhe pesë deputetë të Ka një popull të tillë po largohen nga partia dhe pritet që të njëjtit ta mbështesin Qeverinë.

Partitë opozitare GERB (me 59 deputetë), Lëvizja për të Drejta dhe Liri (me 34 deputetë) dhe Rilindja (me 13 deputetë), në total kanë 106 ulëse në Parlament. Partitë opozitare e kanë paralajmëruar Petkovin se nuk do të fitojë asnjë mbështetje nga deputetët opozitarë.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, ndërkaq i ka bërë thirrje partive parlamentare që urgjentisht të formojnë një shumicë të re.

Të gjitha këto çojnë në një prej tre mundësive. Qeveria e Petkovit mund të qëndrojë së bashku me ndërlikimet e mundshme të një opsioni të tillë. Ligjvënësit mund të arrijnë që të krijojnë një shumicë të re për një ekzekutiv pasardhës nëse Qeveria e Petkovit bie. Ose Radev mund të emërojë një kabinet të përkohshëm përpara zgjedhjeve të reja.

Asnjëra nga këto tri opsione nuk ka gjasa të bindë askënd se ndryshimi politik i nisur nga largimi i partisë, Ka një popull të tillë, është një lajm i mirë për të ardhmen pro-perëndimore të Bullgarisë.

Ëndërrta për euron

Në fund të majit, Qeveria e Petkovit nisi zbatimin e një plani operacional për të miratuar valutën e përbashkët të Eurozonës duke filluar nga janari i vitit 2024. Por, vendimi ishte marrë pa votat e partive të koalicionit, Socialistëve dhe Ka një popull të tillë. Këto dy parti mbështesin miratimin e valutës së përbashkët evropiane, por fillimisht duan që të shohin analiza për pasojat e mundshme të përdorimit të valutës euro.

Ligjvënësit nga partia Ka një popull të tillë e Trifonovit, kanë dorëzuar propozime për pezullimin e këtij plani deri kur Asambleja Kombëtare të miratojë analizat për efektet lidhur me kalimin e përdorimit të euros. Deputetët e partisë opozitare, Lëvizja për të Drejta dhe Liri, në anën tjetër nuk e kanë kundërshtuar këtë qëndrim, por kanë kërkuar qartësi. Partia Rilindja ndërkaq është shprehur kundër miratimit të vendimit për përdorimin e valutës euro.

Plani qeveritar parasheh hapa specifikë për shtetin deri në miratimin e euros, përfshirë ndryshimin e ligjeve dhe udhëzuesve për bankat dhe institucionet qeveritare. Një punë e tillë teknike merr kohë. Nëse Qeveria rrëshqet nga respektimi i kujdesshëm i hapave të këtij plani, objektivi i janarit 2024 mund të humbet lehtësisht.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Konvergjencën, i publikuar më 1 qershor, thotë se aktualisht vetëm Kroacia përmbush të gjitha kërkesat që e lejojnë atë të miratojë valutën e përbashkët në fillim të vitit të ardhshëm. Bullgaria ende nuk e ka përmbushur kriterin e stabilitetit të çmimeve – do të thotë vuan nga inflacioni i tepërt – dhe nuk ka miratuar ende rregullat e nevojshme ligjore.

Çdo qeveri e dobësuar, ose një qeveri e re që do të ishte më skeptike ndaj valutës euro, ka të ngjarë që të ngadalësojë procesin dhe kështu të parandalojë që Bullgaria të arrijë objektivin e saj për vitin 2024.

Fqinji maqedonas

Tifonov, përmes një video-mesazhi, ka njoftuar për tërheqjen e partisë së tij, Ka një popull të tillë, nga Qeveria duke theksuar se “se janë dy arsye pse koalicioni nuk po funksionon dhe pse ne nuk kemi vend në të: Maqedonia dhe fakti që nuk ka më para në këtë shtet”.

Ai e ka akuzuar Petkovin për “tradhti të lartë” dhe për ndjekjen e një politike të ndryshme nga ajo që është miratuar nga Asambleja Kombëtare. Të dy këto akuza rrjedhin nga vetoja e Bullgarisë që nga viti 2019 për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Genchovska, po ashtu nga Ka një popull të tillë, ka thënë se është përjashtuar nga takimet për këtë çështje, që Petkov ka diskutuar me liderët evropianë për hapat e mundshëm drejt largimit të vetos bullgare.

Petkov është përgjigjur se akuzat e Genchovskas janë “lajme të rreme”. Më 9 qershor, ai u takua në Sofje me komisionarin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, dhe të dy liderët kanë insistuar se nuk ka pasur marrëveshje për heqjen e vetos. Petkov ka shtuar se po punonte për ta bërë BE-në garantuese të kërkesave të Bullgarisë, përfshirë edhe futjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase, dhënien fund të gjuhës së urrejtjes dhe qartësimit të mosmarrëveshjeve historike midis Sofjes dhe Shkupit. Më 11 qershor, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha po ashtu se ende nuk ka marrëveshje për këtë çështje. Ndërkaq, presidenti bullgar Radev, tha më 9 qershor se ishte detyrë e Qeverisë për të “mbajtur në fuqi veton”.

Në situatën aktuale të Bullgarisë, shanset për një përparim dhe përmirësim të raporteve midis Sofjes dhe Shkupit me gjasë po pakësohen. Qeveria ka të ngjarë që nuk do të gjejë kohë e as mbështetje për të vazhduar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për çështjen maqedonase.

Luftimi i korrupsionit

Qeveria e Petkovit erdhi në pushtet me zotimin për të luftuar me vendosmëri korrupsionin, për të hequr nga detyra prokurorin e Përgjithshëm, Ivan Geshev dhe kreun e Komisionit Anti-korrupsion, Sotir Tsatsarov. Po ashtu u zotua se do të forcojë fuqitë e komisionit. Dorëheqja e Tsatsarovit erdhi e para.

Më 9 qershor, një projektligj për të zgjeruar fuqitë e Komisionit Anti-korrupsion u dorëzua në Parlament. Deputetët e partisë Ka një popull të tillë kishin kritika të ashpra dhe akuzuan Petkovin se po tenton që ta instalojë “Geshevin e tij”. Ligjvënësit nga partia Ne vazhdojmë ndryshimin, me gjasë e panë këtë si sulm politik nga ish-partnerët e koalicionit dhe i akuzuan ata se po e sabotonin këtë përpjekje.

Sido që të jetë e vërteta, rezultati është i qartë: reformat anti-korrupsion do të jetë vështirë që të kalojnë sepse Qeveria ka humbur shumicën. Pa kontrollin e Asamblesë Kombëtare, ata nuk do të jenë në gjendje të emërojnë anëtarët e nevojshëm të Këshillit Suprem Gjyqësor, që sipas Kushtetutës është i vetmi organ që mund ta shkarkojë prokurorin e Përgjithshëm Geshev. Fundi i pasjes së shumicës nga Petkov nënkupton edhe fundin e premtimeve për reformën në gjyqësor.

Koha është gjithçka

Kriza politike në Bullgari shpërtheu tri muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Sofja e ka mbajtur anën e Kievit dhe ka riparuar tanket e dëmtuara ukrainase në fabrikat bullgare. Rezistenca e koalicionit të Socialistëve e ka penguar Bullgarinë që zyrtarisht të kontribuojë me armë, por prodhuesit bullgarë të armëve po eksportojë në sasi të mëdha armë në shtetet që e mbështesin Ukrainën me armatim.

Sofja po ashtu ia ndaloi fluturimin avionit të Lavrovit dhe i ka rezistuar presionit të Gazpromit për të injoruar sanksionet e BE-së.

Në atë kohë, Petkov gjithashtu u fut në një “luftë për kufirin”, siç e ka përshkruar ai. Qeveria e tij tërhoqi mbështetjen për një marrëveshje dhjetëvjeçare që dorëzonte inspektimet fitosanitare të importeve të ushqimit nga Turqia në një laborator privat. Objekti kyç i këtij inspektimi, në Kapitan Andrev, është një portë që përdoret nga Turqia, që nuk është anëtare e BE-së.

Ligjvënësit nga Ne vazhdojmë ndryshimin thanë se me këtë marrëveshje janë vënë në rrezik 107 deri në 160 milionë të hyra vjetore.

Disa zyrtarë thanë se mosmarrëveshjet kanë dalë për shkak të lidhjeve të partisë Ka një popull të tillë ose tentativave të supozuara për ryshfet, megjithëse bashkëthemeluesi i partisë së Trifonovit ka mohuar çdo lidhje me skandalin e inspektimeve.

Zëvendëskryetari i Parlamentit Bullgar, Atanas Atanasov, nga Bullgaria Demokratike, po ashtu ka pretenduar se “shërbimet e posaçme ruse” aktualisht po kryejnë “një operacion intensiv” në Bullgari për të “rrëzuar Qeverinë e Republikës”.

Cilado qoftë arsyeja specifike e çdo sulmi të supozuar ndaj Qeverisë, tabloja e madhe mbetet e pandryshuar: Bullgaria po bën në kthesë dhe nuk është drejt Perëndimit./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Negociatat vinë bashkë me projektin ekonomik

“Do t’i përshpejtojmë proceset integruese për Ballkanin”

Sarrazi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

“Gjermania duhet të kthejë besueshmërinë që humbi BE”