MENU
klinika

Me 78 vota PRO

Kuvendi zgjedh Bajram Begajn President të Republikës

04.06.2022 - 19:35

Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim. Për zgjedhjen e Presidentit të ri, 83 deputetë të Kuvendit kanë marrë pjesë në votim.

Kandidatura e Bajram Begajt për president, e firmosur nga 37 deputetë të Partisë Socialiste, është mbështetur gjatë seancës plenare të ezaurimit të raundin e katërt.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka gjatë fjalës së saj në Foltoren e Kuvendit është shprehur se Begaj plotëson kriteret formale, kushtetuese dhe ligjore.

26 deputetë të opozitës kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, së bashku me aleatët.

Edhe pse nuk u arrit një konsensus me opozitën për një kandidat të përbashkët, Kryeministri Rama tha më herët se i gëzohet faktit që Begaj ishte një figurë që u zgjodh konsensualisht nga kryesia socialiste.

Kujtojmë se Begaj është liruar nga radhët e ushtrisë pasi Presidenti Meta firmosi dekretin për dorëheqjen e tij nga Stambolli, ku gjendet për një vizitë dhe e postoi momentin e hedhjes së firmës në rrjetet sociale.
Kush është Bajram Begaj?

Gjeneral Major Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967 në Rrogozhinë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai u diplomua për Mjekësi të Përgjithshme në vitin 1989 dhe në vitin 1998 u bë oficer aktiv si mjek. Ka mbajtur poste dhe detyra në nivele të ndryshme komanduese. Ai ka qenë shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Bajram Begaj është diplomuar për Studimet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Shkollën e Avancuar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe Specializimin Pasuniversitar në Tiranë. Në SHBA ka ndjekur kursin strategjik të udhëheqjes mjekësore.

Gjithashtu, ka ndjekur kursin e lartë në SHBA në Shkollën Pasuniversitare Detare për menaxhimin e mbrojtjes, si dhe ka kualifikime të tjera ushtarake. Flet rrjedhshëm anglisht dhe është vlerësuar me disa medalje gjatë karrierës së tij ushtarake.