Një temë e rrahur gjerësisht në Perëndim, si në letërsi edhe në filozofi, gjatë mesjetës. Një adresë psikologjike e përtej normales, një manifest ndryshe i (ç)mendjes që është shndërruar me kohën në shfaqje për ta kundruar. Në muzikë, “La Folia”, etiketon një copëz marrëzi, me madhështinë e autorëve kompozitorë të tillë të mëdhenj, si Vivaldi, apo Arkangjel Corelli – ky i fundit, me një nga përpunimet më të mira. “La Folia” hyn mes atyre motiveve muzikore ndër më jetëgjatat, që shenjon në planin etik Perëndimin e paraarsyes. Ajo shkon larg në kohë, në shekullin e 15-të, te fshatarët portugezë që i dhanë asaj konturet e para.
Shkrimtari Covarrubias, shkruan për “Codice No 4” të Santiago de Murcia, se “La Folia” është shumë e mërzitshme… kërcimtarët, “bënin gjeste që zgjonin sensualitetin“. Një lloj ceremonie dioniziake në mesjetë, që afirmon një psikë të përbashkët njerëzore.
Një shekull pas shpikjes, “La Folia” u përhap në Spanjë, mandej në Mesdhe
Një ndër arsyet e përhapjes ishte fakti se, shumë prej këngëtarëve dhe muzikantëve në Vatikan, ishin spanjollë. Shekulli i 17-të i dha kulmin motivit në fjalë. Bach dhe Handel, përdorën temën në fjalë, por pa e cilësuar se bëhej fjalë për një motiv të vjetër.
Mes viteve 1670-1700, copëza që huazonin nga “La Folia” u printuan nga Zaragoza, në Berlin dhe Oxford.
Më 1760, ajo arriti në Meksikë dhe Bolivi. Rreth viteve 1710, rreth 20 kompozitorë u përpoqën ta përpunojnë, nga Vivaldi te Corelli. Përpjekja e Corellit ishte veçanërisht spektakolare: 11 minuta dhe 23 variacione të kordës origjinale. Nuk është çudi që nxënësit e violinës, duhet të mësonin “La Folia” të Corellit, përpara se të bënin ndonjë gjë tjetër.
Rruga e saj nuk u ndal, në baladat politike suedeze dhe operat angleze, për të pësuar një eklips bashkë me barokun. Ajo u bë frymëzim për gjenitë, si: Beethoven, Brahms, Liszt dhe Rachmaninoff, ky i fundit duke besuar se Corelli ishte autori. Tema është gati e universalizuar në ndikimin që ushtron në veshët e atyre që e dëgjojnë, apo pëlqejnë. Ajo depërtoi në film si kolonë zanore, si ilustrim dinamik i «ngjarjeve».
Një version i saj u përdor në “Familja Adams”. Në filmin 1492, tema kryesore është version i “La Folia”.
Pse ecën një temë muzikore? Pse nuk vjetërohet, pse mbetet moderne?
Përsëritja e popullarizon muzikën, e bën atë të ngjajë të pakohshme, e megjithatë, rimarrja e saj nga kompozitorë të ndryshëm provon se ka diçka gjeniale, diçka gati-gati sublime në këtë motiv që evokon një frikë njerëzore, si emër, por që plotëson humanen dhe iracionalen, pasionin e madh të jetës.
“La Folia” – “Marrëzia”, “Çmenduria”, është njerëzore, nuk lidhet me një vend dhe një kohë, ajo është pasqyra e Njeriut, i cili, modernitetin e ka kanalizuar edhe si korrigjim të vetes përmes Arsyes, racionales, duke krijuar kështu një android që artificializohet mbi Njerëzinë.