“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Jam dobësuar shumë. Jam 25 vjeçe dhe dukem si plakë. Nga dobësia mendoj. Fytyra dhe gjithë trupi duken si të përtharë. Nuk mund të shëndoshem edhe po të ha mjaftueshëm.
Mjeku: Vajza ka lënë shumë gjëra pa shpjeguar për veten. E para, sa kile ka rënë? Nëse rënia ka qenë drastike, atëherë sigurisht që kanë humbur shumë lëngje në trup. Humbja e lëngjeve të trupit dhe shkrirja e dhjamit në mënyrë drastike bën që trupi të rrudhet.
Jo vetëm në rastin e vajzës, por në përgjithësi, kur dikush do të bjerë nga pesha, duhet të shoqërojë atë me aktivitet fizik, pasi në këtë mënyrë e mban trupin në tonus për të mos u rrudhur. Në të kundërt, do të ketë rrudhje të lëkurës nga rëniet drastike. Kjo është një nga arsyet pse ne si mjekë shpesh bëjmë thirrje që dietat drastike janë të rrezikshme për trupin. Sigurisht që rënia e menjëhershme mund të duket komode, por nga ana tjetër dëmet që sjell në shëndetin e lëkurës janë të mëdha. Sidomos për personat që nuk lëvizin dhe që me dietat e tyre vetëm dobësojnë muskulin e si rrjedhojë rrudhin edhe lëkurën.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.