MENU
klinika

‘Ja si Meta rrezikonte të arrestohej të shtunën në Turqi’

Ngjela: Të korruptuarrit në Shqipëri i kanë kthyer sytë nga Moska

08.06.2022 - 09:23

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend dhe jo vetëm. Gjatë një interviste për gazëtën “SOT”, avokat Ngjela zbuloi se zgjedhja e Bajram Begajt si Presdient i Shqipërisë ishte një propozim i amerikanëve, ndërsa theksoi se mazhoranca socialiste ishte e “dënuar” të votonte pro tij, pasi u kap gafil nga Uashingtoni. Duke komentuar situatën në Partinë Demoraktike, zoti Ngjela akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po “pushton” PD-në për interes të tij, ndonëse shprehu bindjen se ish-lideri demorkat është në fund të rrugëtimit të tij politik. Madje, duke iu referuar klasës politike në vendin tonë, ai shtoi se të korruptuarrit në Shqipëri i kanë kthyer sytë nga Moska, pasi sipas tij, janë të rrezikura nga drejtësia e re e sidomos nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

-Zoti Ngjela, këto ditë në media është bërë një deklaratë nga gazetari Artan Hoxha, i cili ka thënë se i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar se presidenti Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti. Cili është komenti juja?

Ato janë çështje të hetimit, hetimi duhet që t’i çojë deri në fund. Mesa po shohim ka pasur një konflikt midis tyre, por tani ngelet që të shohim sepse ajo është çështje e hetimit, jo çdo rrëfim i të penduarit ka vërtetësi absolute, megjithatë është profesionalizmi i hetimit që duhet ta zgjedhi këtë në funksion të së vërtetës.

-Pak ditë më parë mazhoranca zgjodhi edhe presidentin e ri gjeneral Bajram Begajn. Si e shihni këtë zgjedhje?

Zgjedhja e presidentit të ri nuk është se ka qenë krejtësisht në dorë të mazhorancës sepse kuptohet që është një kandidaturë që ka ardhur nga Uashingtoni. Por, ajo që besoj se është më e rëndësishme dhe që është në favor të çështjes shqiptare për Ballkanin Perëndimor është se ai ka qenë gjeneral, ka qenë shef i shtabit të ushtrisë, por edhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë dhe tani është president. Mos të harrojmë edhe një gjë se këtu në vendin tonë ka rreth 8 mijë trupa amerikan dhe të gjitha këto na japin mendimin që janë në favor të Shqipërisë dhe të shohim se si do të ecin ngjarjet. Edhe arrestimi i njerëzve të fuqishëm këtu që janë të korruptuar është një çështje e rëndësishme dhe jo aq e lehtë, sepse ata kanë lidhje me kundërshtarët e Shqipërisë. Korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar ka qenë i lidhur në Beograd dhe në Moskë, kjo dihet, por në këto momente marrja e masave të tilla na shton mendimin që kjo çështje e antikorrupsionit në Shqipëri do të shkoj deri në fund.

-Kur u votua për presidentin e ri Lëvizja Socialiste për Integrim qëndroi në sallë, ndërsa Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha u largua. Cili është komenti juaj?

Sali Berisha nuk di të bëjë politik. Ai nga këto që po bënë këto kohët e fundit dhe ato që ka bërë më parë nëse e sheh me vëmendje nuk është një njeri i pavarur, ai varet nga diku tjetër, por fatkeqësi për të. Ato janë brenda natyrës së Saliut që kur ka ardhur në pushtet, këto i ka pasur të tijat. Por, e rëndësishme të thuhet është se pse pjesa tjetër e Partisë Demokratike nuk nxori kandidaturën e vet, duhet që ata të kishin nxjerr kandidaturën e vet. Nuk ka zgjedhje në Parlament kur nuk shkon kandidatura me 20 firma. Çfarë do t’u kushtonte atyre që të kishin nxjerr një kandidaturë me 20 firma dhe ta hidhnin në Parlament? Mendoj se kjo do ta vinte në vështirësi të madhe Ramën dhe do ta detyronte Partinë Socialiste që të diskreditohej dhe çështja do të ecte më ndryshe, por ata nuk e bënë këtë gjë dhe kjo tregon se nuk janë shumë të disponuar për interesin e Shqipërisë

-Duket se ka nisur një sherr midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit i kërkoi presidentit që të mos dekretoj shkarkimin e presidentit të ri nga posti që ai ka pasur. Si e komentoni?

Saliu nuk e njeh ligjin, ai kujton se mund të eci në bacën time dhe të shkel të gjitha prodhimet e mia pa i hyr asnjë gjemb në këmbë, në raste se Meta do të kishte bërë këtë mund të arrestohej në flagrancë se është shkelje e rëndë e ligjit drejt destabilizimit të vendit, po ai kishte aq jurist sa ti thoshin që kjo gjë nuk bëhet. Kompetencat e presidentit janë substanciale dhe formale, dhe substancialja është kur vendos vetëm ai, por në këtë rast nuk ishte ai që vendoste për të zgjedhur presidentin por ishte Parlamenti. Meta nuk kishte lidhje me presidentin, por kishte lidhje që presidenti do të jepte dorëheqjen si përfaqësues i ushtrisë, nëse Meta s’pranonte do të bënte vepër penale.

-Në fakt, ka pasur shumë debate lidhur me firmosjen e dekretin nga presidenti Meta për presidentin e ri, nëse ishte i ligjshëm ose jo duke qenë se ai e firmosi jashtë vendit. Cili është opinioni juaj lidhur me këtë?

Firma e presidentit është vullneti i tij, por në këtë rast nuk është se e ka firmosur në rrugë dhe e ka dërguar në Presidencë, por ai e ka firmosur në konsullatën shqiptare në Stamboll dhe është territor shqiptar, sepse territori ku janë ato është territori i shtetit që ato përfaqësojnë.

-Sa është mundësia sipas jush, që ish-kryeministri Sali Berisha të vij në krye të Partisë Demokratike, edhe pse një gjë e tillë ka ndodhur, por që nuk ka folur ende gjykata?

Ajo që analizohet në këto raste është se ai s’ka deputet, sepse deputetët i ka pjesa tjetër dhe ka grup parlamentar, këta nuk kanë grup parlamentar. Pjesa tjetër nuk ka hyr në zgjedhjet e Partisë Demokratike, pra është fantazmë. Kështu që, do të shohim sa aftësi juridike do të ketë lidershipi i Partisë Demokratike ligjore, sepse partia nëse s’ka një vendim gjykate nuk është ligjore. Kryetar i grupit Parlamentar konsiderohet Alibeaj, pra grupi parlamentar ka një numër të caktuar dhe ata nuk kanë ata numër deputetësh që të krijojnë një grup parlamentar. Një njeri si Saliu që bënë këto gjëra është antikombëtar nuk i bënë një njeri normal këto, pastaj se si do shkoj historia e tij dhe se si do të gjykohet se çfarë fakte do të na sjellin ajo pastaj është çështje tjetër. Por, arsyeja të çon se ata janë lëvizje antikombëtare.

-Si e shihni të ardhmen e Partisë Demokratike?

Të paqartë, por këtu ne duhet që të kuptojmë një gjë se kush është përçarësi dhe rezulton që të jetë Saliu. Nuk përçahet opozita për interesin e një njeriu, i cili është në fund të karrierës së tij. Është një dëm i madh që po i sjellin të djathtës në Shqipëri, Saliu nuk është i pavarur, por është duke i bërë një dëm të madh opozitës.

-Sipas opinionit tuaj, mendoni se doja e “Gërdecit” dhe ajo e “21 janarit” janë dy dosje të cilat do të zbardhen?

Mesa di unë janë hapur, por se si do operohet kjo do ngelet për tu parë. Ato kanë qenë çështje të mbyllura sepse kanë qenë të implikuar personalitete të larta në Shqipëri, por të shohim frymën që do të sjell presidenti i ri.

-A duhet që SPAK të vijoj të godas në nivele të larta zyrtarësh duke qenë se deri më tani janë goditur disa ish-ministra?

Të shohim, sepse SPAK do të marr forcë të re me presidentin e ri. Por, ne e dimë se Ilir Meta ka qenë kundër reformës në drejtësi ka punuar me dekrete, ka krijuar tensione, por tani këtyre gjerave iu dha fund. Tani duhet që të shohim se si do ta ketë ngarkesën e vet juridike dhe kompetencën e presidentit, presidenti i ri, dhe këtë do ta shohim kur të vij në pushtet.

-Së fundi, doja t’ju pyesja lidhur me luftën në Ukrainë, duke qenë se u bënë disa muaj tashmë që Ukrainë ndodhet në luftë?

Lufta në Ukrainë po rezulton në favor të çështjes shqiptare, sepse Rusia po dobësohet shumë dhe iku miti i një fuqie të madhe, pasi Rusia dhe Beogradi janë kundërshtarët tanë shekullor. Më vjen mirë që Ukraina që po reziston dhe mendoj se do rezistojë deri në fund, Putini do eliminohet dhe thuhet se Rusia mund të shkoj drejt shpërbërjes për të formuar 2 ose 3 shtete të tjera brenda vetës së vet.