MENU
klinika

Jeruzalemi im...

Nuk pashë kurrë paqe – shuhet shkrimtari i shpresës

14.06.2022 - 15:47

          Abraham Yehoshua, shkrimtar i mirënjohur izraelit, vdiq mëngjesin e sotëm, në moshën 85-vjeçare.

“Nuk pashë kurrë, një ditë paqeje”, – do shprehej ai që besonte në paqen e mundshme, midis Izraelit dhe Palestinës./Konica.al

Për dekada, Yehoshua pati qenë një apostull i flaktë i zgjidhjes me negociata të konfliktit izraelit-palestinez, së bashku me dy shkrimtarët e famshëm izraelitë: Amos Oz dhe David Grossman. Me kalimin e kohës, që të tre u shndërruan në pikë referimi konstante për të majtën sioniste dhe opinioni i tyre pyetej shpesh – në Izrael dhe jashtë tij – për ngjarjet aktuale.

Të bisedoje me të, ishte si të lexoje një nga librat e tij të mrekullueshëm. Vëzhgonte metamorfozat e atdheut dhe shpesh të krijonte përshtypjen se kishte ndërruar mendim sa i përket zgjidhjes së ekuacionit të vështirë midis hebrenjve dhe arabëve, si dhe bashkëjetesës paqësore. Një zë i qetë, por i fortë. Çdo bashkëbisedim, çdo intervistë, dhuronte njëherazi siguri dhe pasiguri.

Mbi të gjitha shpresë.

 “Ai që nuk ndryshon mendim, është si ai marinari, që, duke mos i drejtuar si duhet velat, nuk do të arrijë kurrë në port”, i pëlqente të përsëriste. “Kur vendosa të verifikoj me ndershmëri dhe besnikëri idetë dhe opinionet që kisha mbështetur prej vitesh për tema nga më të ndryshmet, kuptova se edhe tek unë kishin ndodhur ndryshime dhe jo të parëndësishme”. 

Për Alef Bet (në Izrael e thërrisnin përzemërsisht, me dy shkronjat e para të alfabetit), kishte shumë siguri dhe pasiguri për të ardhmen e vendit të tij. Po ashtu edhe për realitetin,  mes frikës dhe shpresave, të hebrenjve të diasporës pas tragjedisë së Holokaustit. Nga mënyra e komunikimit, thuajse gjithmonë pa arrogancë dhe mburrje, ai zbulon edhe origjinën sefardite. I ati ishte profesor universiteti. Ai lindi në vitin 1936 në Jeruzalem, ku nëna ishte vendosur nga Maroku, para disa vitesh.

“Çfarë është për mua, Jeruzalemi? Është qyteti ku kam lindur. Familja ime jeton aty, që nga fillimi i shekullit. Im atë ka shkruar dymbëdhjetë libra mbi komunitetin sefarditë në Jeruzalem, duke marrë të dhëna pleqtë, duke mbledhur historitë e tyre, duke përshkruar zakonet dhe festat, veçanërisht marrëdhëniet me arabët. Në librin “Zoti Mani”, katër nga pesë protagonistët janë nga Jeruzalemi. Jeruzalemi, nuk është vetëm qyteti i fëmijërisë sime, është edhe qyteti im letrar, burimi i energjisë së nevojshme për të treguar histori”.

Autori ka shkruar edhe “Udhëtim në fund të mijëvjeçarit”, “Lavdërime normalitetit”, “Dashnori”, “Zjarri mik”, “Divorci i vonuar”, “Vajza e vetme” etj./Konica.al

Jehoshuas i pëlqente të tregonte. Por edhe të dëgjonte. […] Shkrimtari, ndoshta më shumë se kolegët e vetë, vëzhgoi metamorfozën e vendit të tij dhe shpesh linte përshtypjen e ndryshim mendjes sesi të zgjidhte ekuacionin e vështirë midis hebrenjve dhe arabëve dhe bashkëjetesës paqësore.

“Për hir të fëmijëve tuaj, për hir të fëmijëve tanë, ju lutemi kolonëve të tregojnë guxim dhe mençuri dhe të kthehen vullnetarisht në shtetin e Izraelit”.

Në nëntor 2000, midis një intifade dhe një tjetri, ai bëri një thirrje të përzemërt, të botuar në të mirënjohurën “Yediot Aharonot”. “Shumica mendojnë se rrezikoni veten për hiçmosgjë dhe me kokëfortësinë tuaj të pashpresë për të lënë shtëpitë e origjinës në Izrael dhe për t’u vendosur në zemrën e popullatës palestineze, me rrjetat e rrugëve, postblloqeve, konfiskimit të tokës dhe shkatërrimit të frutave, pemë që i bën të nevojshme ky vendbanim”. Yehoshua kujton sesi, një milion algjerianë u vranë në dhjetë vitet e revolucionit algjerian.

“Me mizori dhe vendosmëri të madhe, algjerianët u shtypën nga francezët, u shkatërruan, u vranë dhe u dënuan pa mëshirë. Por, nuk u shkoi mundi kot për të fituar pavarësinë. Pas 130 vitesh vendbanimi francez në Algjeri, Franca u detyrua të evakuonte njerëzit e saj në shtëpi dhe t’i jepte pavarësinë Algjerisë”. Apeli i tij përfundoi me një kërkesë të theksuar, emocionale, ndoshta edhe sarkastike për kolonët që “të kthehen në shtetin e Izraelit. Edhe kjo është pjesë e Tokës së Izraelit”.

Me kalimin e viteve, në intervista dhe biseda, ai u largua nga ideja për të parë lindjen e një shteti të pavarur palestinez pranë Izraelit, me një pjesë të Jeruzalemit si kryeqytet. Siguri dhe pasiguri. […] “Edhe kjo është e gabuar. Ne ishim vetëm në Holokaust, kjo është e vërtetë. Por, ishin kohë të tjera. Pra, një situatë kaq e ndryshme nga ajo aktuale. Ne nuk duhet të harrojmë ato vite dhe atë që ndodhi mbi pesëdhjetë vjet më parë, por duhet të pranojmë gjithashtu, se realiteti ynë është një tjetër. Nëse ndonjëherë mund të ndihemi të izoluar politikisht brenda komunitetit ndërkombëtar, ndoshta është për mirë. Ndihmon për të reflektuar”. “Gjithsesi, do të doja të ndihesha më i vetmuar, më i izoluar. Për hir të qetësisë mendore, pavarësisë dhe lirisë sime intelektuale”./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit