Gjuha jonë jetike, ajo pelasgjikja e vjetrë, në të cilën iu lut Hyjit të Dodhonës Aqilehti Homerit asht e denjunë për nji fat mâ të mirë, për një shtëllisje mâ të lartë, për nji lulëzim mâ të bleruat.
E të gjitha këto do të fitoheshin me punësin e pa pushueme e të rrebtë t’onën, tue u dhânë sikush mbë ndonjë punë të veçantë pas pjerrjes, pas fuqis e pas veçoris mendarake të si: mbledhja e fjalëvet, të folsiavet (phrases), të proverbevet, gojëdhanavet, përrallavet, kậnkavet e të qishdo tjetrë lânde gjuhësore në çdo dhialekt e për gjithë anë të Shqipnis, shtimi e zgjânimi i kësaj lânde tue përbamë fjalë të reja pas rrjegullavet të shkronjëtores e pas ligjevet të gjuhës; xânesa (étude) shkronjëtorake e syntaktike përmbi këtê lânde për të marrë trajtë të posaçme e të kthjelltë gjuhësore shkrimi i gjuhës, përkthime veprash klasike e botime librash gjithfarësh në gjuhë të qernarë e orthografisht të drejtë, ja puna qi duhet derdhur për të pastruar, për të fjeshtëruar gjuhën, për të zgjeruar e për të pasuruar litrëturën tonë.
Të këtilla mendime fisnike përparimi e lulëzimi të gjuhës e të letrëturës sonë shtynë të shkëlqyerin e të ndershmin Dreqtor të «Flamurit» të Amerikës të më paraqisi, nja tri vjet mâ parë, përkëthimin e jetës të Mbretit tonë t’Epirit [Pirro].
@Thënie për shqiptarët
Titulli: “Çashtje të gjuhës letrare”, Vepra, Volumi 1
Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar
Autori: Aleksandër Xhuvani
Botues: Akademia e Shkencave e RPSSH, 1980
Aleksandër Xhuvani, gjuhëtar dhe pedagog i shquar
Aleksandër Xhuvani (Elbasan, 14 mars 1880 – Tiranë, 22 nëntor 1961)[1] Mësues i Popullit,[2] profesor dhe shkencëtar i shquar (gjuhëtar, pedagog dhe psikolog), konsiderohet pedagogu më i shquar shqiptar dhe figura qendrore e arsimit kombëtar shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Për shkak të kontributit të tij në ngritjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor kombëtar shqiptar, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani u quajt edhe me epitetin Mësues i mësuesve shqiptarë.[3]
Jeta
Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan.[4] Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.
Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909) dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën dhe av. Çajupin[5]. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.
Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit.
Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor[6]. Vdiq më 23 nëntor 1961.
Veprimtaria
Më 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë
Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).
Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.
Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).
Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave, një nga literaturat më të vlefshme mbi studimin e gjuhës shqipe.