MENU
klinika

104 maratona në 104 ditë radhazi

Rekord, atletja me aftësi të kufizuar përshkon 4300 km

21.06.2022 - 12:13

Jacky Hunt-Broersma ka përshkuar në total 4300 kilometra duke vrapuar çdo ditë për më shumë se 3 muaj. Deri këtu asgjë e veçantë, por atletja në fjalë është një sportiste me aftësi të kufizuara, pasi vrapon me një këmbë metalike.

Ajo ka humbur këmbën e majtë, por kjo nuk e ka ndalur që të vrapojë, pasi siç thotë vetë, “ndihet e lirë”. Ndaj vendosi të thyejë rekordin e pjesëmarrjes në 95 maratona radhazi. Dhe ia doli mbanë. Broersma ia doli mbanë të marrë pjesë në 104 maratona në 104 ditë me radhë dhe pritet që së shpejti të hyjë në librin e rekordeve Guinness.

“Shpresoj që ky mision të frymëzojë të tjerë për të dalë nga zona e tyre e rehatisë dhe të provojnë diçka të re dhe të kuptojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë”, tha Broersma për CNN.

Kështu, 46-vjeçarja që jeton në Arizona zhvilloi 104 maratona në 104 ditë, nga janari në prill të këtij viti. Ajo shprehet se fillimisht synonte të arrinte numrin e 100 maratonave. “Nuk e dija se si do të reagonte trupi im, por ia dola mbanë” tha Jacky Hunt-Broersma.

Në vitin 2002, ajo u diangnostikua me sindromën e Eëing, që prek kockat. Ndaj dhe i prenë njërën këmbë. Pas një periudhë rehabilitimi, ajo nisi të vrapojë, deri sa arriti në këtë rezultat fantastik. Dhe nuk do të ndalet këtu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN