MENU
klinika

Deputetët demokratë kallëzojnë penalisht Kryeministrin për ministren Xhaçka

Si e rrëzoi 4 herë maxhoranca kërkesën e PD për komision hetimor!

22.06.2022 - 11:27

Me dakordësinë e deputetëve të PDsë që drejtohen nga Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi depozitoi dje në SPAK një kallëzim penal për Kryeministrin Edi Rama.

Bëhet fjalë për rastin e dhënies së statusit investitor strategjik dhe pasurive publike në përdorim për bashkëshortin e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Sipas pretendimit të deputetëve të djathtë, bashkëshorti i ministres Xhaçka ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disakatësh me 5 yje, në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milionë euro, në Gjilekë, Bashkia Himarë. Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30- vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së. Kjo për demokratët është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve ligjore të parashikuara në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i ministres Olta Xhacka, por edhe si kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij”, thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Gazment Bardhi.

Konflikti i interesit

Në kallëzim evidentohet gjithashtu fakti se sipas ligjit në fuqi, në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e bashkëshortit, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë deputetit dhe, në rastin konkret, edhe të ministres.

“Duke mos aplikuar këtë ndalim, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Komitetit të Investimeve Strategjike, të cilët kanë qenë në dijeni se kompania përfituese është në pronësi të bashkëshortit të ministres/ deputetes Olta Xhaçka, me dashje kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke i sjellë përfitime materiale të padrejta familjes së ministres Xhaçka”, thuhet në kallëzim.

Kallëzimi penal ndaj kreut të qeverisë vjen një ditë pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit që të nisin procedurat për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit për Olta Xhaçkën.

Ndërkohë, përmes një postimi në rrjete sociale, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën se nuk lejoi ngritjen e komisionit për të mbrojtur abuzimet. “Mohimi i komisionit hetimor është bërë për të fshehur abuzimet dhe korrupsionin e Edi Ramës me ligjin për investimet strategjike. Shqiptarët do të shohin se si pronat publike po ndahen te familjarët e ministrave, te miqtë e Edi Ramës dhe te një grusht oligarkësh pranë tij.

Rasti i Olta Xhaçkës nuk është as i izoluar dhe as i vetmi, por pikënisja e transparencës për këtë çështje. Nxis SPAK të veprojë pa vonesë për hetimin e këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë të Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që kanë abuzuar me pasuritë publike”, shkroi Bardhi në “Facebook”.

Si e rrëzoi 4 herë maxhoranca kërkesën e PD për komision hetimor

Prej më shumë se dy muajsh, Partia Demokratike insiston të zbardhë vendimin e qeverisë për të shpallur kompaninë e bashkëshortit të ministres Xhaçka si investitor strategjik. Fillimisht me firmat e 7 deputetëve, demokratët kërkuan që të ngrihej një komision i posaçëm parlamentar për të verifikuar jo vetëm rastin e ministres së Jashtme, por edhe licencat e tjera të dhënë që nga fillimi i miratimit të ligjit për investitorët strategjikë. Por kërkesa e tyre me fuqinë e kartonit në Konferencën e Kryetarëve u rrëzua. Por demokratët përdorën një tjetër hapësirë ligjore.

Ata mblodhën 35 firma, aq sa është e nevojshme sipas Rregullores së Kuvendit për të ngritur një komision hetimor me objekt hetimin e të gjitha lejeve të ndërtimit në zonën turistike me ligjin e investimeve strategjike. Por në momentin që po zhvillohej Konferenca e Kryetarëve një nga deputetët nismëtarë tërhoqi firmën te Kryetarja e Kuvendit dhe socialistët e rrëzuan me argumentin se kërkesa nuk është e rregullt, pavarësisht gatishmërisë së Alibeajt për të firmosur në moment.

Megjithatë, demokratët insistuan dhe pasi shtuan edhe dy firma të tjera, e depozituan sërish në Kuvend. Por sërish PS, me forcën e kartonëve, e rrëzoi, madje duke akuzuar deputetët e PD-së se po bënin falsifikim, pasi sipas tyre, firma e deputetit mblidhet vetëm për një dokument dhe për ridorëzim kërkohet mbledhja e firmave nga e para. Demokratët i mblodhën firmat nga e para, por sërish socialistët e rrëzuan.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thuhet në nenin që përcakton detyrat e deputetit

PD, në garë brenda vetes për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës!