“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si mund të parandalohet osteoporoza?
Mjeku: Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht. Masa kockore e fituar gjatë rinisë është një përcaktues i rëndësishëm i rrezikut të osteoporozës gjatë jetës së mëvonshme. Prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re, me qëllim që të ndërmerren masa për ta parandaluar atë. Fëmijët duhen ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të masën kockore që kur janë të rinj. Ata duhen inkurajuar dhe edukuar të kenë një dietë të ekuilibruar të pasur me kalcium, vitaminë D dhe proteina, të ndërgjegjësohen për rëndësinë e peshës normale dhe ushtrimeve fizike, efektet e pirjes së duhanit dhe alkoolit mbi kockat etj. Mënyra më e mirë për të ndihmuar parandalimin e dobësimit të kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe zakoneve të shëndetshme të ushqyerjes që në fëmijëri dhe ruajtja e tyre edhe në moshë të rritur.
Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ato reduktojnë rrëzimet dhe përmirësojnë rehabilitimin nga frakturat. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë.
Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme-sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës për shkak të rritjes së shpejtë të skeletit. Me kalimin e moshës, aftësia e trupit për të absorbuar kalcium bie, dhe kjo është një nga arsyet pse edhe të moshuarit kanë nevojë për sasi më të larta kalciumi. Ushqimet e pasura me kalcium janë:qumështi dhe produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile etj.; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; arrat, bajamet; drithërat; peshku i konservuar dhe sardelet; lëngjet e frutave dhe uji mineral.
Vitamina D është gjithashtu esencialle për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 min në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj.
Ndjekja e një stili të shëndetshëm jete është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës i peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merret në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Vetëdijësimi për faktorët e rrezikut-çdo person duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktorë rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.