MENU
klinika

I çmendur, vërtet!

Të shkruash sepse nuk ke çfarë bën…

05.06.2022 - 23:03

           “Jeta ka vetëm një të mirë dhe ajo është dashuria”

Shkrimtari, dramaturgu dhe poeti francez Henri René-Albert-Guy de Maupasant lindi më 5 gusht 1850. Në veprat e Mopasanit, gjejmë ndikimin e Zolas, Floberit dhe Shopenhauerit./Konica.al

Romanet dhe tregimet e shkurta rrjedhin natyrshëm në rrymën realiste dhe paraqesin tipare të kritikës së egër të shoqërisë borgjeze. Treqind tregime të shkurtra, gjashtë romane, si dhe disa vëllime udhëtimesh, vargjesh, pjesë teatri etj., një prodhim letrar i jashtëzakonshëm, që zgjati gjithsej dhjetë vjet. Nuk ishte intelektual i sofistikuar, nuk besonte në asnjë rrymë letrare dhe pranoi të futej në grupin e natyralistëve më shumë për miqësi, sesa për bindje. Të shkruarit, për të nuk ishte një zgjedhje teorike, por një nevojë instinktive, një nevojë fizike me diçka të kahershme. Suksesin në krijimtari e arriti në moshën 30-vjeçare, madje dukej si një forcë e vërtetë e natyrës.

Botoi mijëra faqe me një ritëm të jashtëzakonshëm, ishte i pasur, ishte i famshëm dhe po e shfrente energjinë e tij dërrmuese në një aktivitet fizik të tërbuar dhe të çrregullt. Shëtiste përgjatë Senës për orë e orë të tëra, me një fizik të fortë, ai ishte një dashnor i palodhur me zonjat dhe vajzat e reja të shoqërisë së mirë, aq më tepër duke frekuentuar bordellot në të gjithë Parisin, nga më elegantët tek më të pështirët dhe, si për të mos humbur asgjë, ai kishte varësi nga drogërat. Të jepte përshtypjen sikur vuante nga një vitalizëm i tepruar dhe se, si të thuash, energjitë i shkulmonin nga të gjitha poret. Megjithatë, ky nxitim për të bërë dhe për të thënë gjithçka, fshihte një zonë gri, e destinuar të zgjerohej gjithnjë e më shumë dhe që dëshmohet nga fjalët e shkruara nga Mopasani. për një mbesë pikërisht në periudhën e shkëlqimit të tij maksimal: “Në këtë moment ndjej kotësinë e thellë të të jetuarit, sterilitetin e çdo përpjekjeje, monotoninë e tmerrshme të ngjarjeve e gjërave, si dhe izolimin moral ku jetojmë të gjithë”.

Pra, pavarësisht nga të gjitha paraqitjet, ky lloj dashnori i zjarrtë i grave dhe i gëzimit, autor i kryeveprave si “Bel ami”, “Një jetë”, “Pieri dhe Zhani” ishte një kolos argjile që strehonte brenda  vetes një qenie të trazuar, të vuajtur, të obsesionuar nga frika. Prova mirëfilli dhe në të njëjtën kohë e dëshpëruar e këtij aspekti të errët, është tregimi i shkurtër i bukur “Horla” i shkruar në 1887.

Në fillim të tregimit, protagonisti na bën pjesëmarrës të lumturisë në një mëngjes të mrekullueshëm maji, por më pas, ditë pas dite, historia bëhet një ditar i paepur i gremisjes drejt çmendurisë, i personifikuar nga Horla e tij, kjo qenie e çuditshme e padukshme që nënkupton shpirtin e tij, derisa ta zotërojë plotësisht. “Horla” hyn katërcipërisht në kategorinë e përrallave fantastike, misterit e tmerrit, por do të ishte më e saktë ta klasifikonim atë si një përrallë profetike, sepse me këto faqe kushtuar një individi në prag të çmendurisë, autori e dinte se ai po profetizonte çmendurinë e tij dhe vetë tentativën për vetëvrasje. /Konica.al/Mopasani vuante nga një çrregullim sifilitik i sistemit nervor, që mbeti i lokalizuar deri në 1890, duke u shfaqur me dhimbje koke të tmerrshme, pagjumësi, makthe, por që më pas iu përhap, duke e çuar në çmenduri.

Në janar 1892. Mopasan tentoi vetëvrasjen, më pas u dërgua në Paris dhe e mbyllën në azilin e një mjeku të famshëm të kohës, ku kaloi tetëmbëdhjetë muaj, duke ecur këmbadoras dhe duke lëpirë muret me gjuhë, përpara se të ndërronte jetë, pa iu dhënë mundësia mendjes të ngjitej nga errësira në të cilën ishte zhytur. “Horla” në vend të kësaj është gjithmonë i gjallë dhe i mirë mes nesh, sepse siç shkroi vetë Mopasani: “Ne jemi kaq të brishtë, kaq të çarmatosur, kaq injorantë, kaq të vegjël, ne, mbi këtë pikël balte që rrotullohet, e pafuqishme në një pikë uji”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shpëtim Nazarko

Vdekja e Plakut Dritëro!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit