MENU
klinika

“Perimetri”

Transportonin klandestinë, dy të arrestuar në Korçë

01.06.2022 - 10:24

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona.

Burime zyrtare nga policia e Korçës bënë me dije se një prej të arrestuarve ishte i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, ndërsa tjetri u kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim M. M., 24 vjeç, banues në Pogradec.
Ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim, pasi më datë 27.05.2022, në fshatin Trestenik, Devoll, duke drejtuar mjetin tip “Audi A6”, me të cilin, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar nga Policia) po transportonin 7 emigrantë të paligjshëm, nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është larguar duke braktisur mjetin në rrugë.

Gjithashtu nga këto shërbime, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, u godit një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, shtetasi F. X., 31 vjeç, banues në Borizanë, Krujë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Fiat”, 6 emigrante të paligjshme, të cilave kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.