“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Përshendetje! Jam një prind i shqetësuar për shëndetin e vajzës. Është 24 vjeçe, studente mjekësie. Para dy vitesh i filloi një dhimbje stomaku, jo çdo ditë. Ka raste, një herë në muaj, ka dhimbje të forta. A mund të quhet stomak? Ka bërë gjithë ato analiza. Ka bërë eko, si edhe sondën. Përgjigjja është kequshqyerja. Edhe pse gjatë sondës vajza ka pasur një dhimbje super të fortë, saqë përfundoi në urgjencë dhe diku në fund të stomakut gjen gjak të pastër. Vajza është dhe pak anemike, ndërkohë ferrentinën e ka gati 11.5. Ju lutem më shkruani diçka.
Mjeku: Përshëndetje zonjë! Përsa i përket rastit të vajzës suaj është e nevojshme që mjeku gastroenterolog/hepatolog të shikojë rezultatin e ekzaminimeve që ju keni përmendur. Nëse mjeku i ka thënë që shkak për këtë dhimbje është kequshqyerja, atëherë duhet pyetur vajza për dietën e saj ushqimore. Sa i respekton vaktet, me çfarë ushqehet, si ushqehet, a ka ushqime që i shkaktojnë probleme në stomak etj. Thoni se ka pasur dhimbje të forta gjatë sondës. Shpesh ky ekzaminim konsiderohet i dhimbshëm për pjesën më të madhe të pacientëve. Dhimbje që shpesh shtohet edhe për shkak të psikologjisë së rënduar të pacientit në ato momente. Thoni që ka pasur gjak të pastër. Ndodh që gjatë bërjes së sondës vajza të ketë pasur ndonjë gërvishtje dhe kjo mund ta justifikojë gjakun.
Megjithatë, si studente mjekësie, vajza është midis mjekësh dhe, si e tillë, duhet të konsultohet me ndonjërin prej tyre. Si edukatore e ardhshme e shëndetit ajo duhet të jetë tepër e ndërgjegjshme për problemet që mund të na vijnë në rastin e mosvlerësimit të shëndetit në kohën e duhur.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.