Rey Manaj rikthehet te Barcelona. Lajmi vjen nga mediat italiane të cilat kanë mësuar se sulmuesi i përfaqësueses shqiptare nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Spezias, ndonëse ishte një nga elementët që siguruan mbijetesën e kësaj skuadre në Serinë A.
Manaj ishte dhënë në huazim nga Barcelona për këtë sezon me të drejtën e blerjes së kartonit të tij për 2,7 milionë euro në fund të këtij sezoni. Por klubi italian ka vendosur që të mos ushtrojë të drejtën e blerjes së Manajt, duke lejuar kështu kthimin e tij në radhët e klubit katalanas.
“Spezia nuk do të aktivizojë opsionin për të blerë Rey Manajn, i cili do të kthehet te Barcelona”, shkruante në rrjetet sociale eksperti i merkatos, Nikolo Shira, lajm i cili më pas është konfirmuar nga mediat italiane.
Kështu, Manaj do të nisë sezonin e ri në radhët e katalanasve, nën urdhrat e Xavit, para se të vendoset se çfarë do të bëhet me lojtarin i cili me shumë mundësi do të huazohet përsëri në një klub tjetër, me prioritet Italinë, pasi ai mendon se mund të luajë rregullisht në Serie A.